AUV thotë se inspektimi në "Vita" u krye sipas kërkesës dhe vendimit të ministrit Muja-jemi në pritje të rezultateve të analizave
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në një konferencë për shtyp ka folur për kontrollet në fabrikën e përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, më 2 korrik, ku u tha se inspektimi është bërë sipas kërkesës dhe vendimit të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja.
Tutje, shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se inspektimi është kryer së bashku me njësitë e tjera inspektuese dhe se janë në pritje të rezultateve të analizave.
“Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, tha Shehu.
Ndërsa sipas udhëheqësit të Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, komisioni, ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit nga ana e subjektit.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.
Duhet theksuar se ka pasur reagime të shumta nga inspektimi që i është bërë "Vita"-s, sidomos nga fusha e konomisë.
Dy odat ekonomike e kanë quajtur inspektimin në formën e till siç i është bërë "Vita"-s si të paprecedent dhe kanë theksuar se ndërhyrjet e tilla mund të dëmtojnë besimin e investitorëve dhe të cenojnë rëndë prodhimin vendor.
Në deklaratat zyrtare, ato u bënë thirrje institucioneve përkatëse që të respektojnë procedurat ligjore, të ofrojnë transparencë të plotë dhe të trajtojnë bizneset në mënyrë të paanshme, duke qenë se kjo qumështore grumbullon mbi 20 milionë litra qumësht në vit nga rreth 1000 fermerë.