Greva u zgjat shumë, thotë SBAShK-u: Sindikalistët pranë tërheqjes, në pritje të takimit të madh - NACIONALE

Greva u zgjat shumë, thotë SBAShK-u: Sindikalistët pranë tërheqjes, në pritje të takimit të madh

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Situata me grevën është në qorrsokak. Në njërën anë, Qeveria Kurti s’ka ofertë të re, e rrjedhimisht s’ka ftesa për dialog social, në anën tjetër, SBAShK-u po vazhdon grevën. Që një muaj, ky është peisazhi i grevës. Duke parë një situatë të tillë, SBAShK-u ka filluar komunikimin me anëtarësin e saj për të marrë një qëndrim në lidhje me vazhdimin e grevës.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ymer Ymeri, nënkryetar i SBAShK-ut, theksoi se anëtarësia do të tregojë qëndrimin e saj për grevën.

Ky takim, sipas tij, vie pasi Qeveria Kurti nuk ka servuar ndonjë ofertë të re për sindikalistët.

‘’Për çdo situatë ne jemi në komunikim me anëtarësinë. Ne kemi kërkuar nga anëtarësia një qëndrim, duke e parë që Qeveria Kurti s’po tërhiqet e madje as nuk po dëshiron të dialogoj më. Pasi të marrim qëndrimin e anëtarësisë padyshim që do ta bëjmë publike gjendjen, por njëherë nuk ka lëvizje për ndalje te grevës. Nëse veç e kërkon këte gjë anëtarësia tashmë, ne do të jemi në kontakt’’ Ymer Ymeri, nënkryetar i SBAShK-ut.

Tutje, ai ka thënë se greva është zgjatur shumë.

Nëse Qeveria nuk tërhiqet, ne do të konsultohemi me antarësinë se ç’ka me vepru tutje, pasi që vërtet u zgjat greva shumë, dhe sipas të gjitha gjasave po shihet se Qeveria nuk është e gatshme me ba asnjë lëvizje.”, shtoi z.Ymeri.

Sulmet e Kurtit

Të dielën që shkoi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli përsëri për grevën. Më saktësisht, shefi i ekzekutivit, ndonëse kishte zgjedhjet e brendshme partiake, nuk harroi të ‘godiste’ SBAShK-un dhe sindikatat e tjera.

Ai akuzoi se sindikalistët janë të lidhur me partitë opozitare, duke i cilësuar ata se janë sindikalistë të PAN-it që kanë sentiment anti qeveritar.

Është për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng. Për përshtypjen time të fuqishme, në të gjitha takimet që kemi pasur, bëhet fjalë për një lloj inati antiqeveritar… prej sindikalistëve të PAN-it, të cilëve iu është ndalur sahati më 5 qershor 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. E tash dëshirojnë që t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë, duke e bërë grevën armë kundër qeverisë”, tha kryeministri Kurti.

Tutje, Kurti theksoi se mësimi duhet fillojë sa më shpejtë.

Duhet që mësimi të fillojë sa më parë. Është dashur të fillojë me një shtator. Jam i bindur që nxënësit duan të shkojnë në shkollë, jam i bindur që prindërit duan që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, jam i bindur që edhe mësimdhënësit duan të japin mësim nëpër shkolla. Këtë bindje ka edhe qeveria. Nuk duam që të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti”, deklaroi Kurti.

Kujtojmë që partitë opozitare kanë kritikuar Kurtin për gjuhën e tyre karshi SBAShK-ut, të cilët po kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Sot, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se mos zgjidhja e krizës së grevës është paaftësi dhe papërgjegjësi e Qeverisë Kurti.

Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, shkroi z.Abdixhiku në Facebook.

Profesori Universitar, Rrahman Paçarizi, ka dhënë një zgjidhje për grevën, e cila po vazhdon tash e një muaj.

Paçarizi ka thënë se pezullimi i grevës për një muaj, do të ishte ideale për të dëshmuar se kush është për zgjidhje e kush për llugë.

Një prej zgjidhjeve: PEZULLIM I GREVËS PËR NJË MUAJ - mjaftueshëm për me dëshmu kush është për zgjidhje e kush për llugë”, ka shkruar Paçarizi.

Lajme të ngjashme