I thanë familjeve të izolojnë shtëpitë: Çmimi është rritur deri në 4500 euro - NACIONALE

I thanë familjeve të izolojnë shtëpitë: Çmimi është rritur deri në 4500 euro

1 vit më parë

nga Trina Zuka

E para e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kohë pas kohë po deklarohet se vendin po e pret një dimër i vështirë për shkak se mbi të ka rënë edhe sektori i energjisë. Por, deklarata e sotme e thënë me gjakftohtësi për familjet “izoloni shtëpitë” ka shqetësuar qytetarët. Sa kushton izolimi i shtëpive?

Shefi i saj, Albin Kurti dikur shprehej se 40,2 për qind e qytetarëve nuk mund ta përballonin ngrohjen e shtëpive në mënyrë adekuate.

Por, përballimi si duket u harrua nga Kurti e u harrua edhe nga vartësja e tij Rizvanolli.

Ajo sot në seancën e Kuvendit, ku nuk u miratua vazhdimi i masave emergjente të energjisë, tha se qytetarët duhet t’i izolojnë shtëpitë e tyre “para se të bëhet më ftohtë”.

Izolimi i shtëpive. Ndërrojeni mënyrën e ngrohjes. Ne si qeveri kemi marrë shumë masa. Kemi vendosur masa detyruese për kursim në institucione e ndërmarrje publike,” - deklaroi ministrja e Ekonomisë.

Një izolim i zakonshëm kushton hiç më pak se 4500 euro

Por një shoqëri në Kosovë, e cila po e kalon një krizë të jashtëzakonshme ekonomike, vështirë se mund ta zbatojë një këshillë të tillë të ministres, për izolimin e shtëpive.

Kjo sepse një gjë e tillë, kushton goxha shumë.

Kompania “Bavaria”, e cila ndër të tjera, merret edhe me izolimin e shtëpive, në një prononcim për gazetën tha se metri katror i izolimit të zakonshëm, kushton 28 euro.

"Termofasad e jashtme, me stiropor 8 cm 28 euro metri katror. Edhe 10 cm, 30 euro metri katror. Ky çmim është me material e me punë të dorës", thanë nga kjo kompani.

Nga ky çmim, një shtëpi mesatare prej 150 metrave do të kushtone 4500 euro.

Çmimet e izolimit të shtëpive po ashtu janë shtrenjtuar pas rritjes së çmimeve për materialet ndërtimore.

Paralajmërimi: Dimër i vështirë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka paralajmëruar situatë të rëndë, me energjinë gjatë muajve të dimrit.

Në Kuvend, Rizvanolli ka thënë se çmimi i energjisë verës ka arritur deri në 1 mijë euro.

Rizvanolli kishte bërë bujë edhe në të kaluarën përmes këshillave të çuditshme, siç ishte ajo e ndaljes prej rrymës të joystick-ëve, ose konsolave të video-lojërave.

Znj. Rizvanolli ka deklaruar se ka në formën e parave të gatshme një shifër prej mbi 200 mijë eurove në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Lajme të ngjashme