Kriza ekonomike e çmimet e larta, PDK e LDK: Qeveria Kurti e papërgjegjshme - NACIONALE

Kriza ekonomike e çmimet e larta, PDK e LDK: Qeveria Kurti e papërgjegjshme

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Edhe në muajin qershor është rritur kostoja e jetesës në Kosovë. Siç shihet nga raporti i Agjencisë së Statistikave, kosovarët tani paguajnë më shumë për shumicën e mallrave thelbësore, me koston e benzinës për litër që rritet më së shumti. PDK e LDK janë shumë kritikë ndaj mënyrës se si Qeveria Kurti po e menaxhon këtë krizë të inflacionit.

Partia Demokratike e Kosovës është kritike ndaj mënyrës se si Qeveria Kurti po e menaxhon krizën ekonomike dhe inflacionin që tashmë ka arritur 14,1%.

Koordinator i Departamentit për Financa në Qeverinë nën hije të PDK-së, Arben Mustafa, në një prononcim për Nacionalen ka thënë se trendi në rritje që po e përcjell inflacionin në Kosovë është shqetësues dhe paraqet problem serioz për ekonominë.

Sjellja e Qeverisë, sipas Mustafës, është neglizhente dhe e papërgjegjshme.

“Ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim serioz për ekonominë e vendit. Të dhënat e fundit tregojnë për një normë të përgjithshme të inflacionit vjetor prej 14.1%. Më specifikisht, për kategoritë e produkteve esenciale, norma e inflacionit shkon në mbi 20%. Sjellja e deritanishme e Qeverisë së vendit kundrejt këtyre zhvillimeve në ekonomi ka qenë neglizhente dhe e papërgjegjshme”, tha Mustafa.

Tutje, ish-kryeekonomisti i Bankës Qendrore, tha se refuzimi i ekzekutivit për të përdorur instrumentet fiskale, ka bërë që inflacioni të përshpejtojë rritjen.

Më tej, Mustafa tha se është urgjente që Qeveria të veprojë aty ku i takon, përmes politikave fiskale.

Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Prandaj, është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që Qeveria ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve”, pohoi ish-kryeekonomisti i Bankës Qendrore.

Në fund, Mustafa konsideroi se Qeveria po heziton të ballafaqohet me krizën. Politikat e kontrollit të çmimeve të praktikuara nga ekzekutivi së fundmi, ai i quajti joefektive dhe problematike për ekonominë e vendit.

“Hezitimi i Qeverisë së Kosovës për të pranuar se vendi po ballafaqohet me një krizë inflacioni dhe paraqitja e rritjes së çmimeve si një krizë e shkaktuar nga abuzues çmimesh është e pakuptueshme dhe tendencë për t’iu shmangur përgjegjësisë që i takon në raport me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend”, tha ai.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e prononcuar nga Gazeta Nacionale, tha se gjendja ekonomike është e rëndë tash e një kohë. Çka e rëndon më shumë gjendjen ekonomike sipa Bajramit, është fakti që inflacioni për produktet bazë kalin shumë herë mesataren e inflacionit në vend, duke prekur më së shumti familjet me të ardhura mesatare.

Gjendja ekonomike në vend tash e disa muaj është e rëndë, një nga shkatarët kryesor është inlacioni i cili sipas raportit të botuar sot nga ASK arrin shifrën 14.1%, d.m.th. nëse e krahasojmë muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 14,1 %. Gjendjen ekonomike e rëndon fakti se inflacioni për produktet bazë kalon disa herë mesatarën e inflacionit në vend, rrjedhimisht kjo gjendje ka atakuar sidomos familjet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare”, tha Bajrami.

Tutje, deputetja e LDK-së paralajmëroi për gjendjen e rëndë me të cilën po përballet vendi marrë parasyshë që inflacioni po prek të gjitha fushat duke bërë që shumë kontrata të nënshkruara me organizata buxhetore për projektet kapitale të deshtojnë.

“Inflacioni ka prekë të gjitha fushat duke filluar prej investimeve kapitale të sektorit publik: për shkak të ngritjes së çmimeve të të gjitha inputeve ndërmarrjet të shumta të cilat kanë kontrata të nënshkruara me organizata buxhetore për projekte kapitale as që kanë filluar impelemtimin e tyre, një pjesë e investimeve kapitale ka ngecë për shkak të mosfunksionalizimit të OSHP-së deri vonë”, tha ajo për Nacionale.

Lajme të ngjashme