Qeveria paralajmëron marzhë për fitim në produktet bazë, opozita dhe ekspertët kundër - NACIONALE

Qeveria paralajmëron marzhë për fitim në produktet bazë, opozita dhe ekspertët kundër

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar mundësinë e caktimit të marzhës për fitim në produktet bazike. Ndërsa, opozita dhe njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar se një masë e tillë është kundër ekonomisë së lirë të tregut.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, sot ka paralajmëruar vendosjen e marzhës për fitim në produktet bazë.

Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se tashmë kanë formuar një grup punës për këtë çështje.

Sipas saj, ky grup shumë shpejt do të vendos nëse bizneseve do t’u caktohet marzha tregtare e fitimit, apoçmime tavan për produktet bazike.

“Pas koncept-dokumentit të MINT-it me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë Hajdari.

Edhe eksperti i ekonomisë nga LV-ja, Edison Jakurti, ka thënë se qeveria duhet të vendos çmime tavan për produktet bazë.

“Sipas ASK-së, inflacioni në qershor paska qenë 14.1%. Sa për krahasim: vlera reale e 100 eurove në qershor 2021 ka qenë rreth 92.7 euro, ndërsa në qershor 2022 ka rënë në rreth 81.2 euro. Që të ruhet fuqia blerëse, e rrjedhimisht mirëqenia e qytetarëve, sa më parë duhet vendosur çmime tavan për produktet e shportës bazë të konsumatorit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Muajin e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, kishte propozuar në Kuvend hartimin e një projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazike. Mirëpo, ky propozim ishte kundërshtuar nga opozita në Kuvend dhe nga ekspertët e ekonomisë.

Caktimi i marzhës në fitim, kundër ekonomisë së lirë të tregut

Propozimin e LV-së që caktimi e marzhës në fitimit ishte vlerësuar si antikushtetues.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në debatin parlamentar kur ishte prezantuar kjo ide kishte vlerësuar se Kosova është ekonomi e lirë e tregut dhe nuk mund të vendos marzhë për produktet që nuk i prodhon.

“Ne sot si Kosovë nuk e prodhojmë mjaftueshëm asnjë produkt bazë. Si qeveri e ekonomisë së tregut të lirë me Kushtetutën që e kemi me kapacitete e munguara prodhuese që i kemi ne mundemi me lëviz me politika tatimore, ne mundemi me ulë taksa, me ul tatime, me heq tatime me heqë akzicën për me iu dalë në ndihmë qytetarëve. Por, harrojeni se mund të bëni ligj me iu caktua tregtarëve në ekonominë e tregut të lirë, neni 10 i Kushtetutës e thotë ku oferta dhe kërkesa e cakton çmimin që ne mundemi me iu caktua njerëzve marzhën. Konkurrenca i bën çmimet, e iu Autoritetin e Konkurrencës nuk e keni funksionalizuar deri më tash”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Ajo ka thënë se nëse caktohet një masë e tillë, tregtarët mund të ndalin importimin e produkteve bazë.

“Ne jemi ekonomi e tregut të lirë, e propozuat masën, thatë që të hartohet një ligj për të caktuar marzhën e fitimit për produktet bazë. Kosova nuk prodhon sheqer, caktojeni marzhën prodhuesve të sheqerit, çfarë bëjnë tregtarët? Nuk importojnë sheqer. Dhe në Kosovë nuk prodhohet sheqer, a është masë kjo. Ndërkohë që masa që e kemi propozuar ne, kryeministri që konkurojke të bëhet kryeministër dhe thoshte që qumështi me qeverisjen e LVV-së ka me kushtuar më lirë. Sepse do e bëjë TVSh-në zero, a është kështu?”, ka shtuar ajo.

Edhe kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e kishte kundërshtuar vendosjen e një mase të tillë.

“Çdo ndërhyrje që është e pabazuar dhe bazohet vetëm në një situatë, vetëm në një moment kohor, apo që realisht ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën e barabartë në treg, është edhe nga aspekti parimor, nëse e sheh qartë, shkelje kushtetuese”, kishte shkruar Rukiqi në profilin e tij në “Facebook”.

Subjektet opozitare vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për produkte bazë të ulet TVSH-ja. Mirëpo, një gjë të tillë e ka kundërshtuar Qeveria, duke thënë se kjo nuk do të ndikonte në ulje të çmimeve.

Lajme të ngjashme