22 muaj kishte ulje çmimesh para se të vinte Kurti, por çka ndodhi me Kosovën më 2011? - NACIONALE

22 muaj kishte ulje çmimesh para se të vinte Kurti, por çka ndodhi me Kosovën më 2011?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Inflacioni sipas Statistikave (ASK) ka shkuar në 14.1 për qind, shifër rekorde për Kosovën. E derisa qytetarët po varfërohen në heshtje, vlen të ndërmendim vitin e largët 2011 kur për shtatë muaj diçka e rëndësishme ndodhi në Kosovë.

Ishte data 6 janar 2011. Fjala inflacion kuptohej vetëm nga gjeneratat më të vjetra për shkak të telasheve të mëdha ekonomike në vitin ’90, kohën e ish regjimit jugosllav.

Kryeministri i asokohshëm Hashim Thaçi do të ndërmerrte një veprim të guximshëm për rritjen drastike të pagave për sektorin publik në Kosovë.

Rritja e pagave

Mësimdhënësve parauniversitarë - domethënë atyre që i njohim si mësues, punëtorë teknikë, arsimtarë, profesorë shkollash të mesme - do të iu rritej paga për 50 për qind mbi pagën bazë.

Po ashtu, rritje prej 40 për qind mbi pagën bazë do të përfitonin edhe policët e Kosovës.

Shërbyesit civilë mbi 30 për qind. Oficerët doganorë 30 për qind.

Mjekët dhe të tjerë punëtorë në sektorin e shëndetësisë 30 për qind.

Zjarrfikësit 30 për qind.

Pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, 50 për qind.

Dhe do të rriteshin pensionet edhe për minatorët sipas një memorandumi mirëkuptimi.

Ish kryeministri Thaçi do të thoshte këto fjalë në mbledhjen e Qeverisë të asaj dite:

“Sot me kënaqësinë më të madhe dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore paraqes për aprovim propozim-vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik të Kosovës. Me këtë vendim të gjithë të punësuarit në këta sektorë në fund të muajit janar në llogaritë bankare do t’i kenë pagat me rritje. Kjo do të thotë se një stimulim shtesë për punën që bëjnë arsimtarët, mjekët, punëtorët... policët, zjarrfikësit, shërbyesit civilë. E di se ka pasur dyshime apo mosbesime nga më të ndryshmet rreth zotimeve të mia para të gjithë qytetarëve të vendit"

Inflacioni prej janarit e deri në korrik

Në dhjetorin e vitit 2010, inflacioni kishte qenë 6.5 për qind. Ndërkohë, shifrat kishin qenë relativisht të ulëta pëgjatë gjithë atij viti megjithëse kishte pasur një trend në rritje në gjashtëmujorin e fundit. Por, menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, do të kishim një rritje edhe më të madhe të çmimeve.

Në muajin janar shkalla e inflacionit do të shkonte në 7.4 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave. Menjëherë në shkurt, do të rritej në 9.4 për qind, për t’i lëshuar vend tre muajve me rritje dyshifrore inflacione (mars – 10.8, prill – 10.7, maj – 10,3).

Pas muajit maj, përkundër ardhjes së diasporës në vendin tonë, do të niste ngadalë një rënie e inflacionit.

Në korrik do të binte në 9.2 për qind ndërsa në muajin korrik në 8.3.

Por, e çuditshmja në këtë mes është se menjëherë prej gushtit kemi pasur një rikthim të menjëhershëm të inflacionit në shkallë normale, siç mund ta shihni në tabelën në vijim.

Ulje çmimesh

Gjatë Qeverisë Kurti II – jo vetëm për faj të Qeverisë Kurti II – kemi pasur rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të luksit.

Por, në shumë muaj të qeverive të mëparshme kemi pasur edhe deflacion, ose ulje të çmimeve të produkteve të indeksuara nga ASK. Me deflacion prej -0.4 për qind u shënua muaji dhjetor i vitit 2014, dhe të gjithë muajt e vitit 2015.

Në atë kohë, në krye të Qeverisë së Kosovës ishte ekonomisti Isa Mustafa.

Me ulje çmimesh do të ishin edhe tre muaj të vitit 2016, dhe vetëm një muaj i vitit 2018. Ndërkohë, në vitin pandemik 2020, gjashtë muajt e dytë të vitit do të ishin po ashtu me deflacion.

Para ardhjes së Qeverisë Kurti I e Qeverisë Kurti II, kanë qenë gjithsej 22 muaj me deflacion sipas të dhënave nga ASK.

Qeveria Kurti I ka dështuar që të rriste pagat në sektorin publik, duke e pasur të pamundur edhe që të sillte në Kuvend Projekt-Ligjin e Pagave siç është kërkuar e protestuar nga shumë sindikata punëtorësh.

Eksponentë të partisë në pushtet kanë përmendur edhe mundësinë që rritja e pagave të çonte në një rritje të re çmimesh në vend.

Megjithatë, Qeveria e ka kaluar në Kuvend Ligjin për Pagën Minimale e cila do të rritet nga 130 dhe 170 sa ishte më herët në 250 euro. Por, ka shumë skepticizëm se numri i qytetarëve që do të përfitojnë nga një gjë e tillë do të jetë i lartë.

Gjatë ditës së sotme, ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari ka paralajmëruar çmime tavan edhe për produktet esenciale.

“Pas koncept-dokumentit të MINT-it me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare.” – është shprehur ajo.

Kujtojmë se vendosja e çmimeve tavan sa i përket derivateve ka çuar në uljen e çmimeve të naftës në Kosovë.

Lajme të ngjashme