Intervistë | Profesori i Tregjeve Ndërkombëtare: Rritja e çmimeve pasuron Qeverinë, të tërhiqet Trusti - NACIONALE

Intervistë | Profesori i Tregjeve Ndërkombëtare: Rritja e çmimeve pasuron Qeverinë, të tërhiqet Trusti

1 vit më parë

nga NACIONALE

I ka dhënë të drejtë opozitës dhe ka hedhur poshtë pretendimet e Qeverisë për tërheqjen e Trustit. Profesori i tregjeve financiare, Florin Aliu, ka vlerësuar se tërheqja prej 30 për qind nuk ndikon në rritje të inflacionit, por në rritje ekonomike. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka argumentuar se nga rritja e çmimeve përfiton vetëm Qeveria.

Profesori i tregjeve financiare, Florin Aliu, ka mohuar pretendimet e Qeverisë se tërheqja e Trustit mund të shkaktojë rritje të inflacionit në vend.

Ai ka treguar se pretendimet e qeverisë janë të gabuara, duke shtuar se inflacioni në Kosovë importohet nga jashtë.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Aliu është shprehur pro tërheqjes prej 30 për qind të Trustit, duke treguar se një gjë e tillë do të ndihmonte rritjen ekonomike.

Profesori Aliu ka argumentuar se nga rritja e çmimeve përfiton vetëm Qeveria e Kosovës. Sipas tij, në këtë mënyrë Qeveria mbledh më shumë para për buxhetin.

Ai ka treguar se çmimet e rritura ofrojnë mbledhje më të lartë të taksave.

Nacionale:

Kuvendi i Kosovës shumë shpejt pritet të vendosë për iniciativën e opozitës për tërheqjen e Trustit. Ju keni dalë pro kësaj iniciative. Pse mendoni se deputetët duhet ta miratojnë këtë projektligj?

Aliu:

Unë jam pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit, sepse besoj shumë se kjo tërheqje nuk ndikon aspak në inflacion, por përkundrazi në rritje ekonomike, ose rritjen e kërkesës së brendshme. Tërheqja prej 30 për qind e trustit do të jetë një injeksion shumë i mirë për ekonominë, në ndërkohë që parashihet së vitin tjetër ne të kalojmë te rritja ekonomike prej 3 deri 3.5 për qind.

Nacionale:

Zyrtarët qeveritarë po vlerësojnë se tërheqja e trustit prej 30 për qind mund të shkaktojë rritje të inflacionit. Sa qëndron ky konstatim?

Aliu:

Inflacioni mund të nxitet nga oferta e tepërt monetare në ekonomi dhe në rastet e tilla prodhimi kombëtar nuk mund të kapë kërkesën në rritje. Nga ana tjetër, inflacioni mund të rritet kur kemi mungesë të produkteve në ekonomi, ndërkohë që kërkesa mbetet e njëjtë dhe kjo mund të shkaktohet nga embargoja apo ndërprerja e prodhimit te brendshëm dhe atij botëror.
Deklarata e ministrit të Financave se inflacioni mund të përkeqësohet në Kosovë për shkak të tërheqjes së 30 për qind nga Trusti Pensional Kosovës, është krejtësisht e gabuar. Inflacioni në Kosovë importohet nga jashtë, pasi ne nuk prodhojmë asgjë dhe importojmë pothuajse gjithçka. Në këtë kontekst, inflacioni i shkaktuar nga oferta e tepërt monetare në ekonominë e Kosovës është e pamundur të ndodhë, pasi ne nuk kemi politikë monetare. Pra, ne nuk kemi valutë nacionale si Shqipëria, Maqedonia, Serbia, etj. Ne përdorim euron unanimisht si monedhë kombëtare. Vendimet e Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt nuk përfshijnë Kosovën dhe Malin e Zi si pjesë të agjendës së tyre. Banka Qendrore e Kosovës ka kryesisht aktivitet mbikëqyrës të sistemit financiar dhe jo shtypjen e parasë.

Nacionale:

Ka ndonjë mënyrë që Kosova të mund ta luftojë inflacionin?

Aliu:

Në thelb, inflacioni në vendin tonë shkon në një rrjedhë të lirë, pasi ne nuk kemi asnjë instrument për ta luftuar atë. Rastet e inflacionit të shkaktuar nga oferta e tepërt e parasë në qarkullim janë paraqitur në Jugosllavi gjatë viteve 1990/1994, kur Sllobodan Millosheviqi financonte luftën në Bosnjë dhe Kroaci me para të reja. Venezuelës e Chavezit dhe rasti i ish-Republikës së Rodesisë, e njohur tani si Zimbabve, ku presidenti i tyre Mugabe shtypte para zgjedhjeve për të rritur pagat. Këto janë raste kur ka shumë, por në të vërtetë shumë para të reja në ekonomi, dhe pas 4 deri në 6 muaj vjen inflacioni. Megjithatë, gjatë periudhës së pandemisë Banka Qendrore Evropiane dhe Rezerva Federale në SHBA krijuan para të reja përmes politikave të quajtura "Lehtësim sasior". Si pasojë e këtyre ndërhyrjeve tani ky inflacion i sjellë nga BE-ja është për shkak të injektimeve të mëdha parash.

Nacionale:

Megjithatë, Qeveria po insiston se me hyrje në treg të sasisë së parave të Trustit mund të ndikojë në rritje të inflacionit. Si mund ta kundërshtojmë këtë argument të tyre?

Aliu:

Argumenti më i fortë është se pse nuk kemi inflacion të lartë gjatë verës dhe në fund të dhjetorit kur vjen diaspora jonë. Është e mundur që disa çmime të veçanta mund të rriten gjatë asaj periudhe (si p.sh. një birrë në një disko të Prishtinës), por jo inflacion mbi 10 për qind. Edhe pse diaspora jonë sjell më shumë para se tërheqja e mundshme e 30 për qind të Trustit. Për më tepër, pse ekonomia e zezë (ekonomia kriminale) në Kosovë nuk shkakton inflacion, kur të gjithë e dimë se është shumë e lartë. Për këtë qëllim, një inflacion i tillë mund të shkaktojë bankat qendrore që nuk janë të pavarura dhe kanë kapacitet për të printuar para. Duke e ditur që këtë vit ritmet e rritjes ekonomike do të ngadalësohen në krahasim me vitin e kaluar, 30-përqindëshi do të jetë një injeksion i madh në ekonomi.

Nacionale:

Çfarë masash do të duhej të ndërmerrte Qeveria për t’iu përgjigjur rritjes së çmimeve?

Aliu:

Unë personalisht nuk do ta kisha mbështetur kurrë këtë ide nëse do të shihja që qeveria do të bënte veprimet e mëposhtme. Së pari, do të rriste pagat në sektorin publik për nivelin e inflacionit. Së dyti, do të krijonte kupona siç ka në shumë vende të BE-së, ku me ato kupona mund të blini vetëm produkte bazë. Për shembull, me ato kupona (që mund të jenë në rangun prej 50 euro) mund të blini vetëm produkte bazë “made in Kosovo”. Në këtë formë ju ndihmoni prodhimin vendor dhe ndihmoni njerëzit më të prekur nga inflacioni.

Nacionale:

Pse jo para, por kupona?

Aliu:

Sepse me para njerëzit mund të blejnë cigare, alkool apo edhe drogë, ndërsa me ato kupona mund të blini vetëm produkte. Ndërkohë, sektori privat jam i sigurt se do të ndjekë rritjen e pagave pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Pra, ky inflacion në Kosovë, mund të përdoret për të lëvizur të ardhurat mesatare në nivele më të larta, por këtë nuk duket se qeveria dëshiron ta bëjë.

Nacionale:

Kush përfiton e kush humbet nga ky inflacion?

Aliu:

Nga inflacioni që po kalon nivelin e 10-përqindëshit në Kosovë, ka vetëm një operator që po përfiton nga kjo situatë, dhe ajo është qeveria. Qeveria me të njëjtat taksa tani po mbledh më shumë para për buxhetin, pasi çmimet e rritura ofrojnë mbledhje më të lartë të taksave. Nga ana tjetër, pagat në sektorin privat dhe publik janë të njëjta, kështu që në këtë rast fuqia blerëse e tyre bie dhe në të njëjtën kohë standardi i tyre i jetesës po bie.
Ndërkohë, bizneset nuk po përfitojnë pasi kostot e tyre janë më të larta dhe si rrjedhojë kostot më të larta reflektohen në çmime më të larta. Nëse ka pasur spekulatorë në fazat e hershme të këtij bumi çmimesh, tani kam një perceptim se ata nuk janë më.

Lajme të ngjashme