Hamza: Rritja ekonomike s’është e qëndrueshme, të reduktohen taksat për disa produkte - NACIONALE

Hamza: Rritja ekonomike s’është e qëndrueshme, të reduktohen taksat për disa produkte

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj krizës së rritjes të çmimeve të produkteve të konsumit.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive në hartimin e masave për të mbështetur qytetarët në përballimin e kësaj krize.

Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Hamza ka treguar se ekzekutivi duhet të shfrytëzojë instrumentin e taksave për të zbutur rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në vend.

Hamza ka kontestuar edhe pretendimet e Qeverisë për rritjen e pashembullt ekonomike në vend, duke thënë se rritja e vitit 2021 nuk është e qëndrueshme.

Në këtë intervistë, Hamza ka folur edhe për komunën e Mitrovicës së Jugut, udhëheqjen e së cilës e ka marrë që disa muaj, dhe raportet që ka me institucione qendrore.

Nacionale: Z. Hamza, janë bërë disa muaj që keni marrë qeverisjen në komunën e Mitrovicës. Si po ju shkon puna?
Hamza: Fillimi i ka vështirësitë e veta. Kam arritur që të krijoj një ekip me të cilin besoj së do të realizoj programin qeverisës. Kemi aprovuar buxhetin, i cili ka qenë i paaprovouar në afatin e paraparë, kemi vendosur projektet të cilat i kemi prioritet. Në këtë buxhet është rritur përkrahja për shëndetësinë, edhe në projektet kapitale dhe në mallra dhe shërbime; kulturën, rininë dhe sportin; rritje signifikante në bujqësi dhe arsim dhe janë të reflektuara projekte shumë të rëndësishme në investimet kapitale.
Trendi i të hyrave është pozitiv dhe presim që të kemi një tejkalim të të hyrave vetanake në raport me atë çka është vendosur në qarkore nga Ministria e Financave.

Nacionale: Në çfarë kushtesh e keni gjetur komunën, e cila është udhëhequr për 8 vjet nga z. Bahtiri?
Hamza: Gjendja është komplekse, sidomos në aspektin financiar, ku kemi trashëguar vlera të larta të obligimeve financiare, të papaguara. Përtej kësaj, është një numër i konsiderueshëm i lëndëve në gjykata, e që mund të paraqesin ngarkesë shtesë për buxhetin e komunës dhe ka nevojë për përmirësim në shumë fusha, gjë që e kanë konstatuar dhe raportet e auditimit në vazhdimësi se ku ne duhet te marrim masa për t’i adresuar.

Nacionale: Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ju keni pasur kundër pothuajse gjithë qeverinë aktuale. Jo rrallë, ministrat e kësaj qeverie kanë zbritur në Mitrovicë për të bërë fushatë kundër jush, por pa sukses. Cili është bashkëpunimi juaj me qeverinë?
Hamza: Ka qenë kohë fushate dhe jo vetëm ministrat, por edhe krerët e institucioneve tjera e kanë vizituar Mitrovicën, por qytetarët e Mitrovicës në shumicë dërmuese më kanë përkrahur, për çka jam shumë falënderues, dhe për herë të parë në Mitrovicë mbyllet fushata zgjedhore pa balotazh. Unë, kam qasje institucionale dhe do të jem bashkëpunues me te gjitha institucionet e Kosovës, dhe këtë e pres edhe nga të tjerët.

Nacionale: Tashmë qeveria Kurti ka kaluar një vit në qeverisjen e vendit. Çfarë është vlerësimi i juaj për këtë qeveri?
Hamza: Qeverisje me prioritete jo të qarta, mungesë e vizionit, mungesë e konsistencës, devijim nga premtimet parazgjedhore, dhe mbi të gjitha, mungesë e rezultateve konkrete pozitive në shumë fusha.

Nacionale: Në vitin e parë të qeverisjes, qeveria Kurti është përballur me krizën e energjisë elektrike dhe krizën e rritjes se çmimeve. Kritika ndaj qeverisë ka qenë se gjatë këtyre krizave ka qenë vetëm spektatore. Kanë mundur të menaxhohen më mirë këto kriza?
Hamza:
Sigurisht se po. Është dashur që në kohë të merren masa, sidomos sa i përket furnizimit me energji elektrike, por mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për rritjen e kapaciteteve prodhuese energjetike, pasi që ka mos përputhje në mes të konsumit dhe prodhimit dhe të paktën kontratat për import të energjisë elektrike të lidhen në kohë. Sa i përket rritjes së çmimeve, në pjesën e shpërndarjes është dashur të targetohen dhe të përkrahen sidomos shtresat që janë më të ndikuara dhe të zbuten efektet e inflacionit.

Nacionale: Qeveria po krenohet me rritjen ekonomike dhe me disa masa që ka ndërmarrë për zbutjen e krizës. Sa janë të mjaftueshme këto masa?
Hamza: Ekonomia e Kosovës në vitin 2021 përjetoi një rikthim drejt normalitetit pas një periudhe të vështirë që kaloi në vitin 2020 si pasojë e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Rrjedhimisht, krahasuar me vitin 2020, kur ekonomia e vendit funksionoi me kapacitete shumë të kufizuara dhe me një fluks shumë të ulët të vizitave nga diaspora, viti 2021 natyrshëm u karakterizua me një shtim të aktivitetit ekonomik. Ky shtim i aktivitetit ekonomik kryesisht ishte rezultat i pezullimit të masave kufizuese ndaj veprimtarisë së bizneseve, si dhe fluksit të madh të vizitave nga diaspora në Kosovë të cilat u mundësuan pas lehtësimit të masave kufizuese ndaj lëvizjes së qytetarëve ndërmjet shteteve të ndryshme. Prandaj, rritja ekonomike e regjistruar në vitin 2021 nuk mund të konsiderohet si rritje e qëndrueshme, sepse është e bazuar mjaft shumë në efektin e bazës krahasuese si dhe në zhvillime të njëhershme që lidhen me periudhën e pandemisë.

Nacionale: Gjatë kësaj kohe nga shumëkush është rekomanduar zbutja e TVSH-së dhe akcizës për shumë produkte, por qeveria ka heshtur. Pse mendoni se qeveria nuk i ka marrë parasysh këto rekomandime?
Hamza: Sigurisht se Qeveria e Kosovës mund të ketë arsye të ndryshme për marrjen apo mosmarrjen parasysh të rekomandimeve të tilla, por unë konsideroj se komunikimi efektiv ndërmjet Qeverisë dhe organizatave të ndryshme afariste të cilat i parashtrojnë nevojat e bizneseve duhet të jetë një objektiv i rëndësishëm i Qeverisë.
Qeveria duhet të trajtojë me seriozitetin më të lartë çdo kërkesë e cila lidhet me përmirësimin e kushteve për zhvillimin e aktivitetit afarist në ekonominë e vendit. TVSH-ja dhe akcizat e ndryshme, sado që të jenë të rëndësishme për mbushjen e buxhetit të shtetit, ato shpeshherë mund të paraqiten edhe si pengesa të rëndësishme për rritjen e prodhimit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit.

Nacionale: Rritja e çmimeve ka goditur jo pak mirëqenien e qytetarëve. Çka duhet të bëjë qeveria për ta lehtësuar gjendjen e qytetarëve?
Hamza: Presionet inflacioniste që kanë prekur ekonominë e Kosovës pa dyshim se ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e aftësisë blerëse të qytetarëve, sidomos kur kemi parasysh se ende nuk po vërehet ndonjë gatishmëri e sektorit publik dhe atij privat për përshtatje të pagave ndaj normës së inflacionit. Kjo situatë mund të rëndojë edhe më tepër gjendjen edhe ashtu të rënduar të familjeve në vështirësi sociale që varen nga skemat e mbështetjes sociale.
Pavarësisht se burimi i rritjes së çmimeve nuk qëndron në Kosovë, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive dhe më dinamike në hartimin e masave për të mbështetur qytetarët në përballimin e kësaj krize. Në këto kushte, Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë instrumentin e taksave për të zbutur rritjen e nivelin të përgjithshëm të çmimeve në vend përmes reduktimit të taksave ose akcizave që aplikohen mbi produkte që kanë ndikim të rëndësishëm në normën e inflacionit, siç është nafta, si dhe të përdorë instrumentin e shpenzimeve qeveritare për të ndihmuar në ruajtjen e aftësisë blerëse të qytetarëve.

Lajme të ngjashme