Ekonomistët për mungesën e investimeve kapitale: Fukarallëku i Qeverisë po shkakton ‘kapsllëk financiar’ - NACIONALE

Ekonomistët për mungesën e investimeve kapitale: Fukarallëku i Qeverisë po shkakton ‘kapsllëk financiar’

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Opozita dhe ekonomistët vazhdimisht e kanë kritikuar Qeverinë Kurti për përformancë jo të mirë në fushën e ekonomisë. Por, publikimi i një tabela të institutit GAP, e cila tregon se realizimi i investimeve kapitale gjatë këtij viti është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit, ka nxitur reagime të mëdha.

Përfaqësuesi e partive politike opozitë dhe ekonomistët kanë kritikuar qeverinë për shkatërrim të ekonomisë së vendit.

Mungesën e investimeve kapitale në këtë qeveria, ata e kanë quajtur fukarallëku mendor të Qeverisë, e cila, sipas tyre, po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërinë kosovare.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kjo çka po bën Qeveria është keqmenaxhim i parasë publike

“Në numra dhe me pamje grafike, këtë paralajmërim e faktoj Instituti GAP, me përqindjen e frikshme të realizimit të investimeve kapitale në 6 mujorin e parë të vitit 2022: vetëm 9%. Të marrësh taksa dhe kontribute tjera nga qytetarët dhe bizneset, dhe të njëjtat t’i mos i shpenzosh fare, në dobi të qytetarëve dhe bizneseve, është keqmenaxhim me paranë publike, në radhë të parë. Keqmenaxhim i parasë publike është edhe kur kjo para shkon në destinim të gabuar (rastet korruptive dhe klienteliste, edhe në rastet kur nuk ka destinim fare, siç po ndodh tani”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, këto veprime dëmtojnë zhvillimin e ekonomisë së vendit. “Ka një narrativë nga Qeveria, që vazhdimisht thotë që kemi arritur të ndalim ‘gjakderdhjen financiare’ në vend. Në fakt, ‘gjakderdhje’ nuk do të këtë fare, nëse nuk qarkullon ‘gjak. Nëse bëjmë anologji me situatën që e kemi me financat publike, i bjen që ‘gjaku’ i ekonomisë (qarkullimi i parasë) është ndalur së qarkulluari. Nëse flasim me gjuhën e shkencës mjekësore, epilogu është ky: nuk kemi ndalje të ‘gjakderdhjes financiare’, por kemi ‘kapsllëk financiar’”, ka shkruar ai.

Ndërsa, njohësi i proceseve ekonomike dhe politike në vend, Astrit Gashi, ka thënë se tabela e GAP-it rrëzon të gjtihë ministrat e qeverisë.

“Dobët, shumë dobët! Prandaj, ka renë fuqia blerëse, prandaj ka me pak para ne treg, e me pak mirëqene. Ndërkohë qe ka rritje enorme te çmimeve. Kjo statistikë, fatkeqësisht shkarkon të gjithë ministrat, ndërsa është një paralajmërim i keq për efikasitetin e kryetarëve të rinj të komunave që kanë marrë mandatin në fundvit”, ka shkruar ai.

Opozita: Qeveria e ka bllokuar ekonominë

Edhe më të ashpër në reagime kanë qenë subjektet politike opozitare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar zhvillimi i një vendi nuk mund të zbritet në politika të skemave sociale.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo qeveri nuk po lënë asnjë edhe një shenjë në investime kapitale.

Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë. Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane - nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë.”, shkroi Abdixhiku.

Për më tepër, Abdixhiku pohon se qeveria është e zhytur në një “fukarallëk mendor”.

Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji - në pothuajse çdo fushë të jetës publike. Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon.”, ka shkruar Abdixhiku.

Ngjashëm, për këto të dhëna shqetësuese ka reaguar edhe Pal Lekaj, ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Me paaftësinë e saj, kjo Qeveri ka bllokuar shtetin. Kjo ndikon që të kemi ulje të konsumit dhe të fuqisë blerëse e rrjedhimisht edhe rritje të inflacionit”, ka shkruar Lekaj.

Instituti GAP në prezantimin e kësaj tabela ka treguar faktorët që kanë ndikua në rënien e investimeve kapitale. “Rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore dhe politikat qeveritare kanë bërë që realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022 të jetë më i ulëti në dekadën e fundit”, ka vlerësuar instituti.

Lajme të ngjashme