Sulja e Vetëvendosjes ndaj Përparim Ramës, ky ua kthen: Bash në ditën e Kuvendit të LDK-së, interesant - NACIONALE

Sulja e Vetëvendosjes ndaj Përparim Ramës, ky ua kthen: Bash në ditën e Kuvendit të LDK-së, interesant

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pasi Lëvizja Vetëvendosje e ka vënë në shënjetër të sulmeve online. Rama këtë sulm e ka ndërlidhur me ditën e Kuvendit të LDK-së.

“Krejt makineria propaganduese e Vetëvendosjes qenka qu n’aksion kundër meje, sot në ditën kuvendit të LDK-së! Interesant!” – shkroi ai.

VV në Prishtinë përmes "sinjalizuesve" anonimë, dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Përparim Ramës

Asamblistët e Lëvizjës Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, në një konferencë për media, para Prokurorisë Sepciale, kanë deklaruar se do të dorëzojnë kallzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarëve të lartë në këtë komune. Ndonëse, jo fort moti, lideri i tyre, Albin Kurti, nuk u bindej thirrjeve të Prokurorisë Speciale.

Asambleistja e VV-së në Komunën e Prishtinës, Berita Abazi, po pretendon se kanë marrë informata nga një "sinjalizues" anonim për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës.

“Jemi këtu në Prokurorinë Speciale për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës dhe vetë atij, për shkak të një sinjalizimi të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim.

Një grup i asambleistëve të Prishtinës e kemi pranuar një mesazh-email sinjalizues, ku kemi parë mesazhe të shumta ku flitet për legalizime të paligjshme dhe shuma të mëdha parash. Në këto mesazhe, që bisedon me personin tjetër është shefi i kabinetit të kryetarit Rama. Në këto biseda, personi në fjalë, përpos që përmend kompani ndërtimi, përmend objekte ndërtimi, duke pretenduar edhe vetë se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme. Marrë parasysh këtë sinjalizim dhe rëndësinë e kësaj, jemi këtu që të dorëzojmë zyrtarisht kallëzimin penal në Prokurori dhe të kërkojmë hetim dhe veprim të menjëhershëm”, tha asambleistja e VV-së, Berita Abazi.

Ndryshe, VV dhe njerëzit e saj vazhdojnë t’i përdorin dy standarde sa i përket sistemit të drejtësisë në Kosovë, ata u përgjigjen këtyre institucioneve vetëm kur e konsiderojnë “që duhet”.

Shënjestrimi i Përparim Ramës nga VV

Vdekja e një punëtori në vendin e punës, është bërë shkas për akuza e kundërakuza të partive politike. Një i ri, në të njëzetat vdiq të martën pasi ra nga vinçi. Pa u bërë një ditë, vetëm disa orë pas tragjedisë, filluan akuzat. Vetëvendosje fajësoi Ramën, e ky citonte ligjin se mbikçyrja e mjeteve të punës është përgjegjësi e inspektoriatit qëndror. Kulmi i kësaj përplasje u mbërri këtë të mërkurë, kur bashkëshori i U.D. Presidentes, dhe anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, e quajti “vrasës”, Kryetarin e Prishtinës Përparim Rama.

Përplasja e VV-së me Ramën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi ndaj Alban Krasniqit, anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, pasi ky i fundit e ka akuzuar rëndë kryetarin e kryeqytetit duke e quajtur “vrasës”.

Krasniqi e ka bërë këtë reagim në një koment në një postim të Ramës, duke e bërë atë përgjegjës për vdekjen e një punëtori gjatë një aksidenti në një punishte në Prishtinë.

“Jo mirëmëngjesi, por alo prokuroria, o vrasës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në reagimin e tij, Rama ka thënë se gjuha e urrejtjes dhe linçimit është pjesë e identitetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka paralajmëruar padi ndaj Krasniqit dhe personave të tjerë që, sipas tij, kanë shpifur.

“Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi. Shqetësuese është që edhe pas 6 vjetësh në institucionet e Republikës së Kosovës, institucione që dikur i sulmonin dhe i shkatërronin me gurë, molotovë e gaz lotsjellës, ndërsa sot, fatkeqësisht, i udhëheqin, ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave për siguri dhe shëndet në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.

Sipas Ramës, Inspektorati i Kryeqytetit, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, ushtron kompetencat e veta në bazë të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar.

“Prandaj, çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të paditur”, ka shkruar Rama.

Ai ka përsëritur se ndaj Krasniqit dhe personave të tjerë që, sipas tij, kanë shpifur, do të iniciojë padi.

“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni!”, ka shkruar Rama.

Reagimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas aksidentit në një kantier ndërtimi në kryeqytet, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër u lëndua pas një incidenti gjatë montimit të një vinçi.

Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka ndaluar disa persona të dyshuar lidhur me aksidentin.

Lajme të ngjashme