Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së: Fjalimi i Abdixhikut i mbushur me akuza për bashkëpartiakët - NACIONALE

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së: Fjalimi i Abdixhikut i mbushur me akuza për bashkëpartiakët

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Abdixhiku ka përfunduar fjalimin e tij para delegatëve të LDK-së, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm që u thirr për shkarkimin e tij.

Ai ndër të tjera tha se kjo ditë nuk është e lehtë për të.

“Nuk kam qenë as i përkryer e as i pagabueshëm. Por mund të them se asnjë vendim nuk e kam marrë për interesa personale, para atyre të paritësë. Këtë rrugë e kam bërë bashkë me ju, edhe me disa nga ju që sot e keni thirrur këtë Kuvend. Sot mund të kemi dallime të thella, por ato nuk mund të fshijnë rrugën që kemi bërë së bashku. Kjo ditë nuk është e lehtë për mua. Përpara se të jemi kundërshtar, kemi qenë bashkëpunëtor. Para se të ndahemi për një njeri, kemi qenë të bashkuar për një ide.” – tha ndër të tjera Abdixhiku

Imri Ahmeti tund kokën derisa

Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndër të parët që kërkoi shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të kësaj partie, është parë duke reaguar derisa ky mbante fjalim para delegatëve të këtij subjekti politik.

Fjalimi i Abdixhikut ishte kryesisht i mbushur me kritika e akuza ndaj atyre që e kritikuan dhe kërkuan largimin e tij nga udhëheqja e partisë.

Ahmeti është kapur nga kamera e Nacionales duke tundur kokën, derisa Abdixhiku kritikonte disa nga zyrtarët e kësaj partie.

“Cili është ai zell që do ta dërgojë vendin sërish në zgjedhje, e në to të futet LDK me proces të brendshëm zgjedhor, a ju duket se jeni shumë për të larguar dhe shkarkuar, a është kjo trashëgimia politike e Rugovës dhe pasardhësve të tij.

Kur në fushatë refuzohet pjesëmarrja në betejën e partisë, e pas saj kërkohet përgjegjësi, ndjej vetëm keqardhje, dhe nuk mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, teksa fërkon duart për një rezultat të keq, për të nisur sërish refrenin e njëjtë, përgjegjësi i jap vetëm atij delegati që ishte në terren secilën ditë, mbajti barrën e fushatës mbi supe dhe nuk u dorëzua kurrë. Atyre dhe vetëm atyre ua kemi borxh LDK-së, po ashtu jam thellësisht i zhgënjyer me gjuhën publike të zhvilluar nga disa gjatë javëve të fundit, i thonë kulturë institucionale, diçka me të cilën jemi mburrur gjithnjë. Gjuha e urrejtjes, nxitja, e shpifja kundër partisë sonë, nga vetë njerëzit e LDK-së, nuk ka qenë kulturë e as shkollë e mendësisë rugoviane. Nuk akuzohet kryetari i partisë se po ndan pozita ministrore për 355 delegatë, sinqerisht, sa i thellë duhet të jetë mllefi për të shpërfytyruar një raport me dikë që ke ndarë beteja e sfida. Sa larg duhet të ketë shkuar hidhërimi, e dëshpërimi që të shpifësh pa kufi, pa fakt, pa ndjenjë përgjegjësie”, ka thënë ai.

Delegatët tashmë ndodhen brenda sallës e cila do të vendosë për fatin e Lumir Abdixhikut, nën udhëheqjen e të cilit partia ka dalë e treta në tri palë zgjedhje, e që u bë edhe shkas i dy Kuvendeve të jashtëzakonshme për shkarkimin e tij.

Para nisjes së këtij Kuvendi, Armend Zemaj foli shkurt para mediave:

“Asnjë nuk do të ketë tensione, keni parë e dini, edhe delegatët janë përballë me me disa presione t’i quaj kështu më shumë mediatike, në kuptimin pozitiv. Por kjo është demokracia, këtë e promovon vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës”, u shpreh ai.

“Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në parti të tjera, që besoj as në partitë e në vendet e rajonit, andaj kjo është vetëm për fuqizimin e LDK-së dhe asgjë tjetër”, tha ai.

Ndërkohë, Abdixhiku refuzoi të prononcohet, duke thënë se pas përfundimi të punimeve do të mbajë konferencë për media:

“Tash i nisim punimet, do ta mbajë fjalën hyrëse kur përgjigjem për të gjitha çështjen, pasi përfundon Kuvendi kemi konferencë për media.

Për fjalën time, po”, ka thënë ai.

Florian Dushi i LDK-së, një nga iniciatorët e nismës për shkarkim të Abdixhikut, mbrëmë në “Debat Plus” e dha për punë të kryer që Kuvendi zgjedhor i LDK-së i ka votat për të realizuar zhvotimin e Abdixhikut nga karriga e të parit të partisë.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, dhe një nga mbështetësit vokal–ndër edhe të vetmit që e ka bërë publikisht kohëve të fundit–tha të kundërtën, që besojnë në rikonfirmimin e Abdixhikut.

Florian Dushi i dha tri arsye kryesore që e kanë të bërë të paprapakthyeshme nismën për zhvotimin e Abdixhikut: Rezultatet e dobëta zgjedhore, veprimet jostatutare të kryetarit, dhe trajtimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

“Tri zgjedhjet e fundit kanë deklaruar se LDK-ja nuk po rritet dhe kanë filluar debatet, interpretimet rreth rezultatit të dobët të LDK-së”, ka thënë ai.

Ferati, përkundrazi, i qëndron asaj që Abdixhiku “ka ende çka të japë.”

“Mendoj që ende ka çka për t’i dhënë LDK-së dhe mendoj që është një prej kryetarëve që ka qenë jashtëzakonisht aktiv edhe një prej kryetarëve më punëtorë në kuptim të terrenit edhe të riorganizimit e të organizimit të LDK-së për krejt këto vite”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme