Analistët: Abdixhiku ka ndryshuar mënyrën e opozitëbërjes së LDK-së - NACIONALE

Analistët: Abdixhiku ka ndryshuar mënyrën e opozitëbërjes së LDK-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se LDK-ja ka ndryshuar mënyrën e opozitëbërjes. Ata kanë thënë për gazetën Nacionale se në ndryshimin e qasjes së kësaj partia ndaj qeverisë ka ndikuar Lumir Abdixhiku.

Me zgjedhjen e strukturave të reja, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndryshuar edhe mënyrën e opozitëbërjes, kanë bërë me dije analistët politikë.

Sipas tyre, në ndryshimin e opozitëbërajes ndikimin e vete ka pasur kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka deklaruar për gazetën Nacionale se në këtë mandat LDK-ja po bën opozitë me diskurs të LV-së.

Është një mënyrë e të bërit opozitë, pak ma ndryshe se që e kemi pa LDK-në, duke bo opozitë në të kaluarën. Kjo edhe për shkak që Abdixhiku është një profil tjetër prej atyre të mëparshmëve, edhe pse është produkt i garniturës së vjetër të LDK-së. Ai ka zgjedhur të bëj një opozitë jo-konfliktuoze dhe jo shumë të zhurmshme, por në shumë pika ose në shumë çështje, të paktën si e shoh unë, sikur po përpiqet me imitu Vetëvendosjen – jo në veprime, por në diskurs, edhe në qasjen që e ka mbi mënyrën se si po qeveriset”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkaloj ka treguar se opozitarizmi i LDK-së në këtë mandat është i centralizuar tek lideri.

Opozitën e LDK-së më shumë po e shoh të përqendruar tek Abdixhiku, se sa të shpërndarë edhe tek njerëz të tjerë të partisë. Mua më krijohet përshtypja si qytetar, se në njëfarë forme, të gjithë brenda LDK-së nuk duan të flasin – pra po flas për zyrtarët e LDK-së – para se ta thotë fjalën kryetari. Do të ishte mirë që të decentralizohet kjo përgjegjësi, në kuptimin që njerëz të caktuar, që mbajnë pozita në LDK ose që janë deputetë të flasin për çështje të cilat ata janë më kompetent. Kështu, po e shoh njëfarë lloj centralizimi të të bërit opozitë tek emri i Abdixhikut, ndërsa unë besoj që nuk të duhej të ishte kështu”, ka deklaruar Mushkolaj.

Lëvdata për drejtimin e Abdixhikut në krye të LDK-së ka shprehur edhe nga analisti shqiptar, Armando Shkullaku.

Opozitën e Abdixhikut deri tani do ta quaja jo spektakolare si opozitë, por pa gabime deri tani. Nuk ishte spektakolare deri më tash, pra opozita më agresive, më e fortë seç presin njerëzit, më e zëshme, pse jo edhe më e zhurmshme, edhe në kuptimin më obstruktive, edhe më e egër. [Mirëpo] nuk mund të ishte e tillë, për faktin se LDK-ja e tanishme i vetëm 12 % në parlament, pra ka një grusht deputetesh”, deklaroi Shkullaku në emisionin Rubikon.

Sipas tij, rishikimi i gabimeve të së kaluarës që ka bërë Abdixhiku, ishte veprimi i duhur.

Një LDK e tillë, përpara Abdixhikut kishte dy rrugë. Një që të bëhesh agresiv menjëherë, me pushtetin e ri, gjë që nuk do të shkonte. Dhe e dyta ishte që të shikonte nga vetja, kjo nganjëherë është rruga më e vështirë, për të kuptuar gabimet, ku ka gabuar dhe çfarë duhet të ndryshojë”, ka deklaruar Shkullaku.

Ndërsa, analisti tjetër politik Gazmir Raci, ka deklaruar se liderit të LDK-së nuk i mjaftojnë fjalimet e tij në Kuvend.

Nuk mjaftojnë vetëm fjalimet. Duhet të ketë edhe opsione për zgjidhje, por natyrisht që beteja parlamentare duhet të zhvillohet edhe nëpër komisionet e Kuvendit me alternativa për secilën çështje me interes të përgjithshëm. Nuk më ka pëlqyer qasja e tyre ndaj temave nacionale sepse nëse je që për temat nacionale me pas konsensus, atëherë duhet me qëndru besnik ndaj asaj deri në fund. Konsideroj që për dialogun me Serbinë, proceset integruese euroatlantike, çështje të sigurisë duhet të ketë në vazhdimësi konsensus”, deklaroi Raci për gazetën Nacionale.

Sipas Racit, LDK-ja dhe partitë tjera opozitare do të duhej të ndiqnin një kurs tjetër në marrëdhënie mes tyre.

Duhet bashkëpunim opozitar në mes të PDK-së dhe LDK-së për të quar përpara procese te rëndësishme sidomos tani që po ballafaqohemi në krizën ekonomike të çmimeve”, përfundoi Raci fjalën e tij për Nacionalen.

Përplasja e Abduxhikut me LV-në

Ardhja e Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte pritur më entuziazëm në këtë parti. Figura e tij, si politikan i ri me edukim të lartë në fushën e ekonomisë, në një kohë shumë pesimiste solli shpresë brenda strukturave të LDK-së.

Megjithatë, ai ishte kritikuar për faktin se mundësoi zgjedhjen e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes së vendit.

Disa bashkëpartiakë e kritikuan për këtë veprim, duke thënë se ishte shndërruar në instrument të pushteti.

Me thellimin e krizës energjetike dhe krizës së rritjeve të çmimeve, i pari i LDK-së filloi kritikat më të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës.

Paraqitjet e fundit të Abdixhikut në Kuvendin e Kosovës kanë qenë më agresive ndaj Qeverisë dhe kryeministrit Kurti.

Përveç kritikave të shumta, fjalimet e tij, kohëve të fundit, i ka pasuruar edhe me metafora dhe rima, të cilat dikur i përdoret kryeministri Albin Kurti.

Në polemikën e tij më deputeten Mimoza Kusari-Lilaj, muajin e kaluar, ai përdori refrenin e një kënge të njohur. “Më shumë vërehet mungesa e ime se sa prezenca e jote”, iu përgjigj Abdixhiku, deputetes nga radhët e Vetëvendosjes.

Në po të njëjtën seancë, ai pati një debat të ashpër edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Abdixhiku i kërkoi Kurtit, që të jetë mjaftueshëm i guximshëm që t’a bëjë një shenjë ose vijë të vetme – duke aluduar në pazotësinë e qeverisë. “Politikisht je duke shkuar ku kam qef me te pa, veç vazhdo, zgjate Zot. Por për qëllime të vendit, je duke e marrë në qaf një vend të tërë, je duke ia humbur 4 vite duke mos bërë asgjë. Bone bre një vijë, leje një shenjë, merre një masë, bëhu i guximshëm”, deklaroi Abdixhiku.

I ashpër ishte edhe me ndryshimin e qasjes se kryeministrit në raport me dialogun me Serbinë. Duke vënë në pah transformimin e Kurtit, nga periudha e gjendjes në opozitë deri tek Kurti si kryeministër, Abdixhiku ia rikujtoi fjalët e poetit të njohur shqiptar Azem Shkreli.

“Në 2017, në këtë Kuvend, një burrë i madh, Adem Mikullovci e kishte nisë seancën me fjalët e Shkrelit[Azem Shkrelit]. Nëse takohemi me vetën sy më sy, a kemi me u puthë a kemi me u pështy?’ Çfarë do t’i bënte Albin Kurti i 2015-ës, këtij Albinit sot?, deklaroi Abdixhiku në një seancë parlamentare.

Kryetari i LDK-së është i vetmi që ka refuzuar ftesën e Kurti për takim rreth çështjes se vetingut në drejtësi.

Ai edhe dje ishte shumë kritik ndaj kryeministrit. Në seancën e parlamentare, ku po diskutohej rreth Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, ia kërkoi kryeministrit që të mos e votojnë në lexim të parë, duke shtuar që ky ligj të futet tek pakoja e plotë e vetingut në drejtësi.

“Mund t’i ndash këto dy ligje, por atëherë do të veprosh vetë dhe pa mbështetjen e të tjerëve. Rendi e do që të kemi konsultime. Në këtë drejtim kemi kërkuar gjithëpërfshirje. Nëse kryeministri e vendos në votim, vazhdoni ju. Qëndrimin mbështetës e kemi dhënë. Por që reforma në drejtësi të mos e prek Kushtetutën e Kosovës. Jam vullnetar për verifikim të pasurisë. Nëse kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, siç e dha urdhrin, vazhdoni rruga e mbarë iu qoftë”, tha Abdixhiku.

Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021. Në këtë garë, Abdixhiku kishte përballë dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin, Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafën.

Lajme të ngjashme