LDK zgjon diasporën, a po i rikthen votat e humbura? - NACIONALE

LDK zgjon diasporën, a po i rikthen votat e humbura?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka filluar ciklin e vizitave te bashkatdhetarët. Këto vizita, të cilat kanë filluar sot me 7 maj në Zvicër, po realizohen nga Abdixhiku, i cili shoqërohet edhe nga Ekipi Politik për Diasporën.

Këtë të shtunë, tubimi i parë filloi në Zvicër, nga ora 18:00.

“Sonte, së bashku me Ekipin Politik për Mërgatë, me Anton Quni, Sokol Haliti, Armend Zemaj e Shkumbin Gashi, takuam bashkatdhetarët tanë në Grenchen të Zvicrës - në shënim të 32 vjetorit të themelimit të Degës së LDK këtu. Sot, takova njerëz që kanë dhënë kontribut për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe takova njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Takova burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kryetarit të Degës Ahmet Kosumi e anëtarëve të Kryesisë i urova për angazhimin në shtëpinë tonë të përbashkët”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

Mes të tjerash, Abdixhiku ka thënë se në këtë tubim u rikonfirmua entuziazmi që shpërfaq qartazi rikthimin e LDK-së.

“Entuziazmi i jashtëzakonshëm i njerëzve tanë këtu, ishte rikonfirmim i qartë i rikthimit tonë në diasporë. Për mua, për bashkëpunëtorët e mi, pjesëmarrja këtu ishte nder i veçantë. Takimi me njerëzit punëtorë, të drejtë, atdhetarë, patriotë e kontributdhënës të të gjitha kohërave është detyrim politik i lidhjes sonë”, tha i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tutje, Kryetari i Lidhjes Demoraktike të Kosovës ka paralajmëruar se ky është vetëm fillimi dhe se LDK do të angazhohet në mërgatë.

"Lidhja jonë në mërgatë është lidhje e vlerave, e ideve, e kontributit kombëtar - është besëlidhje për një Kosovë që e duam të gjithë. Në mërgatë, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh sepse LDK do të udhëtojë me bashkëatdhetarët tanë në çdo hap të vetin politik. Ky është veçse fillimi", përfundoi Abdixhiku.

Rikujtojmë që këto vizita të Lidhjes Demokratike të cilat filluan sot më 7 maj në Zvicër, do të realizohen nga Abdixhiku, i cili do të shoqërohet nga Ekipi Politik për Diasporën.

Takimet janë pjesë e debatit të gjithëmbarshëm rreth hartimit të Programit Politik të LDK-së “Lidhja për të ardhmen”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Lajme të ngjashme