Obsesionimi me shifra vazhdon: Pas Kurtit, Murati "u hedh hi syve" qytetarëve me bilancin tregtar të vendit - NACIONALE

Obsesionimi me shifra vazhdon: Pas Kurtit, Murati "u hedh hi syve" qytetarëve me bilancin tregtar të vendit

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook në mëngjesin e së dieles, vazhdoi atë që e nisi kryeministri Kurti pak orë më herët; Obsesionimin me shifra.

Kurti, mbrëmjen e së shtunës, përmes një postimi në Facebook, shkroi për “Progresin ekonomik të Kosovës”.

Të thënat e Kurtit për 40 mijë vende pune, 400 milionë investime, etj, shkaktuan reagime të mëdha nga qytetarë dhe analistë të ndryshëm, të cilët kundërshtuan ashpër pretendimet e Kurtit për rritje ekonomike.

Për të mos mjaftuar “40 mijë vendet e reja të punës” të z.Kurti, ministri i Financave, Hekuran Murati, pak orë më pas doli me disa statistika rreth bilancit tregtar të Kosovës.

Sipas ministrit Murati, krahasuar me vitin 2019, bilanci tregtar i Kosovës është përmirësuar ndjeshëm si rezultat i rritjes së eksportit.

Si qëndron e vërteta?

Murati, në postimin e tij në Facebook, tha se raporti eksport-import, nga 1:9 sa ishte në vitin 2019, me rritjen e eksporteve, raporti është përmirësuar në 1:6.

“Në vitin 2019, raporti eksport:import i mallërave ishte 1:9. Pra për çdo euro që mirrej nga malli i eksportuar, nëntë euro mall importoheshin. Me rritjen enorme të eksportit dy viteve të fundit, ky raport është përmirësuar dukshëm dhe aktualisht është 1:6.” – tha ministri Murati.

Për të dalë me këto shifra, z.Murati u kthye 3 vite prapa në kohë.

Madje, Murati në këtë përmirësim të lehtë ( nga 1 me 9 në 1 me 6) të bilancit tregtar, “vodhi” merita edhe nga qeveria Hoti, e cila e mbajti pushtetin për rreth 7 muaj në vitin 2020.

Eksporti mbetet padyshim indikatori më pozitiv në zhvillimin, rritjen e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e punësimit në vend.

Në pothuajse çdo qeverisje, si vend në zhvillim e sipër, eksporti i Kosovës ka qenë vazhdimisht në rritje.

Si vend në zhvillim, natyrshëm që rritja e eksportit zë pjesën më të madhe në mesin e indikatorëve ekonomik që tregojnë rritje.

Megjithatë, Murati nuk tregoi ndonjë politikë konkrete të implementuar në të kaluarën që do të mund të dëshmonin se rritja e eksportit është shkak-pasojë e masave të Qeverisë Kurti II. Ai përmendi vetëm disa masa që pritet të merren në vijim.

Por pse Murati s’po e krahason bilancin tregtar me vitin paraprak?

Përgjigjja është e thjeshtë; Bilanci tregtar i vitit 2022 krahasuar më vitin paraprak(2021) është negativ.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) , të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për (25.3%) në muajin gusht 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 441,9 milion euro krahasuar me deficitin 352,6 milion euro në vitin 2021.

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2022 kishte vlerën 84,8 milion euro, ndërsa importi 526,8 milion euro, është një rritje prej (30.6%) për eksport si dhe (26.2%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Edhe të dhënat e korrikut tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 15.8% në muajin korrik 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 426.1 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 367.8 milion Euro në vitin 2021, në qershor 30.5% deficit tregtar, etj.

Ministri Murati, megjithatë e tha një të vërtetë, eksporti i mallrave ka shënuar rritje enorme kohëve të fundit.

Por ai nuk tregoi edhe aspektin tjetër, që edhe importi i mallrave ka shënuar rritje enorme në vitin 2022 në raport me vitin paraprak, duke bërë që bilanci tregtar i Kosovës të jetë negativ muajve të fundit.

Se Kosova po përballet me deficit të madh tregtar, është përmendur edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku thuhet se importet e mallrave u rritën nominalisht me 26 për qind deri në korrik 2022, duke rënduar deficitin tregtar të Kosovës.

“Përkundrejt rritjes së konsiderueshme të çmimeve, importet e mallrave – që përfaqësonin 53.4 për qind të PBB-së në vitin 2021 – u rritën nominalisht me 26 përqind deri në korrik 2022, duke përkeqësuar më tej deficitin tregtar strukturor të lartë të Kosovës.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Pra, siç e thonë edhe raportet, Kosova ende përballet me sfida të mëdha në sektorin e prodhimtarisë.

Përveç bilancit negativ tregtar, rritja reale e PBB-së pritet të ngadalësohet në 3.1 përqind në vitin 2022 pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat.

Në fund, ministri Murati përmendi disa masa si: 50 milionë euro për subvencionim të produkteve bujqësore, 15 milionë euro për Masën 2.1, mbështetje për kredi investuese, 10 milionë euro mbështetje për eksport dhe çertifikim të produkteve, Mbështetje në rritje të punësimit e ngritjes së kapaciteteve njerëzore, etj, të cilat tha se do të zvogëlojnë hendekun e bilancit negativ.

Lajme të ngjashme