Importet nga Serbia lulëzojnë nën qeverinë Kurti - mbi 1 milion euro në ditë brenda 10 muajve - NACIONALE

Importet nga Serbia lulëzojnë nën qeverinë Kurti - mbi 1 milion euro në ditë brenda 10 muajve

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Kosova mbetet njëra ndër shtetet me deficitin më të lartë tregtar.

Nëse shikohen të dhënat mujore, mund të vërehet një çekuilibër i konsiderueshëm i eksporteve dhe importeve të Kosovës, ku ky i fundit mbetet dukshëm më i madh.

Deficiti, ose vlera më e madhe e importeve se e eksporteve, vazhdoi në muajt në vijim në vlera alarmante, me mbi 4 miliardë euro mallra të importuara gjatë këtij viti.

Për sa i përket importeve, Serbia është një nga vendet me ndikim të konsiderueshëm.

Nëse shikojmë shifrat nga raportet e Tregtisë së Jashtme të Mallrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova në 10 muajt e fundit ka importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 310 milionë euro, që i bie shumë se 1 milionë euro në ditë.

Shifra kaq të larta të importeve nga Serbia vijnë në kohën kur Kryeministër i Kosovës është Albin Kurti, i cili gjatë kohës sa ishte në opozitë, bashkë me aktivistë të tjerë të VV-së kanë kryer vazhdimisht ka kryer aksione për bojkotimin e mallrave serbe.

Aktivistët e VV-së rrokullisnin vazhdimisht maune me produkte që vinin nga Serbia në atë kohë. Lëvizja Vetëvendosje e asaj kohe, madje kishte vendosur edhe ndalime të detyrueshme për mallrat serbe në disa raste.

Më 21 tetor 2011, pamjet e siguruara nga faqja e VV-së në Youtube, tregojnë imazhe të një nga shumë aksionet e aktivistëve të Vetëvendosjes duke rrokullisur një maunë që transportonte material ndërtimor në rrugën Podujev-Prishtinë.

Madje ata nuk hezitonin t'i merrnin vazhdimisht përgjegjësitë për rrokullisjen e këtyre maunëve me mallra serbe.

Madje, partia e Albin Kurtit pati organizuar edhe protesta edhe në dy pikat kufitare me Serbinë: Merdare dhe Dheu i Bardh.

Jo shumë vite më pas, në një realitet të ri, në një kohë kur VV-ja e Kurtit në zgjedhjet e fundit arriti të fitoi mbi 50 për qind të votave, Kosova ka përjetuar vazhdimisht përkeqësim të deficitit tregtar.

Në muajin tetor, sipas ASK-së deficiti tregtar ishte 402.3 milionë euro, duke u rritur 13.0 për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2021 kur ishte 355.9 milionë euro, sipas shifrave më të fundit për tregtinë e jashtme të mallrave në Kosovë.

Krahasuar me të njëjtën kohë të vitit 2021, vlera e produkteve të eksportuara në tetor 2022 ishte 86.4 milionë euro, ndërsa vlera e mallrave të importuara ishte 488.7 milionë euro.

Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin tetor 2022, arritën në 83.2 milion euro, ose 17.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.9 për qind). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0për qind), Shqipëria (4.4për qind), dhe Maqedonia e Veriut (4.0për qind).

Presionet inflacioniste përgjatë gjithë vitit 2022 u shoqëruan me rritje të vlerës së importeve dhe rënie potenciale të të ardhurave të disponueshme në vend, faktorë që vlerësohen të kenë determinuar thellimin e deficitit në neto eksporte dhe ngadalësimin e kërkesës së përgjithshme në vend.

Siç vlerëson raporti i fundit i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, iportet e mallrave u rritën nominalisht me 26 për qind deri në korrik 2022, duke përkeqësuar më tej deficitin tregtar strukturor të lartë të Kosovës.

Përveç rritjes së deficitit tregtar, edhe shpenzimet kapitale mbetën jashtëzakonisht të ulëta me një normë ekzekutimi prej 17 për qind deri në fund të gushtit dhe pothuajse 30 për qind më e ulët se një vit më parë.

Sipas parashikimit të këtij raporti, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2022 pritet të ngadalësohet nën potencialin në 3.1 për qind.

Lajme të ngjashme