Zytarin me aktakuzë të konfirmuar nga Apeli, Kurti e vendos në krye të komisionit për përzgjedhjen e Drejtorit të AQP-së - NACIONALE

Zytarin me aktakuzë të konfirmuar nga Apeli, Kurti e vendos në krye të komisionit për përzgjedhjen e Drejtorit të AQP-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Hysen Muzliukaj, ndaj të cilit Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin për konfirmimin e aktakuzës në një rast ku akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është emëruar nga kryeministri në detyrë dhe i betuar si deputet, Albin Kurti, si kryesues i Komisionit të Pranimit për përzgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP).

Përgaditi: Fatbardha Krasniqi

Ky vendim për ta vendosur Muzliukajn në krye të komisionit është marrë nga Qeveria e Kosovës në detyrë në mbledhjen e 12 gushtit 2026 dhe mban nënshkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Si kryesues i këtij komisioni, Muzliukaj do të bëjë vlerësimin për pozitën më të rëndësishme në prokurimin publik, atë të Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP), raporton Gazeta Nacionale.

Duhet theksuar se Muzliukaj gjithashtu mban pozitën e Drejtorit të Institutit për Administratë, në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, pasi ai vazhdon ta mbajë këtë pozitë pa u pezulluar edhe pas ngritjes së aktakuzës.

Duhet theksuar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, në vazhdimësi bënte thirrje për qeverisje me "duar të pastra". Por, pas ardhjes në pushtet, një praktikë të tillë nuk po e ndjek, pasi vazhdimisht ka emëruar në pozita të ndryshme njerëz që kanë ose dyshohën për afera korruptive, si dhe probleme me ligjin.

Apeli kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Muzliukajt

Gjykata e Apelit, më 20 shkurt 2026, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesave për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Muzliukaj është njëri nga dy të akuzuarit në rastin ku, së bashku me Faruk Mujkën, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, akuzohen për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Çfarë thotë aktakuza e ngritur ndaj tij

Sipas aktakuzës, Muzliukaj, në cilësinë e ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Rasti lidhet me pretendimet e Prokurorisë se prona e propozuar për këmbim ishte paraqitur si pronë komunale, ndonëse, sipas aktakuzës, të akuzuarit e dinin se ajo nuk ishte e tillë.

Mbrojtja e Muzliukajt dhe Mujkës kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që t’i aprovonte ankesat, t’i shpallte provat të papranueshme, ta hidhte aktakuzën dhe ta pushonte procedurën penale.

Megjithatë, Apeli i kishte refuzuar këto kërkesa dhe kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të 16 dhjetorit 2025.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se gjykata e shkallës së parë kishte dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen.

Gjykata kishte theksuar gjithashtu se vendimi për konfirmimin e aktakuzës nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve.

“Fajësia apo pafajësia mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Pra, ndërsa çështja penale ndaj Muzliukajt ende nuk ka përfunduar me një aktgjykim të formës së prerë, ai tash është caktuar nga Qeveria në detyrë për të udhëhequr një komision që do të ketë rol në përzgjedhjen e njërit prej zyrtarëve të lartë të administratës publike./Nacionale

Lajme të ngjashme