Intervistë | Maliqi: Kurti ka frikë nga marrëveshja finale me Serbinë, prandaj po i han tekniket - NACIONALE

Intervistë | Maliqi: Kurti ka frikë nga marrëveshja finale me Serbinë, prandaj po i han tekniket

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Analisti Shkëlzen Maliqi mendon se kryeministri Albin Kurti ka frikë gati paranojake nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Ai ka treguar se kjo frikë vije sepse Kurti e di se për këtë marrëveshje duhet të bëj disa kompromise.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti po i gëlltit marrëveshjet teknike me Serbinë nga frika e marrëveshjes finale.

Ai ka thënë se shefi i ekzekutivit po e bën këtë për të fituar kohë për marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Maliqi ka thënë se Kurti e di që kjo marrëveshje nuk mund të jetë ashtu siç e kërkon.

Sipas tij, Kurti e di që për arritjen e kësaj marrëveshje duhen disa kompromise.

Nacionale: Z. Maliqi, po bëhen dy javë që kanë fillua grevat. Si e keni parë qasjen e qeverisë ndaj sindikatave që kanë filluar një grevë të përgjithshme?
Maliqi: Qeveria Kurti aq shumë ka investuar në bindjen se përfaqëson interesin madhor të kombit dhe se ka një përkrahje mazhoritare absolute, sa që çdo kundërshtim dhe çdo shprehje të pakënaqësisë, përfshi këtu edhe kërkesën sindikaliste për rritjen e pagave, ka prirje t'i sheh si akt armiqësore që e kanë inspiruar forcat politike të “mposhtura”. Ai nuk i dëshiron as që të bisedoj me sindikatat.

Nacionale: Shumë zyrtarë të qeverisë kanë sulmuar sindikatat në mënyra të ndryshme. Çfarë do të thotë kjo për një qeveri të majtë?
Maliqi: Cilësimi dhe vetëcilësimi i Albin Kurtit si i majtë është etiketë arbitrare, dhe si e tillë vihet në sprova në çdo situatë të re, sidomos kur kihet parasysh se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje para do kohe e kanë fshirë nga interneti gjithë arkivën e tyre që deklarativisht, por edhe me përmbajtje dhe angazhime ka qenë e tipareve majtiste. Megjithatë, edhe në vitet e para të VV-së majtizmi ka qenë pjesë e një amalgami i ideologjive jo edhe aq të përputhshme, por të njohura si të tilla nga historia e partive politike që kanë qenë njëkohësisht të majta dhe të djathta. Mënyra e reagimit të zyrtarëve të Qeverisë ka qenë jashtë çdo logjike, madje edhe nevojës së partisë që të ketë kujdes për të mos e zhgënjej një pjesë të elektoratit të vetë. Kjo tregon se ministrat e Qeverisë Kurti janë burokratizuar shumë shpejtë në masën që me arrogancë u përgjigjen kërkesave të pritshme të punëtorëve që janë goditur nga kriza me Covid dhe tani edhe shtrenjtimet e mëdha dhe inflacioni, kështu që kërkojnë nga qeveria paga adekuate për punën që kryejnë dhe jo lëmosh.

Nacionale: Qeveria po i konsideron grevat si armiqësore, ndërsa përkrahësit e grevistëve si njerëz që nuk ia duan të mirën shtetit. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Maliqi: Shikoni, grevat janë përditshmëri në vendet e zhvilluara, edhe ato për sektorët vitale, dhe çdo pushtet duhet të tregojë takt por edhe mjeshtëri të negocimit, që të mos shantazhohet, por edhe që të mos lëndojë ata që kërkojnë kushte më të mira pune ose paga më dinjitoze.
Qeveria e Albin Kurtit po tregohet absolutisht e papërgatitur për pushtet dhe administrimin e vendit duke mos ju përmbajtur edhe parimeve më elementare të tranzicionit të pushtetit që sigurojnë vazhdimësinë e funksionalitetit të shtetit. Në trajtimin e shërbyesve civil ata po tregojnë një mos durim dhe nënçmim gjeneral, sikur të gjitha qeveritë dhe administratat e kaluara kanë qenë të paafta dhe me gabime të mëdha e të pafalshme.
Si në mandatin e parë, i cili zgjati vetëm disa muaj, e edhe në këtë të dytin që tashmë po zgjat një vjet e gjysmë, dikasteret e ndryshme të qeverisë po preokupohen më së shumti me çrrënjosjen e pushtetit të vjetër dhe tentojnë kapjen dhe kontrollin e të gjitha posteve dhe bordeve, edhe të atyre që nuk janë të deleguarit politik dhe staf civil i përhershëm dhe pa arsye të forta as ligji nuk lejon që të largohen nga puna. Shembulli me i dukshëm ka qenë trajtimi i stafit permanent, por edhe atij politik, në Ministrinë e jashtme, ku fare nuk është konsideruar përgatitja, aftësitë dhe puna paraprake dhe pa argumente bindëse janë larguar nga puna edhe ambasadorët dhe stafi më i aftë, e që gjykatat pothuajse në çdo rast i kthejnë në punë dhe damëshpërblejnë. Kjo skemë e shikimit të shërbimeve shtetërore se të kapura nga pushteti i vjetër është vazhdimësi e armiqësimit të krijuar prej vitesh.

Nacionale: Z. Maliqi, së fundi Kosova ka arritur edhe një ujdi me Serbinë, e cila ka bëj me reciprocitet në letërnjoftime. Si e keni parë këtë marrëveshje?
Maliqi: Së fundi u tregua qartë se këto marrëveshja janë identike me ato që i kanë bërë nëgociatorët e pushtetit të vjetër. Edhe nëse nuk kanë dashur që të pranojnë këtë fakt sepse do t' jepnin kredite pozitive Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe të tjerëve që kanë kontribuuar dialogut, përpjekja që ta fshehin të vërtetën e marrëveshjeve, do t'i kthehet Vetëvendosjes si bumerang.

Nacionale: Opozita po e akuzon Kurtin se dialogun me Serbinë e ka kthyer në dialog teknik. A ka ndryshuar diçka kjo qeveri në këtë proces, apo dialogu ka ndryshuar kryeministrin Kurti?
Maliqi: Kurti po gëlltit një nga një marrëveshjet teknike sepse ai ka frikën gati paranojake nga marrëveshja finale, për të cilën e di se nuk mund të jetë ashtu siç e kërkon, por duhet të pajtohet me disa kompromise. Kritika se e ka ulur dialogun në nivel teknik është e saktë, është blerje kohe edhe për Kurtin edhe për Vuçiqin, i cili tmerrohet edhe më shumë nga marrëveshja finale nëse kjo parasupozon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sot e dëgjuam deklaratën e Kris Hillit, mjeshtrit të madh të diplomacisë amerikane, tani jo rastësisht ambasador në Serbi, se s'ka më kuptim dialogu teknik, duhet të kalohet në dialog për marrëveshje finale dhe njohjen reciproke, ku prej Kosovës kërkohet që të formojë Asociacionin e komunave më shumicë serbe. Kurti do te duhej t'i gëlltitë shumë bretkosa të majme që janë rritur në moçalin e kundërshtimit të Zajednicës, si e quante, duke mos e parë si obligim ndërkombëtarë që del nga plani i Ahtisarit që edhe për Kurtin si Kryeministër aktual, mbete akt shtëtëformues. Më mirë do ta kishte nëse do të ulej me ekspertët juridik vendor dhe ndërkombëtarë, që të përgatisë një statut të Asociacionit me vërejtjet e integruara të Gjykatës Kushtetuese. Mos të shkoj i papërgatitur në negociata, por me koncepte që pamundësojnë shndërrimin e Zajednicës në shtet brenda shtetit.

Nacionale: Pas takimit te Brukselit dhe takimeve te emisarëve në Prishtinë dhe Beograd, a mund te themi se ka ndryshuar dinamika e procesit?
Maliqi: Po, shumë. Nuk ka më kuptim të vazhdohet me dinamikë të marrëveshjeve teknike, ato janë gati të gjitha të harmonizuara, vetëm mungon implementimi sepse vonesat shfrytëzohen për të prolonguar dhe bllokuar marrëveshjen e fundi, të njohjes së ndërsjellë, ose një të parafundit, që sërish po përflitet si variant i skenarit të dy Gjermanive, ku Serbia do të lejonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, pa njohjen formale nga ana e saj, por kjo do të ishte relevante vetëm për regjimin serb , dhe jo për ne, dhe do të lëvizte drejt njohjes edhe 5 shtetet të BE-së që po na pengojnë për njohje të Brukselit të BE-së dhe të NATO .

Nacionale: Si duhet të sillet Kosova në këtë fazë ku po kërkohen vendime të vështira?
Maliqi: Qeveria dhe opozita duhet të janë të hapura në kontaktet me faktorët ndërkombëtarë, më SHBA-të gjithsesi, Kryeministri nuk duhet të harrojë episodin e injorimit kur shkoj në ekskursion në SHBA pa i ftuar nga Shtëpia e Bardhë dhe nuk takoj asnjë zyrtarë. Po gabon edhe kur tregon mos respekt ndaj ambasadorit Hill, duke thënë se e ka ambasadorin e vetë në Kosovë dhe nuk pajtohet me vërejtjen e tij se në dialog ka shkuar i papërgatitur.

Nacionale: Shumë shpejtë pritet ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë këshilltaret e kancelarit gjerman dhe presidentit francez. A do të thotë kjo se i jemi ofruar marrëveshjes finale?
Maliqi: Jo vetëm kjo vizitë por gati çdo ditë kemi vizita emisarësh dhe përgatitje konferencash të reja ku pos Gjermanisë dhe Francës, ka edhe emisarë të tjerë që bëjnë presing për marrëveshje finale. Besoj se hapi i radhës do të jetë afatizimi i procesit, që të thuhet marrëveshja duhet të arrihet deri në fund të vitit ose deri në pranverë të vitit 2023. Lufta në Ukrainë e tani edhe nxitja propagandistike e Moskës e përgatitjes së një luftë të re në Ballkan me epiqendër çështjen e Kosovës, në kancelaritë perëndimore po merren si alarm për veprim, të mos lejohet destabilizimi i rajonit. Kosova nuk duhet të pret më, rrethanat janë tash të favorshme, i hymë procesit deri sa po zgjat lufta në Ukrainë, nëse ajo ndalet ndoshta nuk do kishim këtë mobilizim të diplomacisë perëndimore për univerzalizimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Nacionale: Z. Kurti vazhdimisht ka qenë skeptik ndaj këtij procesi. Besoni se ai e ka guximin e duhur për ta nënshkruar marrëveshjen finale me Serbinë?
Maliqi: Shpresoj se ka mësuar diçka nga qasja pragmatiste në politikë dhe diplomaci dhe se nuk mund të mbetet subjektiv dhe idealist koti si për shumë gjëra që ka thënë se janë kredo të palëvizshme dhe të pandryshueshme të bindjeve të tija, dhe pastaj i ka harruar ose i fsheh diku në ndërgjegjen e tij prej politikani dhe mendimtari që pretendon se gjithnjë ka të drejtë e asnjëherë nuk pranon se ka gabuar për qindra zotimet të mëparshme, dhe i fut nën tepihë të dhomës së punës me shumë libra dhe citate poezish që i mban parasysh me stikera, se mos helbete po i duhen për fjalime me zotime të reja, të cilave nuk do t’i përmbahet.

Lajme të ngjashme