Intervistë | Rashiti: Mos të frikësohemi, kompromisi me Serbinë s’e cenon shtetësinë - NACIONALE

Intervistë | Rashiti: Mos të frikësohemi, kompromisi me Serbinë s’e cenon shtetësinë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Agresioni rus në Ukrainë ka krijuar një mundësi të re për marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Drejtori Ekzekutiv i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, ka deklaruar se këtë momentum Kosova duhet ta shfrytëzojë. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të frikësohet nga ndonjë kompromis në këtë proces. Sipas tij, kompromisin Kosova duhet të bëjë për të ardhmen, jo për Serbinë

Drejtori Ekzekutiv i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, ka vlerësuar se Kosova duhet të tregohet e guximshme në dialogun me Serbinë. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se kompromiset e deritashme nuk e kanë cenuar shtetësinë e Kosovës. Sipas tij, kompromiset e nevojshme Kosova duhet t’i bëjë për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Evropës, jo për Serbinë.

Rashiti ka bërë me dije se qeveria dhe shoqëria kosovare duhet hapur të diskutojnë për alternativat më të mira për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një e tillë, ka thënë ai, do ta forconte pozicionin e Kosovës në dialogun e Brukselit. Rashiti ka treguar se për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare do të kërkohen kompromise.

Nacionale:

Z. Rashiti, po bëhen dy vjet që në dialogun me Serbinë nuk është arritur asnjë marrëveshje e re. Cili është vlerësimi juaj për dinamiken e këtij procesi?

Rashiti:

Periudha e gjatë e dialogut dhe kriza e këtij procesi në vitet e fundit na tregon dy mësime. Së pari, që dialogu i stërzgjatur jo domosdoshmërisht gjen zgjidhje më të mira, dhe dialogu kërkon një rivendosje strategjike që nënkupton se dialogu duhet të bëhet për marrëveshje të plotë për normalizim. Koha është kritike dhe zhvillimet globale nuk presin, sepse herë kemi me pasë zhvillime pozitive e herë negative, të cilat kanë me shku herë në favor të Kosovës e herë ne dëm të Kosovës.
Mësimi i dytë kryesor është, që sado që janë të mira marrëveshjet, nëse nuk implemetohen, ato bëhen pengesë dhe burim i krizave. Disa nga marrëveshjet, siç është IBM, tabelat, lëvizja e lirë kanë qenë shumë të mira në fillim, por janë vonuar në implemtim dhe siç e kemi parë vitin e kaluar, janë bërë burim i mosmarrëveshjes, apo siç po e shohim sivjet, janë burim i tensioneve të reja dhe po e bëjnë dialogun edhe më të vështirë. Këto janë dy mësimet kryesore, pra që të mos mbesim peng i kohës, por duhet të kërkojmë dinamikë të re.

Nacionale:

Ju vazhdimisht e keni monitoruar procesin e dialogut. Si e shihni qasjen e Qeverisë Kurti ndaj këtij procesi?

Rashiti:

Kryeministri Kurti i ka publike qëndrimet e tij se nuk i ka pëlqyer format e dialogut që është bërë derisa LV-ja ka ardhur në pushtet. Dhe nuk i pëlqen fakti që merret me disa mbetje dhe vazhdimësi të dialogut te kaluar. Ai kërkon një lloj riformatimi apo ripozicionimi në dialog për marrëveshjen përfundimtare.

Nacionale:

Besoni se është e arritshme kjo?

Rashiti:

Besoj se kjo është e arritshme, por me një lloj fleksibiliteti tjetër, ku krahas dialogut për marrëveshjen përfundimtare do të zgjidhen disa nga çështjet e mbetura të dialogut dhe të punohet në disa nivele. Duke insistuar që në nivelet më të larta të kërkohet një formë e re e dialogut në Bruksel, me përfshirjen edhe të kryeqyteteve kryesore. Kosovës i duhet një dialog në Bruksel që krahas Lajçakut do të jenë përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, SHBA-së dhe Britanisë.
Se dyti, krahas kësaj të bëhet nja angazhim ndërinstitucional për implemtimin e disa marrëveshjeve, përfshirë këtu tabelat, marrëveshjen për energjinë dhe IBM. Dhe tre, të kemi një kontekst vendor me të avancuar për të ofruar zgjidhje dhe alternativa për marrëveshjet të cilat nuk iu pëlqejnë.

Kosova nuk mund të mbetet në debatin e verbër rreth asociacionit, por duhet të dalë me alternativa së paku në nivelin e analizës politike dhe juridike, se çfarë është modeli më i mirë që e përmbyll shtetësinë e Kosovës, e rregullon integrimin e gjithë minoriteteve dhe i hap rrugë të drejtës së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Parneritetin për Paqe dhe në NATO.

Nacionale:

Cili do të ishte modeli më i mirë?

Rashiti:

Një prej opsioneve ka qenë që të shohim se a kemi nevojë për dy të tretat e serbëve për terë sistemin kushtetues të Kosovës, a kemi nevojë të mendojmë për një asociacion të komunave me shumicë serbe për terë komunat, apo ai të lokalizohet vetëm në veri, a kemi nevojë të krijojmë një asociacion asimetrik mes jugut dhe veriut për komunat, apo të formave të ndryshme të autonomive kulturore.

Por, e rëndësishme është që në nivel shoqëror, politik dhe institucional, duhet të kemi guxim t’i elaborojmë këto alternativa. Sepse këto do ta vendosin vendin në një avantazh shumë më të madh.
Kështu që, duhet te kemi një agjendë të guximshme politike që guximshëm Kosova shkon për të gjetur zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Mendoj qe momentumi i krijuar pas luftës në Ukrainë, kërkon edhe përshpejtimin e kësaj agjende.

Nacionale:

Duke i parë udhëheqësit institucionalë dhe ata opozitarë, mendoni se Kosova e ka këtë guxim?

Rashiti:

Kjo është një temë që duhet të këtë guxim politik. Nga pikëpamja ndërkombëtare, Kosova është vërtetë shtet, i cili vetvetiu duhet të marrë vendime për të ardhmen e saj. Por, për të cilën ka vullnet ndërkombëtar, sidomos amerikan, për ta ndihmuar Kosovën. Mirëpo Kosova duhet të jetë prijëse e këtij procesi. Herët a vonë do të duhet që çdo proces i dialogut me Serbinë, por edhe për çështje tjera do të kërkohen kompromise. Kompromise do të kërkohen edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës, në NATO dhe BE. Ashtu siç e kemi parë të vendet tjera, do të na kërkohen kompromise përtej qeverive, të cilat do të kërkojnë guxim politik. Ky guxim duhet të vijë sa më parë që është e mundur nga gjithë spektri politik dhe institucional, sepse vonesat nuk i zvogëlojnë nevojat për kompromise, apo ndryshimet politike dhe juridike. Shikojeni Maqedoninë e Veriut, ka pritur gati 20 vite dhe prapë është dashur t’i bëjë kompromiset e njëjta që i ka pasur në tavolinë qysh në fillim. Gjithashtu, Kroacia ka bërë kompromise për integrim në NATO dhe BE. Shqipëria ka bërë kompromise, sikurse Mali i Zi që po bën kompromise për integrim. Neve do ta na bien hise disa kompromise më të mëdha, për shkak të konfliktit me Serbinë, por që do të jenë kompromise të cilat çuditërisht elita jonë politike dhe institucionale nuk di t’i bëjë, siç ishte rasti me Kodin Civil.

Nacionale:

A do të thotë se Kosova duhet të jetë e gatshme të bëjë kompromise për të ardhmen, për integrim në KE, në NATO dhe jo për Serbinë?

Rashiti:

Me shumë saktësi. Çdo agjendë dhe kompromis deri më tani është bërë për të konsoliduar të ardhmen. Dhe sërish do të bëhet për të konsoliduar të ardhmen. Edhe kompromisi i Ahtisarit ka qenë për pavarësinë e Kosovës, jo për Serbinë. Nëse shohim asgjë nuk po përfiton Serbia nga kompromisi i Ahtisarit. Ajo po manipulon politikisht, por si shtet, si shoqëri, Serbia nuk po përfiton asgjë. Pra, çdo kompromis që do të bëhet, do të bëhet për të ardhmen e Kosovës, dhe aspak nuk ka të bëjë me Serbinë.
Procesi i dialogut, procesi i kritereve që do t’i kemi për anëtarësim në KE, në NATO, i bashkëpunimit rajonal, janë procese politike, për të cilat do të përmbushim kritere politike, përtej një liste të gjatë të kritereve teknike.
Të gjitha këto do të bëhen për të konsoliduar shtetësinë e Kosovës për të jetuar këtu me mijëra vjet në të ardhmen.

Nacionale:

Në të gjitha këto procese po i kërkohet Kosovës diçka. Çka duhet të bëjë Kosova për t'u larguar nga ky pozicion defanziv?

Rashiti:

Tani ka ndryshuar radhitja e agjendave, e cila është më e mirë, më e qartë, por jo domosdoshmërisht më e lehtë. Deri para një viti ne kemi folur për një agjendë vertikali, që do të shkojmë drejt dialogut dhe anëtarësimit në OKB. Tani na u kanë bërë disa agjenda paralele. Tani anëtarësimi në OKB ka ra nga lista. Për atë më dialogu nuk e ka peshën kryesore. Tani kemi disa agjenda shumë më të përafruara. Këshillin e Evropës dhe NATO, këto i kemi dy agjendat prioritare.
Pra, kemi një listë të agjendave paralele të cilat kërkojnë veprime një pas një dhe për secilën. Këto agjenda kanë disa ndërlidhje në mes veti, siç janë zhvillimet e brendshme, aleancat, avokimi, politika e jashtme dhe dialogu me Serbinë. Të gjitha këto duhet t’i shërbejnë njëra-tjetrës njëkohësisht dhe kjo kërkon resurse politike. Ne shpesh kemi treguar se nuk i kemi këto kapacitete politike.

Tani në Perëndim ka veshë shumë më të mëdhenj për të dëgjuar Kosovën, por ka edhe kërkesa më të mëdha për Kosovën. Kjo është e logjikshme. Ne do ta shohim, brenda vitit besoj, ku do të kemi një listë të gjatë të kritereve për anëtarësim në KE, një listë të gjatë të kritereve për përafrim me NATO-n.
Vetëm një vendim i madh gjeopolitik dhe gjeostrategjik i Kosovës në aspektin që përcaktohemi për këtë rrugë dhe do të zbatojmë çfarëdo kriteri që na vendoset, do të mund të hapet rruga dhe të konsolidohen këto agjenda. Nëse nuk veprojmë kështu, ka rrezik që të na vendosin në një status quo të re, e cila do të jetë e dëmshme. Këtë do ta shohin deri vitin e ardhshëm, se a po ecin drejt këtyre zhvillimeve të reja, apo jo.

Nacionale:

A po i bie që Kosova patjetër duhet të bëjë kompromise?

Rashiti:

Po. Dialogu është një prej instrumenteve për t'i plotësuar kriteret për anëtarësim në Këshill të Evropës, e kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshjet e reja, por ka të bëjë me një marrëdhënie të mirë që Serbia të mos lobojë kundër Kosovës. Kjo kryesisht ka të bëjë me implemtimin e marrëveshjeve dhe të tregohemi kreativë, duke gjetur mundësitë që të akomodojmë sa më mirë komunitete. Këtë duhet ta bëjmë për interesa tona, jo për Serbinë. Me impletimin e këtyre marrëveshjeve, i mbeten shumë më pak instrumente Serbisë në raport me Kosovën. Në këtë drejtim Kosova duhet të tregohet kreative. Por, për këtë kreativitet do të jetë vështirë të flasin nëse nuk duam kompromis me Serbinë.

Nacionale:

Edhe zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe të BE-së gjatë vizitave në Kosovë kërkuan kreativitet nga Kosova, sidomos në raport me formimin e Asociacionit. Çka nënkupton kjo?

Rashiti:

Një prej gabimeve që është bërë në dialogun e mëhershëm është fakti se asociacioni na është vendosur herët në proces të normalizimit me Serbinë. Duhet ta vendosim asociacionin krahas marrëveshjes përfundimtare. Një prej ideve mund të jetë pajtimi për parimet e asociacionit, sepse statuti duhet të bëhet nga institucionet e Kosovës.
Çështja tjetër mund të jetë që asociacionit t’i bëhet një statut vendor me një formë të thjeshtë si një bashkësi e komunave, dhe pastaj formalizimi i plotë i kompetencave të tij të bëhet me marrëveshjen finale. Pra, Kosova e mbjell farën, por ajo do të rritet me marrëveshjen finale. Politika dhe shoqëria duhet të shkojë përtej bisedimeve formale dhe të kërkojnë opsione që janë strategjekisht më të mira për Kosovën. Pra, të shihet se cili është asociacioni më i mirë për Kosovën. A është më mirë një asimetri në mes komunave në veri dhe jug për asociacionin, apo mund të këtë rishikim më të thellë kushtetues për të drejtat e komunitetit serb. Mendoj se Kosova duhet të këtë guxim ta bëjë këtë, sepse nuk do të humbë.

Nacionale:

Sa jeni optimist se mund të bëhet kjo?

Rashiti:

Nuk duhet t’i mungojë guximi dhe nuk e besoj që ka kundërshti ndërkombëtare nëse marrim këtë si një qasje proaktive drejt zgjidhjes përfundimtare. Kosova duhet të bëjë luftë për qëllimin e madh, marrëveshjen finale me Serbinë. Jam i bindur, e them këtë me përgjegjësi intelektuale, që kjo do të ndodhë në një fazë. Frustrimi im për gjithë këtë periudhë të dialogut është se pse nuk e bëjmë tani, por humbin 10-15 vite. Do ta shohim se asgjë nuk do ta cenojë shtetin e Kosovës, aq më pak e cenon shtetësinë kur me këto instrumente të reja bëhet anëtare e KE-së dhe anëtare e NATO-s. Në fakt, kur bëhet anëtare e NATO-s ia humb peshën njohjes nga Serbia. Në një aspekt, mendoj unë, se duhet të fokusohem se çfarë dialogu duhet të bëjmë me Serbinë për t'u bërë anëtar i NATO-s. Sepse në këtë mënyrë zhveshin rolin e Serbisë në rajon.

Nacionale:

Zvarritja e këtij procesi, çfarë konsekuencash do të shkaktonte?

Rashiti:

Nëse vonohemi, do të bëhet më e vështirë, ne e pamë se u bë më e vështirë. Tani erdhi një mundësi e re, sepse deri para 24 shkurtit ishte shumë vështirë. Në aspektin e qeverisjes e kemi parë se përgjegjësi e këtij kryeministri dhe kryeministrave tjerë ka qenë dhe është dialogu. Dialogu nuk duhet të jetë lajmi kryesor. Dialogu duhet të bëhet fuqishëm që sa më pak të bëhet lajm dhe sa më pak të jetë brengë e shoqërisë sonë. Ky vit është një mundësi e mirë për marrëveshjen finale me Serbinë. Çdo fazë para një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë është brilante për Kosovën. Sepse atëherë do të jetë fokusi atje. Atëherë, Gjermania do të shikojë kah marrëveshja Rusi-Ukrainë. Ne nuk e përcaktojnë dinamikën e marrëveshjes, ne e përcaktojmë vendosjen e Kosovës në një agjendë tjetër në Bruksel, Uashington, Paris e Berlin. Pra, ne e përcaktojmë një dinamikë të re, ne nuk e përcaktojmë fatin e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme