A është e gatshme Qeveria Kurti të ndjek dinamikën e re të BE-së dhe ShBA-së në dialog? - NACIONALE

A është e gatshme Qeveria Kurti të ndjek dinamikën e re të BE-së dhe ShBA-së në dialog?

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Rrethanat gjeopolitike në Evropë kanë bërë që dialogu Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve të merret me seriozisht nga ndërmjetësuesit. Koordinimi i ri në mes të SHBA-së dhe BE-së për arritjen e një marrëveshje finale në mes të dy shteteve ka futur procesin në një dinamikë të re.

Takimet e palëve në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd janë shtuar.

Monitoruesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë bërë me dije se në këtë fazë Kosovës i duhet unifikim i spektrit politikë, ndërsa opozita është shprehur skeptike nëse Qeveria është e gatshme ta ndjek ritmin e ri të procesit.

Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë për gazetën Nacionale se dinamika e re përshpejton arritjen e marrëveshjes finale.

Ndikimi i parë i këtij bashkërendimi është rritja e dinamikës së dialogut. Tash po shohim efekte të menjëhershme në dialog, që kanë munguar për një kohë të gjatë. Dhe mendoj që kjo është pozitive meqë e përshpejton arritjen deri te marrëveshja finale. Është tejet e rëndësishme që ShBA-të janë përshirë në mbështetje mjaft aktive të dialogut. Kjo krijon siguri për mbarëvajtjen e procesit, garancë për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes, si dhe e fuqizon pozicionin e Kosovës në të”, ka deklaruar ai.

Ymeri ka vlerësuar se dinamika e re e ka bërë më serioze Qeverinë e Kosovës në proces. “Qeveria e Kosovës duket se ka filluar ta trajtojë dialogun me seriozitet, gjë e cila nuk ka qenë e vërtetë më herët. Që prej fillimit të këtij viti kemi hyrë në një situatë të ndjeshme gjeopolitike e të sigurisë edhe në rajon për shkak të invazionit rus në Ukrainë. Kjo e ka rritë nevojën për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për intensifikimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në dobi të paqes, mirëqenies e bashkëpunimit. Shtytësit më të fuqishëm të këtij bashkëpunimi janë ShBA dhe BE. Këtë duhet ta kuptoj Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe forcat politike në vend”, është shprehur ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, i cili prej vitesh ka monitoruar këtë proces, ka thënë se Qeveria dhe opozita duhet t’i unifikojnë qëndrimet.

Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se pozita dhe opozita e kanë për detyrë që ta nxjerrin Kosovën nga pozita defenzive. “Qeveria, por dhe partitë politike e institucionet tjera relevante, duhet të ndjekin një strategji e cila e nxjerr Kosovën nga pozita defensive, pozitë e cila është filluar me qeveritë pararendëse, e së cilës është duke i kontribuar dhe më shumë qeveria aktuale. Kryeministri nuk duhet të tregohet mospërfillës ndaj nevojave, urgjencës dhe impaktit që ka ky proces”, është shprehur ai, duke shtuar se shefi i ekzekutivit duhet ta kuptojë se zvarritja e procesit nuk i leverdisë Kosovës.

Ai duhet të demonstrojë përkushtim dhe fuqi e lidership, që kërkohen në procese si pajtimi dhe arritja e normalizimit të marrëdhënieve mes dy popujve që kanë dalë nga lufta. Sjellja “tërhiqe e mos e këput” nuk është as e favorshme e as e duhura për Kosovën. Qeveria, por edhe partitë politike duhet të kenë orientim dhe strategji për përmbylljen e dialogut, daljes nga ky proces apo ndryshimit të formatit të tij. Veç fotografitë dhe pjesëmarrja në tryezën e dialogut të Brukselit nuk janë të mjaftueshme e as të mençura për Kosovën”, ka deklaruar Ymeri.

Opozita skeptike

Partitë opozitare e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen që po ndjek në dialogun me Serbinë.

Përfaqësuesit e këtyre partive politike janë shprehur skeptik se Qeveria e Kosovës është e gatshme për dinamiken e re të procesit.

Sipas tyre, për marrëveshjen finale me Serbinë duhet energjie dhe kapacitete të reja.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për gazetën Nacionale se opozita po mundohet që ta shtyjë kryeministrin drejt marrëveshjes finale me Serbinë.

Ne duam ta shpiem në atë rrugë, sepse fatkeqësisht dialogu ka degraduar në riciklim të marrëveshjeve tashmë të dakorduara dhe ka rrëshqitur në një proces teknik, i cili në fund do të përfundojë një status quo të re. Kryeministri duhet të mësojë nga trashëgimia jonë në dialog, të mësojë nga gabimet që i kemi bërë. Pra, ne kemi provuar që përmes marrëveshjeve teknike ta zgjidhim problemin politik. Mirëpo, marrëveshjet teknike ndonëse kanë dhënë rezultatet e tyre, e kanë edhe limitin e tyre. Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se tani Kosova ka një mundësi të artë për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

Ne besojmë se tani e kemi një mundësi të artë, sepse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar shumë në favor të Kosovës. Sot Serbia nuk është aq e fuqishme siç ka qenë para 10 vitesh, sepse ndikimi rus ka rënë”, ka thënë ajo.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, beson se Qeveria Kurti nuk është e përgatitur për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Ai ka thënë se qeveria ka pasiguri dhe ka mungesë kapacitetesh për këtë proces. “E di që në atë format që sot është qeveria ka pasiguri, ka mungesë kapacitetesh. Dhe fundja arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk mund të bëhet në kapacitete e sotshme që ka qeveri. Sepse po dëshmohet se asnjë marrëveshje nuk është negociuar deri me sot, asnjë takim nuk ka rezultuar me sukses dhe me efekt të një marrëveshje eventuale. Deri me tani janë marrë me implemtim të një marrëveshje”, është shprehur Haziri, duke shtuar se për këtë proces qeveria në mënyrë urgjente duhet të hapet për një dialog të brendshme.

Ky dialog, sipas Hazirit, duhet të përfshijë opozitën dhe shoqërinë civile.

Edhe shoqëria civile e ka rolin e vet. E kanë edhe institucionet tjera shtetërore e kanë rolin e vet. Sepse nuk mundet askush, as tash dhe as më herët, nuk ka qenë e mjaftueshme që një subjekt me e kryej vetë”, është shprehur ai.

Këshilltaret gjerman dhe francez zbresin në Kosovë

Për të kontribuar në përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes finale në mes të dy shteteve, këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do ta vizitojnë Kosovën më 9 shtator.

Bashkë me Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë për gazetën Nacionale se këshilltarët e Scholz dhe Macron, gjatë vizitës do të takojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Mund të konfirmoj se vizita e emisarit Lajcak së bashkuë me këshilltarët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman do të jetë më 9 shtator. Ata do të vizitojnë së bashku Beogradin dhe Prishtinën, si dhe do të mbajnë takime të ndara me presidentin Vuciq dhe kryeministrin Albin Kurti.”, ka thënë ai.

E kjo vizitë po bëhet për përparim në dialog.

Qëllimi i takimeve do të jetë përparimi në procesin e dialogut”, shtoi Stano.

Të dielën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të cilët i kërkojnë Kurtit vendime të vështira. “Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë. Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik.”, është thënë në letrën e tyre, ku tregojnë se kanë angazhuar edhe këshilltaret e tyre në këtë proces.

Kërkesën e dy udhëheqësve të fuqishëm të Evropës e ka komentuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës për këto bisedime. “Është shumë më rëndësi që dritarja e ofruar në dy vitet e ardhshme ku nuk ka interneco politike, qoftë në Kosovë, Serbi por edhe në vende tjera, duhet të shfrytëzohet në maksimum në mënyrë që të arrijmë një zgjidhje finale. Si Kurti dhe Vuçiq janë zgjedhur si liderë të pakontestueshëm të vendeve të tyre dhe Scholzi dhe Macroni shkon në këtë drejtim që tregon se është mirë që në këtë periudhë të merren vendime të mëdha. Për neve vendimi i madh është përfundimi i marrëveshjes finale me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë ai, gjatë vizitës që ka pasur dje në Luginë të Preshevës.

Pas takimit të 18 gushtit në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, Prishtinën dhe Beogradin e kanë vizituar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo vizitë ka ndikuar që Serbia dhe Kosova t’i ulin tensionet dhe Serbia të heq dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje dhe dalje për qytetarët e Kosovës që hyjnë në Serbi.

Lajme të ngjashme