Intervistë | Çitaku: Le ta sjellin në Kuvend marrëveshjen me njohje reciproke, PDK-ja do ta votojë me solemnitet - NACIONALE

Intervistë | Çitaku: Le ta sjellin në Kuvend marrëveshjen me njohje reciproke, PDK-ja do ta votojë me solemnitet

1 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka treguar se pse kjo parti ka refuzuar ftesën e kryeministrit për takim. Ajo ka thënë se takimi është pa substancë dhe nuk ka karakter informimi. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çitaku ka vlerësuar se përmes takimeve të tilla kryeministri po dëshiron spektakël të panevojshëm.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, është zotuar publikisht se PDK-ja do ta votojë në Kuvend marrëveshjen finale me Serbinë, e cila përmban njohjen reciproke.

Ajo ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që sa më shpjet ta sjellë në Kuvend këtë marrëveshje.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Çitaku ka thënë se Qeveria duhet ta lë anash riciklimin e dialogut teknik dhe të merret me marrëveshjen finale.

Kryeministri vetëm le ta sjellë në parlament marrëveshjen finale, e cila në qendër ka njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe po zotohem publikisht që Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë atë marrëveshje me solemnitet. Vetëm le të na sjellë në Kuvend marrëveshjen me njohjen reciproke. Sepse ne e duam Kosovën më shumë sesa që mund të kemi hatërmbetje me njëri-tjetrin, apo konkurrencë me njëri-tjetrin”, ka thënë Çitaku.

Ajo e ka vlerësuar si të gabueshme qasjen e Qeverisë Kurti për t'u marrë me dialog teknik.

Sipas saj, kryeministri tashmë është shndërruar në një noter të marrëveshjeve që janë nënshkruar më herët.

Ne duam ta shpiem në atë rrugë, sepse fatkeqësisht dialogu ka degraduar në riciklim të marrëveshjeve tashmë të dakorduara dhe ka rrëshqitur në një proces teknik, i cili në fund do të përfundojë një status quo të re. Kryeministri duhet të mësojë nga trashëgimia jonë në dialog, të mësojë nga gabimet që i kemi bërë. Pra, ne kemi provuar që përmes marrëveshjeve teknike ta zgjidhim problemin politik. Mirëpo, marrëveshjet teknike ndonëse kanë dhënë rezultatet e tyre, e kanë edhe limitin e tyre. Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se tani Kosova ka një mundësi të artë për të arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

E dyta e PDK-së ka vlerësuar se tani rrethanat gjeopolitike janë në favor të Kosovës.

Ne besojmë se tani e kemi një mundësi të artë, sepse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar shumë në favor të Kosovës. Sot Serbia nuk është aq e fuqishme siç ka qenë para 10 vitesh, sepse ndikimi rus ka rënë”, ka thënë ajo.

Sa i përket asociacionit, ajo ka thënë se qeveria e ka udhërrëfyesin për themelimin e tij. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si udhërrëfyes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë ajo.

Kryeministri po dëshiron spektakël

Nënkryetarja e PDK-së ka treguar arsyet se pse kjo parti ka refuzuar ftesën e kryeministrit për takim.

Ajo ka vlerësuar se përmes këtyre takimeve kryeministri po dëshiron të krijojë spektakël të panevojshëm.

Ne nuk besojmë që Kosovë ka nevojë të prodhojë shou mediatik të panevojshëm. Ky takim nuk ka asnjë lloj substance, sepse kryeministri na ka ftuar që të diskutojmë, të shprehen me fjalë të popullit, për borën që ka rënë parvjet. Marrëveshja për të cilën na ka ftuar kryeministri që të diskutojmë është marrëveshje që është dakorduar më shumë se një dekadë, të cilën e kemi mbështetur edhe atëherë, e mbështesim edhe sot. Shumë mirë që kryeministri po e mbështet tani”, ka deklaruar ajo.

Numri dy i PDK-së është shprehur se kjo parti është e gatshme të takohet me kryeministrin vetëm për marrëveshjen finale.

Ne mbesim të hapur që të na ftojë për të diskutuar marrëveshjen finale, e cila ka në qendër njohjen e reciproke, ne do të jemi aty. Ne e kemi thënë vazhdimisht se jemi të shqetësuar që dialogu tashmë ka degraduar në riciklim të marrëveshjeve të dakorduar më herët dhe ka rrëshqitur në një proces teknik, siç ka qenë dekada më herët. Ky është momenti për një marrëveshje finale me njohjen reciproke në qendër, e jo të flasim me marrëveshje që janë bërë më herët”, është shprehur ajo.

Sipas saj, PDK-ja nuk ka nevoje për shfaqjet që po kërkohen nga kryeministri i Kosovës.

Ne nuk kemi nevojë për spektakël e as për shou. Sepse ne nuk kemi qenë asnjëherë parti populiste, ne jemi parti që kemi marrë vendime të drejta vazhdimisht. Ne nuk kemi nevojë të simulojmë një unitet sa për sy e faqe, ne jemi sinqerisht në mbështetje të dialogut, jo sa për sy e faqe, apo për një fotografi me kryeministrin. Ne jemi në mbështetje të një marrëveshjeje finale. Nuk kemi nevojë të prodhojmë shfaqje të panevojshme. Nuk ka krizë në Kosovë”, ka deklaruar Çitaku, duke shtuar se ky takim nuk ka karakter të informimit për partitë opozitare.

Për informim jo se jo. Ne si parti politike jemi informuar nga ndërmjetësuesit Escobar dhe Lajçak, të cilët nga Brukseli erdhën në rajon, ndërkohë që kryeministri ishte diku në pushim. Ne jemi njoftuar për më tepër që nuk kishte asgjë të re në marrëveshje, sepse është i njëjti tekst që është dakorduar dekada më herët, që tani po implementohet. Mirëpo, nuk kemi nevojë të simulojmë kriza, e më pas unitet sa për sy e faqe dhe për shou medikatik. Ne duhet të merremi me substancën", është shprehur ajo.

Kurti dëshiron nënshtrim, jo bashkëpunim

Zyrtarja e lartë e PDK-së ka kritikuar kryeministrin Kurti për mosbashkëpunim me aktorët e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në Kosovë.

Ajo ka thënë se shefi i ekzekutivit dëshiron nënshtrim nga aktorët e tjerë dhe jo bashkëpunim.

Kryeministri Kurti po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Kryeministri Kurti e ka eliminuar dialogun si instrument të politikëbërjes, e ka eliminuar dialogun social me mjekë, me mësues, me policët, sindikatat dhe me veteranët. Pra, ka një qasje të njëjtë. Mirëpo ne si PDK nuk do ta riciklojmë modelin e opozitëbërjes të Vetëvendosjes”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë me dije se kryeministri nuk po merret me krizat të vërteta me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës.

Kryeministri fatkeqësisht është duke abstenuar në përgjithësi nga qeverisja. Nuk merret me asnjë problem real dhe serioz, nuk merret as me krizën e energjisë elektrike, nuk merret as me grevat, as me sindikatat. Ai nuk merret me asgjë reale dhe serioze në vend. Këto spektakle që po prodhon në raport me dialogun me Serbinë po mundohet t’i përdorë si një perde për t’i mbuluar dështimet e qeverisë së tij”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka kritikuar Kurtin edhe për deklaratat e tij për luftën.

Kryeministri i një vendi fjalën luftë e përdor të fundit, jo të parën. Kur ka informacione për luftë thirret parlamenti, shpallet gjendje e jashtëzakonshme, shpallet mobilizimi i përgjithshëm. Nuk bëhen paralajmërimet për luftë e trazira nga plazhet e Greqisë. NATO është në Kosovë, ajo është garantues i paqes dhe sigurisë në Kosovës”, është shprehur Çitaku.

Lajme të ngjashme