NATO-ja i zgjedh aeroplanët vëzhgues suedezë para rivalit amerikan nga “Boeing” - NACIONALE

NATO-ja i zgjedh aeroplanët vëzhgues suedezë para rivalit amerikan nga “Boeing”

1 javë më parë

nga NACIONALE

NATO-ja njoftoi një plan me vlerë të rreth 4,5 miliardë dollarëve të martën për të blerë deri në 10 aeroplanë vëzhgues “Global Eye” të prodhuesit “Saab” për ta zëvendësuar aeroplanin për paralajmërim të hershëm, AWACS, duke mbështetur një sistem suedez para një opsioni rival nga prodhuesi amerikan, “Boeing”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se zëvendësimi i aeroplanëve të periudhës së Luftës së Ftohtë me një sistem të mbështetur në aeroplanë më të vegjël tregtarë do t’i luftojë kërcënimet si tufat e dronëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kjo do të sigurojë që ne ta mbajmë kapacitetin e vëzhgimit dhe të paralajmërimit të hershëm të NATO-s të fuqishëm dhe të besueshëm për dekadat në vijim” – tha ai gjatë një ngjarjeje në samitin e NATO-s.

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht i ka shtyrë aleatët për të shpenzuar më shumë në mbrojtje dhe për të blerë më shumë pajisje amerikane, Rutte e nënvizoi pedigrenë ndërkombëtare të sistemit që montohet mbi aeroplapin e tipit “Bombardier Global 6500”.

“Si paraardhësi, GlobalEye është program transatlantik, i ofruar nga industritë evropiane e kanadeze me kontribute thelbësore nga industritë amerikane. Është një tregim i vërtetë suksesi, përsëri, i prodhuar në NATO” – tha ai para delegatëve.

“GlobalEye” garon me aeroplanin “E7 Wdgetail” të prodhuesit “Boeing”, i mbështetur në aeroplanin 737 dhe i dizajnuar për të mbikëqyrur dhe drejtuar beteja.

NATO-ja tha se “GlobalEye” është sistem i dëshmuar në misione, por nuk dha hollësi.

Vlera e aksioneve të prodhuesit “Saab” u rrit për gati 4 për qind të martën./Nacionale

Lajme të ngjashme