‘Diplomacia’ e Kurtit si valle sirtaqi - NACIONALE

‘Diplomacia’ e Kurtit si valle sirtaqi

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Për më shumë se një dekadë, njëherë si deputet e tani si kryeministër, Kurti e ka mësuar mirë Kretën, Rodin, Lagonisin, Samosin e Skiathosin. Ai nuk e ka përfaqësuar aty Kosovën diplomatikisht e as nuk ka kërkuar njohje. I lëçitur nga çdo samit e konferencë ndërkombëtare, kryeministri po e gratifikon veten duke takuar aktivistë e ideologë të majtë, të cilët e flasin rrjedhshëm ‘gjuhën’ internacionale të antiamerikanizmit.

Col Mehmeti

7 korrik 2026 –
Si nja pesëdhjetë burrështetas, kryeministra, kryediplomatë e ministra të Mbrojtjes të martën janë mbledhur tok.

Në kompleksin presidencial Beştepe në Ankara, ku po mbahet Samiti i NATO-s, rrinin afër e afër edhe Kyriakos Mitsotakis e Recep Tayyip Erdoğan që shpesh cakërrohen mes vete.

Si mysafirë të ftuar kanë ardhur edhe nga vende që nuk janë pjesë e NATO-s, si presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, kryediplomati i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, apo edhe presidenti i Koresë Jugore, Lee Jae Myung.

Ndonëse nuk binte fare në sy, askujt nga Kosova nuk i është bërë ftesë për të qenë pjesë e samitit të sivjetmë të aleancës më të madhe ushtarake të Perëndimit.

Disa mijëra milje larg Ankarasë, në po të njejtën kohë, kryeministri në largim Albin Kurti e kaloi ditën si pjesëmarrës në Simpoziumin Symi në Greqi.

Arratisje relaksi nga ferri i Kosovës së izoluar

Si i vetmi vend ku i hapet dera, ai edhe sivjet u bë mysafir në këtë tryezë diskutimesh të lira intelektuale.

Me detin me kaltërsi të thellë në sfond, Simpoziumi Symi ka si strumbullar temën ‘Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit’.

Prej qershorit të 2023-s, Kosova u bë pjesë e klubit të vendeve problematike që u kamxhikuan me sanksione nga BE-ja dhe ShBA-të.

Sadoqë Brukseli i shfuqizoi këto masa vetëm në pranverë të këtij viti, ato të Washingtonit ende mbeten në fuqi.

Pasojisht, Kosova vuan pezullimin e ‘Dialogut Strategjik’ me Washingtonin – kjo ka bërë që të lëçitet edhe nga stërvitjet e mëdha ushtarake të kryesuara nga ShBA-të.

Në këtë dritë, pjesëmarrja e Kurtit në një simpozium si ai i Symit duket si gjethe fiku përballë izolimit të thellë diplomatik të vendit.

Tani gati janë bërë pesë vjet kur njeriu më i votuar në Kosovë u përpoq të bëhej senzacion i dynjasë duke mësyrë me gruan e vajzën e tij në Festivalin e Filmit në Kanë.

Njësoj edhe qëndrimi i tij në Greqi i ngjan një ndërmarrjeje personale për të stisur një imazh intelektual.

I diplomuar më vonë se shumica e vërsnikëve të tij në Inxhinieri Telekomunikacioni dhe Kompjuterike në Fakultetin e Inxhinierisë në Prishtinë, Kurti afërmendsh që është më inferior se pothuajse secili mysafir i ftuar aty.

Por kjo nuk do t’i vërë fre ndjenjës së tij të gratifikimit që vjen nga ngazëllimi se përballë ka intelektualë e profile të majta nga e gjithë bota.

Projekti i Papandreut dhe ngazëllimi i Kurtit pas llafeve të lira ‘intelektuale’

Por çfarë është Simpoziumi Symi që e bën për vete kaq shumë Kurtin?

Me një histori që kthehet pas në vitin 1998, simpoziumi në fjalë është një konferencë e përvitshme politike e ndërkombëtare.

E nismuar nga ish-kryeministri grek Iorgji Papandreu, simpoziumi gjithëherë ka qenë ‘magnet’ për të tërhequr aktivistë, ideologë e politikanë nga ylberi i majtë.

Si simpozium që bartet çdo vit nga një qytet grek në tjetrin, Kurti është një nga më të rregulltit mysafir.

Para se të bëhej kryeministër, me sa duket për shkak të kalkulimeve, Kurti nuk e kishte bërë të njohur pjesëmarrjen e vet aty.

Nga ç’kishte thënë vetë, ai merr pjesë në Symi së paku nga 2017-a kur ishte vetëm deputet.

Porse, rëndësia e simpoziumit është thuajse e hiçtë.

Praktika e brendshme e këtij forumi është e natyrës joformale, ku diskutimet as nuk transkriptohen.

Një njohje e ikur përgjithmonë

Prejse erdhi në pushtet, Kurti është apostrofuar shpesh për eskapadat e tij në Greqi, qoftë edhe si pushues në resortet luksoze të fqinjit tonë jugor.

Paradoksalisht, ai, qysh në vitin e parë të qeverisjes, e humbi përfundimisht rastin e rrallë që Athinës t’i shkëpuste njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës.

I vlerësuar si momentum i rrallë nën erërat e volitshme të rrethanave gjeopolitike, shteti grek e kishte shqyrtuar seriozisht njohjen e Kosovës.

Edhe me trysninë e Washingtonit zyrtar, kjo njohje do t’i bashkëngjitej projektit ambicioz të bartjes së gazit të lëngshëm amerikan nga porti i Aleksandropolit drejt brendatokës së Ballkanit e tutje drejt Evropës.

Tubacionet e bartjes së gazit amerikan do të përshkonin edhe Kosovën nëse do të vihej në jetë ky projekt dhe Qeveria do të përvilte mëngët për t’u bërë pjesë e tij.

Rrjedhimisht, marrëdhëniet Kosovë-Greqi kanë mbetur aty ku ishin.

Athina zyrtare hëpërhë ka një përfaqësi diplomatike në Prishtinë që ka rangun e një zyre ndërlidhëse që akreditimin e merr nga UNMIK-u.

Në këtë asimetri marrëdhëniesh gati të vdekura, edhe Kosova ka një copëz pranie të saj në Athinë përmes Zyrës së Interesave të Kosovës.

Merita e harruar e Thaçit

Sidoqoftë, ky ‘afrim’, që është më i madh sesa me katër vendet e tjera të BE-së që nuk e njohin Kosovën, është meritë e Hashim Thaçit sa kohë ishte ministër i Punëve të Jashtme.

Nëse do t’i futej lapsi historisë së dekadës së fundit, momenti më kthesëshënues ishte kur kryeministër i Greqisë qe Aléxis Tsípras dhe ministër i Jashtëm, Nikos Kotzias.

Gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Prishtinë, në korrik të 2015-s, kur ishte takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi, Kotzias kishte dhënë mesazhe tejet të guximshme që e sfidonin politikën e gjeratëhershme greke.

Takimi Thaçi-Kotzias kishte farëzuar idenë që Kosova ta bënte një copë prani në Greqi fillimisht përmes një zyre në Athinë ose Selanik.

Takime të tilla, tashmë me Thaçin si president, kishte pasur edhe më 2017 e 2018.

Lexo edhe: Eskapada tragjike ose si Greqia i tregoi Kurtit gishtin e mesit

Shkëlqimi dhe rënia e raporteve

Mëpastajshmëria e ngjarjeve nga 2021-a e këndej nuk solli ndonjë hajr sa i përket sigurimit të njohjes.

Kur Kurti qe bërë kryeministër për herë të parë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, më 27 shkurt 2020, i kishte telgrafuar një mesazh përhajrimi.

Në letër ishte thënë që Greqia është “avokat i vazhdueshëm i perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor”, por pa ndonjë ogur nëse Athina do të lëvizte në drejtim të njohjes së Kosovës.

Eskapadat e Kurtit në Greqi janë tejet interesante përkundrejt sfondit që qeveria e tij për vite me radhë përjetoi izolim ndërkombëtar e sanksione.

Fillimisht, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias kishte ardhur mysafir në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, të dyja palët kishin dhënë sinjale afrimi: Kurti e kishte falenderuar kryediplomatin grek për politikën ndaj Kosovës, duke veçuar rastin kur vota greke kishte qenë vendimtare për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin e Venecias.

Me 8 korrik 2021, ai e zhvilloi të parin takim mes ‘të barabartësh’ me kundërpjesën e tij, Kyriakos Mitsotakis.

Në këtë takim, ai e kishte zëruar kërkesën që Greqia t’iu bashkohej vendeve që e kanë njohur Kosovën.

E njëjta kërkesë ishte shkrepur edhe në takimin e dytë me kryediplomatin grek, Nikos Dendias, por pa ndonjë zotim nga pala gjithëherë e kursyer greke.

Jashtë kapacitetit zyrtar, vera e 2021-s ishte pushimi i parë i Kurtit dhe familjes së tij në hotelin ëndërror Grand Resort Lagonissi në jug të Athinës.

Udhëtimi i dytë zyrtar në tokën greke ishte një vitë më vonë kur Kurti mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit që u mbajt brenda datave 6 dhe 9 prill 2022.

Dalëngadalë, Greqia u bë ‘shtëpi e dytë’ për Kurtin.

Pak muaj më vonë, ai u takua në Athinë me ministrin e Jashtëm të Qipros, Ioannis Kasoulides.

Mësymja e Kurtit në Greqi nuk ndaloi as vitin pasues.

Në korrik të 2023-s, ai qe pjesëmarrës në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar Symi në Kretë.

Me këtë rast, ai ishte pjekur kokë-më-kokë me ish-kryeministrin grek, Jorgji Papandreu.

“Qëndrimi mbetet i pandryshuar”

Aventurat e Kurtit në Athinë e Rethymno të Kretës nuk sollën trofeun e shumëdëshiruar – njohjen nga Greqia.

Megjithëse herëpashere është dhënë ndonjë shenjë e vegullt për afrim, Athina zyrtare nuk ka shqiptuar ndonjë deklarim eksplicit se ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Në gusht të 2022-s, ambasadori grek në Beograd, Giorgos Giakofotakis kishte thënë se “Greqia nuk po ndryshon qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën.”

Kësaj i kishte dhënë vulë përfundimtare deklarimi i parëvjetmë i kryeministrit grek, Mytsotakis.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd në shkurt të vitit 2024, kreu i qeverisë greke kishte thënë se “qëndrimi i Greqisë sa i përket Kosovës mbetet i pandryshuar.” /Nacionale/



Lajme të ngjashme