Intervistë | Haziri: Po krijohet momentum i ri për marrëveshjen finale, Qeveria nuk është gati - NACIONALE

Intervistë | Haziri: Po krijohet momentum i ri për marrëveshjen finale, Qeveria nuk është gati

1 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbia ka krijuar një momentum të ri për procesin. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se “bombat e vogla” që pengojnë arritjen e kësaj marrëveshje duhet të largohen nga tavolina.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se po krijohet një momentum i ri për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës duhet jetë e përkushtuar ndaj procesit dhe ta kapitalizojë këtë moment.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haziri ka shprehur brengen e tij se Kosova nuk është e gatshme ta ndjek dinamikën e re që SHBA-ja dhe BE-ja po e kërkojnë për procesin e Brukselit.

Po krijohet një momentum i ri për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe duhet të kapitalizohet, duhet të kapet. Sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokus ndërkombëtarë po qon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke. Kemi një rritje te madhe të sanit politik në Bruksel dhe qendrat kryesore në Evropë që marrëveshje duhet të përfundoj me njohje reciproke, nuk ka opcion tjetër”, ka thënë Haziri.

Ai ka treguar se gatishmëria e aleatëve për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi është parë edhe në takimin e fundit që kanë pasur në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serbe Aleksander Vuqçiq.

Kemi një mobilizim më të madh amerikan në lehtësimin e këtij procesi, përkundër luftës në Ukrainë. Për takimin e gushtit, edhe kancelari Scholz, presidenti Marcon dhe sekretari Blinken kanë qenë çdo minutë të lidhur me ekipet e tyre në Bruksel. Pra, kanë qenë në komunikim aktiv. Sekretari i NATO-së ka qenë online në komunikim në zyrën e tij në Bruksel, duke e pritur progresin”, është shprehur ai.

Zyrtari i LDK-së ka thënë se ky momentum ka edhe afate kohore.
Sipas tij, gjatë kësaj vjeshte duhet punuar shumë në këtë drejtim.

Natyrisht se po. Kalendari nuk është ai që duhet ta nënvizojmë me ngjyrë të kuqe dhe të themi se kjo periudhe kohore. Kjo vjeshtë është ideale me punu, por nuk përfundon gjithçka. Nëse nuk ka përkushtim për me i zgjidh problemet e vogla, nuk do të këtë fokusim dhe angazhim për një marrëveshje gjithëpërfshirësve. Pra, duhet të largohen nga valonin çështja e ID-ve dhe çështja e targave”, është shprehur ai.

Haziri ka thënë se për t’i hapur rrugën marrëveshjes finale, duhet të largohen nga tavolina krizat e vogla, që sipas tij, janë pengesë për marrëveshjen finale.

Marrëveshjet e arritura duhet të fillojnë të zbatohen. Kjo është kërkesa e parterëve ndërkombëtarë. Duhet të largohen krizat, “bombat e vogla” që pengojnë arritjen e një marrëveshje duhet të largohen nga tavolina, duhet të largohen nga përditshmëria. Ne duhet ta largojmë arsyen që z. Escobar dhe Lajcak me u marrë me kriza në Kosovë. Ata kur të vijnë në Kosovë le të merren me subjektin. Subjekti është marrëveshja gjithëpërfshirëse.”, është shprehur ai.

Haziri ka treguar se ky momentum i ri po vije pas përafrimit të qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje.

Duhet të konstatojmë ka një përafrim jashtëzakonisht të madh të BE-së dhe SHBA-së. Përkundër që më herët kemi parë se ka mundur të këtë edhe dallimeve në qasje. Përafrimi është që z. Lajçak po mbështet parezervë si lehtësues nga z. Escobar”, ka vlerësuar ai.

Qeveria ka pasiguri për marrëveshjen, ka mungesë kapacitetesh

Zyrtari i lartë i LDK-së beson se Qeveria Kurti nuk është e përgatitur për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Ai ka thënë se qeveria ka pasiguri dhe ka mungesë kapacitetesh për këtë proces.

E di që në atë format që sot është qeveria ka pasiguri, ka mungesë kapacitetesh. Dhe fundja arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk mund të bëhet në kapacitete e sotshme që ka qeveri. Sepse po dëshmohet se asnjë marrëveshje nuk është negociuar deri me sot, asnjë takim nuk ka rezultuar me sukses dhe me efekt të një marrëveshje eventuale. Deri me tani janë marrë me implemtim të një marrëveshje”, është shprehur Haziri, duke shtuar se për këtë proces qeveria në mënyrë urgjente duhet të hapet për një dialog të brendshme.

Ky dialog, sipas Hazirit, duhet të përfshijë opozitën dhe shoqërinë civile.

Edhe shoqëria civile e ka rolin e vet. E kanë edhe institucionet tjera shtetërore e kanë rolin e vet. Sepse nuk mundet askush, as tash dhe as më herët, nuk ka qenë e mjaftueshme që një subjekt me e kryej vetë”, është shprehur ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk po mund ta përcjell dinamikën e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.

Do të jetë e vështirë. Vlerësimi im është se kjo dinamikë do të jetë e vështirë me e pa një rezultat të shpejt. Nëse e lexojmë mobilizimin e partnerëve ndërkombëtar pritjet e tyre janë më të mëdha. Kjo është kërkesë që ekipi i Kosovës duhet ta kap dinamiken e partnerëve evropian dhe amerikan, duhet te ecë në hap më ta. Gjithçka duhet të negociohet, gjithçka duhet të dakordohet”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë raste dhe jo ta neglizhojë procesin.

Përkundër krizës në rajon është rritur dinamika, vëmendja, monitorimi në raport me dialogun në Kosovë. Pra është një risi të cilën palët do të duhej me e shfrytezu, në veçanti kryeministri i Kosovës, i cili ka mandat kushtetues që të sillet me prioritet të lartë karshi një dialogu, sepse nuk çka humbë. Sepse gjithmonë në tavolina të bisedimeve argumenti fiton. E drejta është në anën tonë dhe duhet vetëm të këtë kurajo dhe guxim politik që me vendime të vështira me ec përpara”, ka theksuar Haziri.

Flitet se qeveria ka një draft për Asociacionin

Në këtë intervistë të gjatë, Haziri ka folur edhe për mundësinë e ekzistimit të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se qeveritë e mëparshme nuk kanë pasur asnjëherë draft për këtë çështje. “Është folur për një dokument të tillë në Prishtinë, është folur edhe për një statut të Asociacionit të komunave që qeveria e ka gati dhe po e mbanë nën mangë”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ky statut nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Flitet se një dokument i tillë është punuar, është punuar më herët nga një organizatë ndërkombëtare. Ai dokument nuk është i bazuar në marrëveshje të Brukselit, ai dokument është përtej asaj marrëveshje dhe përtej pakos se Ahtisarit”, ka thënë Haziri.

Ndër të tjera, zyrtari i LDK-së ka folur edhe për dokumentin gjashtë pikësh që kryeministri e ka prezantuar në Bruksel.

Sipas tij, ai dokument fillimisht është dashur të diskutohet me opozitën.

E keqja e krejt saj është se ky dokument nuk u zbardh para opozitës. Nuk ka pas as në kuvend dokument, ose deklaratë apo qëndrim gojor të kryeministrit të shpalosur para deputetëve, qe e ka obligim kushtetuese, as para partive politike dhe as para LDK-së. Mungesa e dialogut politikë është vështirësia në bisedime. Sepse nuk ka mundësi një kryeministër dhe as një autoritet tjetër i vetëm me ekipen e tij me e përmbyll një proces çfarë është marrëveshja gjithëpërfshirëse”, ka thënë Haziri, duke përmendur pikën problematike të dokumentit.

Njëra nga ato që u përmend mendoj se është shumë e gabueshme. Kosova nuk ka nevojë me e negociu me Serbinë çështjen e te vendosurve të brendshëm që quhen dhe pronat e tyre. Sepse kjo çështje është e zgjidhur nga institucionet e Kosovës, pra është problem i mbyllur. Çështja e të zhvendosur dhe çështja e prona të tyre është çështje e rregulluar me legjislacion dhe çështjet e të drejtës së fituat. Nuk e di çka duhet edhe një herë Kosova në tavolinë me e trajtu”, ka thënë Haziri.

Ftesa për opozitën pas takimit të Brukselit e pakuptimtë

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se paralajmërimi i kryeministri Kurti se do t’i takojë liderët e opozitës, nuk ka kuptim tani.

Ai ka thënë se opozita është dashur të takohet para takimit me Aleksander Vuçiqin. “Takimet pas situatave të ndodhura nuk e di se çfarë kuptimi kanë. Ftesa për opozitën pasi të dërgohet polica speciale në veri dhe të cenohet siguria publike, është e vonshme. Pasi ke shpalosur dokumentin para ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe presidentit serb, me e thirre opozitën me kallxu se çka përmban ai dokument, është e vonshme. Ai mund të na thirre për çdo lloj takimi, por trendi i tij dhe i presidentës me të ftu pasi të ndodh diçka në politikë nuk funksionon”, ka thënë Haziri.

Ai ka vlerësuar se shefi i ekzekutivit për këtë çështje duhet të bisedojë me përfaqësuesit e popullit në Kuvend.

Koha është shumë e kufizuar, dialogu duhet të zhvillohet me përfaqësuesit e popullit. Përfaqësuesit e popullit janë në Kuvend të Republikë. Me të gjithë duhet të zhvillohet ai dialog, i cili i jep oksigjen politik negociatorit dhe ia lenë duart e lira me negociu një dokument i cili del në interes të Republikës”, është shprehur ai.

Sa i përket vendosjen e reciprocitetit në targa dhe letërnjoftime, ai ka thënë se LDK-ja e mbështet Qeverinë e Kosovës që t’i zbatojë vendime e veta.

Sipas tij, vizitat e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, kanë shtensionuar situatën në veri.

Mesazhi ishte shumë i qartë, të ndalet retorika e luftës, të ndalet retorika që sjell konflikt. Duhet të ndalen veprimet e njëanshme, duhet të këtë përkushtim të përbashkët në dialog për gjetjen e rrugëve dhe gjetjen e mundësive që palët pajtohen për implementimin e marrëveshjeve të arriturave, por edhe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar ai.

Lajme të ngjashme