Opozita kërkon përfundim të shpejtë të dialogut me Serbinë - NACIONALE

Opozita kërkon përfundim të shpejtë të dialogut me Serbinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur pro përmbylljes së shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi. Nënkryetarët e këtyre partive, kryeministrit Albin Kurti i kanë kërkuar kreativitet dhe pragmatizëm në këtë proces. Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se Qeveria nuk e ka asnjë arsye për të zvarritur më procesin e arritjes së marrëveshjes finale.

Subjektet politike opozitare kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti përfundim sa më të shpejtë të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë thënë se shefi i ekzekutivit i ka të gjitha parakushtet për të vazhduar drejt arritjes së marrëveshjes finale.

Ata kanë thënë për gazetën Nacionale se Qeveria duhet të tregohet e përkushtuar dhe kreative në këtë proces.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kryeministri Kurti duhet të jetë i përgjegjshëm në këtë proces.

“Ne kërkojmë që ky proces të përmbyllet shpejt, sepse status quo-ja jo vetëm që është e paqëndrueshme, por është e dëmshme dhe e rrezikshme. Kjo gjë tashmë është artikuluar shumë qartë, në mënyrë shumë eksplicite dhe në mënyrë publike nga zyrtarët më të lartë amerikanë. Kryeministri duhet të tregohet i përgjegjshëm në këtë proces dhe Kosova duhet të ketë ofertën e saj”, ka thënë ajo për gazetën Nacionale.

Ajo ka mohuar mundësinë që kjo parti të përfshihet në ndonjë ekip negociator. “Ju e dini që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Në atë vendim Gjykata Kushtetuese ka treguar se mekanizmat e tillë janë kundër Kushtetutës dhe se kryeministri e ka përgjegjësinë. Ne jemi ta gatshëm ta japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka të gjitha parakushtet për të vazhduar rrugën drejt marrëveshjes finale me Serbinë.

Duhet guximshëm me hy në agjendë politike. Kaloi koha e muajit të mjaltit për qeverinë Kurti, kur thoshte se dialogu është prioritet i katërt, se duhet me pa agjendën e formatin, kur thoshte se nuk e takoj Serbinë, por serbët e Kosovës. Këto nuk çojnë peshë më te ndërkombëtarët. Formatin e dialogut e ka, kompetencat kushtetuese i ka dhënë Kushtetuesja, opozita e mbështet”, ka deklaruar Haziri për gazetën Nacionale.

Sa i përket formimit të asociacionit të komunave më shumicë serbe, ai ka vlerësuar se Qeveria duhet të tregohet kreative.

“Z. Kurti e ka kundërshtuar me protesta marrëveshjen për këtë çështje të Isa Mustafës, e cila është marrëveshja më e mirë e kohës. Nëse jo, atëherë është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të këtë kreativitet dhe pragmatizëm në marrëveshje. Kjo nënkupton që një marrëveshje eventuale, një propozim i ri që mund ta ofrojë Kosova, mund t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje”, është shprehur Haziri.

Ndërsa për AAK-në, deri më tani Qeveria ka dështuar në këtë proces.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën se qëndrimi i kësaj partie është që marrëveshja finale të arrihet sa më shpejt dhe sa më parë.

“Konsideroj se Qeveria Kurti sa i përket dialogut ka dështuar. Po shohim se nga dialogu politik, Qeveria e Kosovës ka rrëshqitur në dialog teknik me Serbinë, i cili edhe ashtu nuk po jep ndonjë rezultat. Qëndrimi ynë është shumë i thjeshtë dhe i qartë, marrëveshja finale ligjërisht e pranuar në mes dy shteteve është zgjidhja e vetme, sa më shpejt dhe sa më parë. Gjithashtu, duhet të theksohet se në këtë temë lidershipi amerikan është jashtëzakonisht i nevojshëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Pa SHBA s’ka marrëveshje”, është shprehur Lekaj.

Nuk ka parti anti-dialog në Kosovë

Përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar se kryeministri Albin Kurti e ka më lehtë së kryeministrat tjerë në këtë proces.

Sipas tyre, tani në Kosovë nuk është asnjë parti që e kundërshton dialogun e Brukselit.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka treguar se opozita nuk do të pengojë qeverinë në këtë rrugë, ashtu siç ka bërë LV-ja kur ka qenë në opozitë.

Çitaku ka bërë me dije se partia më e madhe opozitare kontributin e saj për këtë proces do ta japë në Kuvend.

“Ne jemi të gatshëm që jo vetëm të mos bëjmë pengesa, por që të japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Mirëpo, përgjegjësia i takon kryeministrit. Fatkeqësisht, ai ka pasë mungesë konsistence në raport me dialogun. E dini se dikur ka thënë që ai është prioritet i shtatë, pastaj i katërt, e tash po del që është prioritet i parë. Në dialog gjëja më e rëndësishme është konsistenca dhe transparenca”, është shprehur ajo.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, mendon se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë arsye që ta zvarrisë procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk ka parti anti-dialog në Kosovë. Nuk e di pse duhet të mos hyjë guximshëm në këtë kohë dhe me zgjedhë problemin me Serbinë”, është shprehur Haziri.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kjo parti do të mbështesë Qeverinë në çdo proces me interes nacional.

“Ne jo vetëm në këtë legjislaturë por edhe në periudhat më të hershme, pavarësisht pozicionit, në temat madhore dhe në përballje me Serbinë e kemi ofruar mbështetjen tonë të parezervë ndaj ekzekutivit. I mbetet Qeverisë që të punojë në unifikimin e gjithë spektrit politik sa i përket kësaj teme. AAK mbështet dialogun i cili përfundon me njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Lekaj për gazetën Nacionale.

Së fundi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia rezultate konkrete në procesin e dialogut të Brukselit.

Në adresimet e tyre, përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së kanë vlerësuar se të dyja shtetet duhet të tregohen konstruktive dhe kreative drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Lajme të ngjashme