Grenell flet për Nacionale, përgjigjet nëse Kurti është në listë të ndalimit të fluturimit për në SHBA
Florin Krasniqi, ish-deputet e financues i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ripërsëritur se kryeministri Albin Kurti është në listën e mosudhëtimeve (no-fly list) të Amerikës, duke e vazhduar debatin, ndonëse shefi i ekzekutivit ka udhëtuar sot për në "tokën e premtuar". Udhëtimi i sotëm i Kurtit për në SHBA, i ka gëzuar aktivistët e VV-së, të cilët kanë goditur Krasniqin, teksa kryeministri do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.
Megjithatë, Krasniqi, në një deklarim për gazetën Nacionale, e ritheksoi se Kurti është në këtë listë, duke shpjeguar se çka mendon.
Por, krejt ndryshe mendon Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i Administratës Trump për Dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Grenell shuan dilemat
Grenell, që ishte edhe ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA, është deklaruar për debatin rreth kufizimeve për udhëtim të Kurtit në Amerikë.
I kontakuar nga gazeta Nacionale, Grenell e ka mohuar se Kurti është në ndonjë listë të ndalimit të fluturimeve.
Madje, ai deklaroi se meqenëse Kurti udhëton për në Amerikë, nënkupton që nuk është në listën “no-fly list”.
“Albin Kurti nuk është në kurrfarë liste të ndalimit të fluturimit për Amerikë. Nëse je në atë listë, atëherë nuk ka mundësi të fluturosh fare. Fakti që ai po udhëton, po fluturon, tregon që ai nuk është në këtë listë”, tha Grenell për Nacionale.

Çfarë tha Florin Krasniqi?
Ish-financuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, është deklaruar përsëri për debatin që shkaktoi një deklaratë e tij se kryeministri Kurti është në “no-fly zone”.
Ai thotë se të qenët në këtë listë, nuk nënkupton që nuk mund të fluturosh për në SHBA.
“Kur t’shtijnë në listën “no-fly list”, s’do me thanë që s’munesh me hy në aeroplan, që s’munesh me shku në Amerikë. Por, kur ti je në aeroplan, duhesh me kalu nëpër disa procedura të veçanta, kontrolli është i veçantë, është një flying marshall me ty. Ai flying marshall e ka alltinë me veti, vjen e hungjet ngat teje, ose mas teje, edhe ai t’përcjell çka po bon”, fillon sqarimin e tij Krasniqi.
I pyetur nëse një gjë e tillë i ka ndodhur më parë Kurtit sa udhëtonin bashkë për në SHBA, Krasniqi ka pohuar se kjo ka ngjarë së paku dy herë.
“Po, dy herë, nashta ma shumë, por dy herë. Mue m’kanë çue prej karrige, e kam pasë konfirmimin me u ulë pranë tij, ma kanë ndërru karrigen, është ardhë një njeri aty, është ulë afër tij dhe ka nejtë tan' kohën afër tij. Na kanë shti nëpër procedura të veçanta kontrolli”, tha Krasniqi.
Pullazxhiu nga Amerika, që kishte financuar edhe UÇK-në, ka qeshur me udhëtimin e sotëm të kryeministrit Kurti për në “tokën e premtuar”.
“Auuu a s’i kanë marrë krejt kabinetin a? Hahaha, kanë shku krejt kabineti d.m.th. A e di çka bojshmi tu keshë na në Vetëvendosje, kur shkojshin Hashim Thaçi, Isa Mustafa e krejt tubë në New York. Por, ata shkojshin në Shpi të Bardhë, këta janë shku me nënshkru një kontratë komerciale, që ka mujtë me nënshkru dikush i departamentit të energjisë”, shtoi ai.
Madje, kjo vizitë e Kurtit në Amerikë, sipas Krasniqit, e lëndon dinjitetin e shtetit të Kosovës.
“E ka ulë dinjitetin e shtetit, jo veç të kryeministrit, po të krejt shtetit. Nuk munen me shku krejt shteti, me nënshkru një kontratë, një grant që ia jep Amerika Kosovës, që në fakt e ka nda që tri vjet”, komentoi Krasniqi.
“Thuju Florini ua ka mësu këtë, s’ka dert, mirë ia boni, ju ka mësu qysh me i përqeshë njerëzit. E kam meritu nashta. Absolut nuk kam hatërmbetje. Unë e kam financu VV-në, edhe me pare të mija, e pa dijen teme, e kanë kriju këtë stilin e shamjes, të fymjes, linçimit, në atë grupin që janë me kompjutera”, përfundoi ai.
Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)
Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen.
Tjetri objektiv i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.
Ky projekt në vlerë prej 236.7 milionë eurove, synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës, kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.
Nga ky financim, 200 milionë dollarë do të vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontributi nga Qeveria e Kosovës dhe 2 milionë të tjera do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).
Kur marrëveshja ishte nënshkruar, kjo kishte qenë deklarata e drejtueses së MCC-së, znj. Alice Albright, më 30 qershor 2022.


