Florin Krasniqi qesh me udhëtimin e Kurtit në SHBA: E ka ulë dinjitetin e shtetit, po do me tregu që e do Amerika
Një udhëtim i kryeministrit Albin Kurti në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka gëzuar përkrahësit e tij. Dhe atë për dy arsye. E para, për shkak të udhëtimit në SHBA, ku do të nënshkruhet një kontratë me MCC-në, dhe për “demantimin” që ata besojnë t’i jetë bërë Florin Krasniqit, i cili tha se Kurti është në “no-fly list” të Amerikës.
Që në mëngjesin e hershëm, Arianit Beqiri, asistent i Kurtit, u përkujdes të shkruajë për Krasniqin, ish-deputet i VV-së, duke e thumbuar atë.
Ndërsa deputetja Arjeta Fejza shkroi se deklarimet e Krasniqit, ndonëse nuk e përmendi me emër, janë tendencë e dobët për të thënë diçka negative.
Edhe ish-kandidati për deputetë, Avni Zogiani, u mor me Krasniqin, duke ironizuar me të.
Por, në një prononcim për gazetën Nacionale, Krasniqi deklaron përsëri se Kurti është në no-fly list, duke e shpjeguar se çfarë mendon për këtë çështje.
Krasniqi i vendosur
Ish-financuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, është deklaruar përsëri për debatin që shkaktoi një deklaratë e tij se kryeministri Kurti është në “no-fly zone”.
Ai thotë se të qenët në këtë listë, nuk nënkupton që nuk mund të fluturosh për në SHBA.
“Kur t’shtijnë në listën “no-fly list”, s’do me thanë që s’munesh me hy në aeroplan, që s’munesh me shku në Amerikë. Por, kur ti je në aeroplan, duhesh me kalu nëpër disa procedura të veçanta, kontrolli është i veçantë, është një flying marshall me ty. Ai flying marshall e ka alltinë me veti, vjen e hungjet ngat teje, ose mas teje, edhe ai t’përcjell çka po bon”, fillon sqarimin e tij Krasniqi.
I pyetur nëse një gjë e tillë i ka ndodhur më parë Kurtit sa udhëtonin bashkë për në SHBA, Krasniqi ka pohuar se kjo ka ngjarë së paku dy herë.
“Po, dy herë, nashta ma shumë, por dy herë. Mue m’kanë çue prej karrige, e kam pasë konfirmimin me u ulë pranë tij, ma kanë ndërru karrigen, është ardhë një njeri aty, është ulë afër tij dhe ka nejtë tan' kohën afër tij. Na kanë shti nëpër procedura të veçanta kontrolli”, tha Krasniqi.
Pullazxhiu nga Amerika, që kishte financuar edhe UÇK-në, ka qeshur me udhëtimin e sotëm të kryeministrit Kurti për në “tokën e premtuar”.
“Auuu a s’i kanë marrë krejt kabinetin a? Hahaha, kanë shku krejt kabineti d.m.th. A e di çka bojshmi tu keshë na në Vetëvendosje, kur shkojshin Hashim Thaçi, Isa Mustafa e krejt tubë në New York. Por, ata shkojshin në Shpi të Bardhë, këta janë shku me nënshkru një kontratë komerciale, që ka mujtë me nënshkru dikush i departamentit të energjisë”, shtoi ai.
Madje, kjo vizitë e Kurtit në Amerikë, sipas Krasniqit, e lëndon dinjitetin e shtetit të Kosovës.
“E ka ulë dinjitetin e shtetit, jo veç të kryeministrit, po të krejt shtetit. Nuk munen me shku krejt shteti, me nënshkru një kontratë, një grant që ia jep Amerika Kosovës, që në fakt e ka nda që tri vjet”, komentoi Krasniqi.
Kritikat e përqeshjet që i shkuan në adresë të tij nga VV, ai duket t’i ketë marrë me sportivitet.
“Thuju Florini ua ka mësu këtë, s’ka dert, mirë ia boni, ju ka mësu qysh me i përqeshë njerëzit. E kam meritu nashta. Absolut nuk kam hatërmbetje. Unë e kam financu VV-në, edhe me pare të mija, e pa dijen teme, e kanë kriju këtë stilin e shamjes, të fymjes, linçimit, në atë grupin që janë me kompjutera”, përfundoi ai.
Kurti udhëton për në SHBA
Dita e parë e javës gdhiu me një lajm interesant nga institucionet kryesore të vendit. Kryeministri Albin Kurti do të udhëtojë sërish në SHBA dhe me vete do të ketë presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin.
Zyra e Kryeministrit ka lëshuar njoftimin për udhëtimin e tre pushtetarëve të lartpërmendur, derisa ka treguar edhe arsyen për një gjë të tillë.
“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)
Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen.
Tjetri objektiv i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.
Ky projekt në vlerë prej 236.7 milionë eurove, synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës, kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.
Nga ky financim, 200 milionë dollarë, do të vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontributi nga Qeveria e Kosovës dhe 2 milionë të tjera do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).
Kur marrëveshja ishte nënshkruar, kjo kishte qenë deklarata e drejtueses së MCC-së, znj. Alice Albright, më 30 qershor 2022.


