Dhjetë veta në Amerikë për një nënshkrim: Kurti e Osmani u nisën të dy pasi s'u morën vesh - NACIONALE

Dhjetë veta në Amerikë për një nënshkrim: Kurti e Osmani u nisën të dy pasi s'u morën vesh

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Binomi Kurti-Osmani që grumbulloi më shumë se gjysmën e votave në Kosovë duket të jetë krisur. ‘Kutia e Pandorës’ për këtë binom është bërë nënshkrimi i marrëveshjes me MCC-në. Presidentja kërkon të zbatohet praktika e Thaçit, e Kurti si Kurti, nuk lë asnjë mundësi për t’ia lënë një mundësi dikujt tjetër.

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se kjo temë ka krisur binomin Kurti-Osmani tash e një kohë të gjatë.

“Tash e disa muaj ka konflikt në mes të presidentes dhe kryeministrit se kush do të shkojë në Uashington për MCC – thotë ky burim.

Meqë më 2017 ishte presidenti Thaçi që shkoi në SHBA për çështje të ngjashme, por në koordinim me qeverinë dhe palën përtej oqeanit.

“Më 2017 ishte presidenti Thaçi që shkoi për nënshkrim në koordinim me qeverinë dhe palën amerikane,” – ka thënë ky burim për Nacionalen.

Ndërkohë që Kurti si shefi i ekzekutivit do që mundësinë për të nënshkruar një marrëveshje në SHBA si Hoti, të mos ia lë kurrkujt pos vetës.

Për t’u siguruar se Osmani s’do të jetë ajo që do të nënshkruajë këtë marrëveshje, Kurti me vete ka marrë edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin.

Udhëtimi i gjatë përtej oqeanit mund t’ua mundësojë të gjejnë një kompromis, se kush nga ky binom [apo trinom] do të nënshkruajë me MCC-në. Nga Kosova përtej oqeanit kanë udhëtuar rreth 10 veta, për një nënshkrim, ku përfshihen disa prej anëtarëve të ekipeve të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Në komunikata te lëshuara për media nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit, thuhej e njëjta fjali “se do të mbaheshin edhe takime tjera”.

Nëse këto takime tjera do të përfshijnë edhe një takim me presidentin aktual të ShBA-ve Joe Bidenin, mbetet për t’u parë. Por, në sondazhin e Nacionales për lexuesit e saj në Viber, përgjigja del të jetë gati unanime mbi këtë mundësi.

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)

Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen.

Tjetri objektiv i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.

Ky projekt në vlerë prej 236.7 milionë eurove, synon që përmes baterive, energjia e prodhuar në një kohë të caktuar të akumulohet, në mënyrë që ajo të shfrytëzohet më vonë në orët e ditës, kur çmimi i energjisë është më i lartë dhe kërkesa është më e lartë.

Nga ky financim, 200 milionë dollarë, do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës dhe 2 milionë të tjera do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Kur marrëveshja ishte nënshkruar, kjo kishte qenë deklarata e drejtueses së MCC-së, znj. Alice Albright më 30 qershor 2022.

Tri projektet që janë të përfshira në këtë program:

1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),

2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe

3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim

Lajme të ngjashme