Haxhiu sot takohet me kryetarët e partive politike për përgatitjet e seancës konstituive - NACIONALE

Haxhiu sot takohet me kryetarët e partive politike për përgatitjet e seancës konstituive

2 orë më parë

nga NACIONALE

Takimi i sotëm me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, i thirrur nga kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka për qëllim kryesor përgatitjen teknike dhe procedurale për seancën konstituive të Legjislaturës së XI-të, e cila është caktuar zyrtarisht për datën 6 gusht 2026.

Takimi fillon në ora 11:00.

Sipas rregulloreve në fuqi, takimi i sotëm organizohet nga kryetarja e legjislaturës së kaluar, ndërsa seanca konstituive e javës së ardhshme do të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar, i ndihmuar nga deputeti më i ri i legjislaturës së re.

Duhet theksuar se në rendin e ditës të seancës konstituive është formimi i një komisioni të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe e nënkryetarëve.

Haxhiu e kishte caktuar seancën konstituive më 6 gusht, vetëm një ditë para skadimit të afatit ligjor prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, me arsyetimin se nuk ka nxituar që ta thërrasë menjëherë seancën konstituive, pa u lënë kohë subjekteve politike për dialog.

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në qershor, pasi dështoi votimi i presidentit të ri brenda afateve në prill.

Ndryshe, vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit të ri fillon zyrtarisht afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Lajme të ngjashme