Florin Krasniqi "çohet nga varri": E ndalova Kurtin të niste luftë civile në Kosovë - NACIONALE

Florin Krasniqi "çohet nga varri": E ndalova Kurtin të niste luftë civile në Kosovë

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Pullazhxhiu nga Amerika është zgjuar nga letargjia. Florin Krasniqi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, pas një kohe të gjatë është bërë i gjallë, duke dhënë dy intervista të gjata për mediumet kosovare.

Të dy intervistat u karakterizuan nga e njëjta përmbajtje: kritika pa fund për ish-partinë e tij e për kryeministrin Albin Kurti.

Krasniqi “çohet prej varrit”

Vite më parë, reperi i famshëm shqiptar me vendbanim në New York, Viktor Paloka, publikoi një këngë që e titulloi “U çova prej vorrit”.

Titulli i këngës do të mund të përshkruante saktësisht atë çfarë bëri gjatë ditëve të fundit Krasniqi, që po ashtu jeton në Amerikë.

Dikur një figurë koxha atraktive nëpër debate, Krasniqi ka kohë që është larguar nga politika aktive në Kosovë.

Ish-pullazxhiu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas ikjes nga politika, i ka reduktuar edhe paraqitjet televizive.

Por, sikurse gati secilën herë, edhe kësaj radhe, paraqitja e tij në Dukagjini e T7, u përcoll me shumë deklarata të forta.

Krasniqi, që ishte edhe financues i VV-së, nuk përtoi të kthehet vite prapa në histori, duke treguar prapaskena të ndryshme gjatë rrugëtimit të tij krah Kurtit.

Pullazxhiu “shkatërron” VV-në... plus kërkim falja

Në fakt, Krasniqi në intervistë në Dukagjini u pa i penduar për aktivitetin e tij politik gjatë kohës në VV.

Madje, ai kërkoi falje që ndikoi në anëtarësimin e njerëzve në partinë e kryeministrit Kurti.

"U kërkoj falje njerëzve që i kam çu në VV, sepse nuk e kam ditë që këta e bijnë Kosovën në këtë situatë", ka thënë Krasniqi në Debat Plus.

Tutje, ai tha se në VV ekziston një dhomë, nga e cila organizohet procesi i linçimit të njerëzve që janë kundërshtarë të partisë në pushtet.

“E kanë sistemin. Kur jam kanë unë aty i kanë pasë nja 20 kompjutera të vjetër. Edhe i thosha çka janë këta? Tha këta janë për media. E veta njanin aty që e kam pasë më shok, tha jo more këta shajnë gjindë, bajnë postime. A din, e kanë pasë renin, dy rena, ni sobë t’gatë e kanë pasë për media, a din? Tash i kanë bo tri (soba), e kanë bo sallën e madhe, e kanë sistemin, e kam pa me sytë e mi”, deklaroi ai në Dukagjin.

Duke folur për Kurtin, ai hodhi dyshime se shefi i ekzekutivit është në listën “no fly list”, duke theksuar se dyshimet i ka të bazuara.

“Udhëtimet me Kurtin kanë qenë të vështira. Sa herë kemi udhëtuar me të na kanë kontrolluar edhe në detaje më të vogla. Unë kam dyshime të bazuara se Albini është në një listë që quhet “No Fly List”. Kjo do të thotë se është njeri i rrezikshëm për të hipur në aeroplan”, theksonte ai në Dukagjini.

Sulmet ndaj Kurtit nuk i ndaloi, as atëherë kur e ndryshoi studion televizive. Kritika të ngjashme, të ashpra, Krasniqi pati ndaj Kurtit edhe në T7.

Ai tregoi një histori të viteve më parë, që sipas tij kishte ngjarë në Pejë, e ku ishte përfshirë edhe ish-ambasadori William Walker.

E gjithë ngjarja, e rrëfyer nga Krasniqi, ngjan në një situatë tragji-komike.

“Në 2017 kur u bë përçarje brenda VV-së, kam ardhë disa herë me qëllimin më të mirë me afru VV-në mos me shku drejt përçamjes. Jam mbështetësi i parë për VV-në në kuptimin financiar. Prej themelimit e kam mbështetë VV-në, vazhdimisht dhe rregullisht. Kur u bë incidenti i shkurtit unë kam bë përpjekje maksimale, kam shku me ambasadorin Walker te Albini në 2 të natës në burg në Pejë. Që mos me u shkaktu luftë civile. E kam taku Albinin në 2 t'natës, kom bë të pamundshme që mos me u bo luftë civile. Unë e kom sugjeru VV-në me iu futë skenës politike”, theksoi ai në Pressing.

Krasniqi shfrytëzoi një metaforë ofenduese për të përshkruar këmbënguljen e Kurtit për të mos respektuar himnin e Kosovës.

“Me Amerikën është zor me u pajtu. Unë nuk pajtohna që meritojmë qekaq. Nuk meritojmë me ardhë në qeveri një qeveri me një njeri që gjithçka që ka folë na ka mashtru. Unë jam konë aty, nuk jena çu për himnin e Kosovës, çu bre çohem, i ngulke këmbët si thiu në akull, jo nuk çohna”, shtoi ai.

E pas krejt historisë me Kurtin, ai ka treguar edhe pse ia mori inati liderit të pazëvendësueshëm të VV-së.

“Arsyeja pse unë jam inatosë thellësisht me Kurtin, se nuk mundesh me ia lëshu krejt langojtë e VV-së Visar Ymerit. Ai është kuadri më i mirë në Kosovë. Krejt langojtë e VV-së ia lëshoi Ymerit”, deklaroi Krasniqi.

Heshtje varri në VV

Akuzat e ish-financuesit nga Amerika kanë hasur në vesh të shurdhër në VV.

Askush nga partia e Kurtit nuk ka kthyer përgjigje në akuzat e deklaratat e Krasniqit.

Vetëm analisti Sadri Ramabaja, i afërt fort me VV-në, dënjoi t’i përgjigjej Krasniqit.

Madje, aktivisti i Vetëvendosjes nuk e ka përmbajtur fjalorin në komentet për një deklaratë të ish-bashkëpartiakut Florin Krasniqi për liderin Albin Kurti.

Ramabaja e ka quajtur "pullazxhi nga Nju Jorku" Krasniqin, duke i thënë edhe se "ka ngatërruar profesionin".

Ramabaja përmendi vizitën e z. Kurti drejt SHBA-ve gjatë muajit maj si një dëshmi se Kurti nuk është në "no fly list" të SHBA-ve.

Tutje, analisti Ramabaja pretendoi se Krasniqi ka fyer edhe inteligjencën e popullit përmes deklarimeve që ai i quan "injorante".

Lajme të ngjashme