Vettingu, Byroja e Konfiskimit e korrupsioni, çka thotë Rezoluta e Parlamentit Evropian që VV po e citon - NACIONALE

Vettingu, Byroja e Konfiskimit e korrupsioni, çka thotë Rezoluta e Parlamentit Evropian që VV po e citon

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Një rezolutë e miratuar më 6 korrik nga Parlamenti Evropian është bërë temë diskutimi në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, ka shfrytëzuar këtë rezolutë për të treguar se Kosova, sipas tyre, asnjëherë nuk ka pasur imazh më të mirë.

E gjitha, vijon postimi i partisë së kryeministrit Albin Kurti, është rrjedhojë direkte e “qasjes së re për të ndërruar kursin e qeverisjes në vend”.

“Raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën thekson se Republika e Kosovës ka bërë përparim thelbësor në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë raport fjala ‘’korrupsion’’ përmendet vetëm 5 herë dhe atë nën konotacionin pozitiv të luftës ndaj këtij fenomeni”, shkruhej ndër tjerash në postimin e VV-së në Facebook.

Por, realiteti është pak më i komplikuar.

Dritëhijet e Rezolutës

Në fakt, përtej luftës ndaj korrupsionit, Rezoluta e Parlamentit Evropian flet për të gjithë sektorët e qeverisjes në Kosovë.

Në Rezolutë është vlerësuar gjendja në politikën e zgjerimit dhe reformave të ndërlidhura me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, demokraci e sundim të ligjit, të drejtat e njeriut, marrëdhëniet me fqinjët e pajtimin, reformat socio-ekonomike, energji, mjedis dhe transport.

Nga analiza e bërë nga gazeta Nacionale, raporti është i balancuar. Pra, ka lëvdata për Qeverinë në disa sektorë, por edhe kritika e thirrje për të vazhduar tutje me reforma.

Përderisa mirëpret përpjekjet e shtuara për të luftuar korrupsionin, Parlamenti Evropian nënvizon se është thelbësore zbatimi i strategjisë së sundimit të ligjit dhe planit të veprimit 2021-2026.

Rezoluta lavdëron Kosovën për ngritjen për 17 vende në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2021.

Për më shumë, Parlamenti Evropian ka edhe një thirrje në çështjen e sundimit të ligjit.

“Thërret autoritetet kosovare që të vazhdojnë forcimin e hetimit dhe ndjekjes penale të rasteve të krimit të organizuar, përfshirë rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të drogës, dhe të jenë më aktive në luftën kundër pastrimit të parave”, theksohet në raport.

Raporti përmend edhe çështjen e Byrosë së Konfiskimit, duke e ritheksuar domosdoshmërinë që një gjë e tillë të bëhet në pajtim opinionin e Komisionit të Venecias.

“Inkurajon Kosovën që të shtojë përpjekjet për të rritur kapacitetet e agjencive të zbatimit të ligjit, për të detyruar deklarimin e pasurisë dhe për të konfiskuar pasuritë kriminale; vë në dukje, në këtë kontekst, propozimin për një agjenci të re për konfiskimin civil të aseteve dhe rithekson domosdoshmërinë e marrjes plotësisht parasysh të opinionit të Komisionit të Venecias përpara se të vazhdohet me legjislacionin”, thuhet në këtë Rezolutë.

Njëjtë, Parlamenti Evropian ka sugjerime edhe për çështjen e vettingut në drejtësi.

“Thekson se vettingu duhet të përdoret si mjet i fundit dhe këmbëngul që rezervat e BE-së dhe SHBA-së për një paralizë të mundshme të sistemit të drejtësisë nuk duhet të shpërfillen”, thekson Rezoluta.

Ndërsa në lidhje me projekt-kodin civil, Parlamenti Evropian shprehu keqardhje për mosmiratimin e kësaj nisme ligjore të Qeverisë Kurti. Për më shumë, Parlamenti Evropian mbështet përfshirjen e partneriteteve të seksit të njëjtë në projekt-kod.

“Shpreh keqardhje për dështimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar draftin e Kodit Civil në leximin e parë, dhe bën thirrje për miratimin e tij pasi Kodi Civil të dorëzohet sërish në seancë plenare, gjë që do të sillte përparim të shumënevojshëm për qytetarët e Kosovës, veçanërisht në përmirësimin e kushteve të pjesëve më të cenueshme të shoqërisë kosovare, veçanërisht gratë, fëmijët dhe personat LGBTI+, dhe do të kishin një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës; shpreh mbështetjen e saj për përfshirjen e partneriteteve të të njëjtit seks në legjislacion, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksohet në Rezolutë.

Manastiri i Deçanit dhe serbët

Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokat e Manastirit të Deçanit është po ashtu e trajtuar në Rezolutë.

Në fakt, nuk ka asnjë risi në këtë kontekst. Ajo çfarë është shkruar në Rezolutë, është gjuhë e njëjtë e përsëritje e raporteve ndërkombëtare të mëparme.

Dhe si zakonisht, Parlamenti Evropian i ka kërkuar respektimin e vendimit të Kushtetueses, që ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë e parcelave të tokës.

“I kërkon qeverisë që t'i adresojë shqetësimet në mënyrë të duhur dhe të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për dhënien e parcelave të tokës Manastirit të Visoki Deçanit; është i shqetësuar se autoritetet ende nuk e kanë zbatuar këtë vendim gjyqësor, duke minuar kështu angazhimin e qeverisë për të zbatuar sundimin e ligjit dhe respektimin e saj për një gjyqësor të pavarur, si dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit; nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; i bën thirrje qeverisë të zbatojë një qasje joselektive ndaj konceptit të shtetit të së drejtës”, thuhet në raport.

E serbët e Kosovës janë temë edhe në një sektor tjetër. Parlamenti Evropian ka shkruar edhe për zgjedhjet serbe në Kosovë, të cilat nuk u lejuan të mbaheshin në vend nga Qeveria Kurti.

Për këte vendim, ky institucion evropian ka shprehur keqardhje.

“Shpreh keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë që mundëson mbledhjen e fletëvotimeve të votuesve me të drejtë vote për t'i lejuar ata të votojnë në territorin e Kosovës në zgjedhjet serbe të 3 prillit 2022, siç ka qenë praktikë më parë, me çka ka minuar angazhimin e qeverisë për të mbrojtur të drejtat civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë anëtarët e grupeve minoritare”, thekson raporti.

Edhe më dëshpëruese është pjesa e përfshirjes së serbëve të Kosovës në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Sipas Parlamentit Evropian, këto nisma janë të kufizuara.

“Shpreh keqardhje për faktin se iniciativat për të përfshirë komunitetin serb në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës janë shumë të kufizuara; i bën thirrje Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të përmbushin premtimin e tyre për t'iu përkushtuar dialogut të brendshëm dhe sinqerisht të angazhohen me organizatat e pavarura të shoqërisë civile në komunitetet serbe, veçanërisht në veri, me qëllim të integrimit të suksesshëm të tyre”, thuhet në këtë Rezolutë.

Lajme të ngjashme