"I sponsorizuar nga konkurrenca": Kompania që u përfol se e shiti mishin e Brazilit si të Kosovës i mohon akuzat - NACIONALE

"I sponsorizuar nga konkurrenca": Kompania që u përfol se e shiti mishin e Brazilit si të Kosovës i mohon akuzat

4 javë më parë

nga Mirlind Behluli

Kompania e përpunimit të mishit “Apetit” është duke u akuzuar se ka shitur mishin e Brazilit si mish të Kosovës. Megjithatë, kjo kompani ka mohuar raportimet, duke akuzuar se ato janë të sponsorizuara nga konkurenca në Shqipëri.

“Videoja dhe gjithë ky skandal është i sponsorizuar nga konkurrenca që ne si kompani e kemi gjetë në tregun shqiptar…Pyetja nuk është a është e vërtetë që e keni shkrirë mishin? Mishi i ngrirë duhet shkrirë për mu hangër. Edhe mishi i ngrirë i Brazilit, edhe mishi i ngrirë i Kosvës duhet me u shkri para se me u hangër” – thotë Arben Ferizi, njëri nga pronarët e kompanisë “Apetiti”.

Në përgjigjen e tij, Ferizi thotë se reportimi në mediumin në Shqipëri është manipuluar.

“Ka qenë një person i kompanisë tonë, por aty është një video që është copëzu, që nuk e paraqet bisedën reale që ne e kemi bo kur e kemi pritur klientin në fjalë…Ata (mediumi në Shqipëri v.j.) me zotësinë e tyre kanë arritur që të krijojnë një konfuzion, edhe që të dalin fjalët komplet nga koncepti” – vazhdon Idrizi, duke treguar se e ka mirëpritur lajmin që është ngritur një komision hetimor nga Ministria e Bujqësisë.

Çka ndodhi me “Apetitin”?

Emisioni hulumtues shqiptar, ‘Stop’ raportoi dy ditë më parë se kompania ‘Apetit shpk’, e ka shitur mishin me origjinë nga Brazili, si ‘mish i freksët nga Kosova’.

Ndërsa, në një përgjigje për RTK-në, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë me dije fillimin e hetimeve ndaj kompanisë.

“Prokuroria Themelore sipas detyrës zyrtare ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje” – ka thënë Prokuroria Themelore.

Në anën tjetër, dje në një përgjigje për Gazetën Nacionale, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterniarisë, Lamir Thaçi, ka bërë me dije se kanë ‘urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për biznesin në fjalë’.

“Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinë se produktit ushqimore( mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, dje njoftoi se ka marrë disa veprime në lidhje me këto dyshime për falsifikim të dokumenteve të AVUK-ut.

“Inspektori ne fjalë është dërguar në komision disiplinor ndërsa operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.

Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik.” – shkroi Peci.

Lajme të ngjashme