Fjala e myftiut: A i çoi Tërnava “selame” Kurtit për çështjen e familjes? - NACIONALE

Fjala e myftiut: A i çoi Tërnava “selame” Kurtit për çështjen e familjes?

3 javë më parë

nga Mirlind Behluli

Në ligjeratën e tij gjatë faljes së Fitër Bajramit, Naim Tërnava, myfti i Kosovës, zgjodhi të dërgojë disa mesazhe interesante. Përveç shpjegimit mbi rëndësinë e kësaj feste, Tërnava foli për disa tema, të cilat e kanë përçarë shoqërinë e pushtetin. Madje, mënyra se si foli, lehtësisht mund të lexohet si një mesazh ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Mesazhi nr. 1: Familja…tradicionale

Bashkësia Islame e Kosovës e ka të qartë mendimin për familjen. Më saktë, BIK-u, sikurse edhe bashkësitë e tjera fetare në Kosovës, e kundërshton zgjerimin e kufijve të familjes tradicionale, pra normalizimin e familjeve homoseksuale.

Në fjalën e tij, Tërnava vlerësoi se familja është element kyç i shoqërisë.

“Me të drejtë feja islame e ka vënë familjen në qendër të shqetësimeve të saj, pasi që e konsideron bazë për stabilitetin dhe mirëqenien e shoqërisë…Familja është element kyç dhe i parë ndërtues, bërthama bazë e formimit të një shoqërie. Mirëqenia e saj nënkupton mirëqenien e gjithë shoqërisë. Feja jonë islame i ka kushtuar vëmendje të madhe familjes. Familja kërkon lumturinë dhe stabilitetin. Ndërton jetën e saj mbi themelet e forta. Shtyllë themelore e strukturës shoqërore”, tha ai.

Mesazhi nr.2: Kundër nismave të Qeverisë Kurti

Myftiu Tërnava nuk ngurroi të fliste për debatet në shoqëri për temën e familjes. Natyrisht, me një gjuhë goxha të drejtpërdrejtë. Ndonëse nuk e përmendi me emër e mbiemër Kurtin, nga kontekst i fjalimit është lehtësisht e rrokshme që myftiu Tërnava po fliste pikërisht për pushtetin.

Përpjekjet për miratimin e projekt kodin civil, që njeh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, i quajti si përpjekje për “shkatërrimin e familjes”.

“Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet, por edhe debatet e shumta që po zhvillohen kohëve të fundit në vendin tonë për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh se këto përpjekje bien ndesh me identitetin, fenë dhe vlerat morale që posedon shoqëria jonë. Përpjekjet nëkëtë drejtim janë për shkatërrimin e familjes, zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bartë ky popull, ngase synohet një shoqëri qëjeton pa ndjenja të lidhjes emocionale me familjen, të afërmit, traditën, zakonet, dhe fisin, dhe ndikimin që këto elemente kanë në ruajtjen e kohezionit social dhe përkushtimin moralbrenda shoqërisë sonë. Duhet ditur se është urdhër hyjnor që familja duhet të jetë e kompletuar, ta dijë se kë e ka babë e nënë, gjysh e gjyshe, vëlla e motër”, tha Myftiu Tërnava gjatë hytbes.

Në fjalën e tij, Tërnava doli edhe kundër projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili ligj ka disa herë që ka dështuar për t’u miratuar.

"Si Bashkësi Islame e Kosovës jemi të shqetësuar me numrin e vrasjeve e vetëvrasjeve. Zoti thotë ‘ai që ka vrarë një njeri është sikur ta ketë vrarë krejt njerëzimin’. Kërkohet nga ne të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive. Nëse qëndrojmë pasiv, vetëvrasjet e vrasjes mes nesh do të jenë fatale për ardhmërinë tonë" – ka theksuar myftiu Tërnava.

Sjellim ndër mend se te dy këto nisma ligjore janë përkrahur nga kryeministri Kurti dhe VV-ja, ndonëse kishte edhe deputetë të kësaj partie që kundërshtuan hapur qëndrimin e kryeministrit.

Lajme të ngjashme