“Hapat e breshkës”, 4000 banesat e Kurtit për çiftet e reja ende veç në studim fizibiliteti - NACIONALE

“Hapat e breshkës”, 4000 banesat e Kurtit për çiftet e reja ende veç në studim fizibiliteti

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Banesat për çiftet e sapomartuara ishte premtim famoz i kryeministrit Kurti në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Katër mijë banesat e Kurtit, edhe pas një viti e gjysmë nuk shihen askund në horizont, derisa çmimet për metër katror janë më të shtrenjta se kurrë.

Banesat, sipas Kurtit, do të ndikonin në stopimin e ikjes së rinisë kosovare, të cilët edhe tash po e lëshojnë vendin me trend të njëjtë.

Madje, gjatë vitit të kaluar, vit që shënon ardhjen e Kurtit në pushtet, çdo ditë nga 117 të rinj lëshuan Kosovën.

“Banesat prej letre”

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, Kurti u pa të brengosej për çiftet e sapomartuara.

Për këtë kategori, Kurti premtonte se do të ndërtojë 4000 banesa ku do të përfitojnë po kaq bashkëshortë me një kosto lehtë të përballueshme për blerje.

“Do të kisha theksuar edhe një fenomen tjetër shoqëror, që është mungesa e banesave për çiftet e reja. Të gjithë jemi dëshmitarë se të rinjtë e të rejat në të njëzetat e tyre fejohen, edhe kalojnë vite të tëra e nuk martohen, se s’kanë ku të martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin banojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit dhe ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi”, theksonte Kurti.

Tutje, shefi i ekzekutivit, sqaronte se banesat janë një lloj pararoje për mosikjen e rinisë.

”Ndërkaq ne, infrastrukturë e mendojmë vetëm asfalltin e jo banesat për çiftet e reja. Banesat e reja janë tejet të rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia”, thoshte në njërën nga fjalimet e tij kryeministri Albin Kurti në atë kohë si lider opozite duke premtuar se me Vetëvendosjen në pushtet ndërtimi i këtyre banesave do të ndodhë.

Për jetësimin e këtij projekti, në 16 shkurtin e këtij viti, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe drejtori rajonal i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) që është anëtare e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për studimin e fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm.

Programi qeverisës pa detaje për realizimin e këtij projekti brenda mandatit

Në programin e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2021 – 2015, projekti për ndërtimin e 4000 banesave shtjellohet jo më shumë se në tri paragrafe, duke u theksuar se fillimisht këto banesa janë të destinuara për punonjësit e sektorit publik ndërsa kostoja vjetore e projektit thuhet se shkon në 22 milionë euro për vit.

“Kjo vlen si për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë, si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike. Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150x150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit”, thuhet programin e qevrisë.

Sipas llogaritjeve të qeverisë, në këtë kosto nuk përfshihet çmimi i tokës, sepse siç thuhet në program, komunat kanë në pronësi toka të cilat mund t’i ndanin për këtë kategori banesash.

Në bazë të llogaritjeve të Lëvizjes Vetëvendosje, shuma e plotë e këtij projekti nuk e kapërcen shumën prej 80 milionë eurove.

A është praktikisht e mundur kjo?

Në pikën programore rreth këtij projekti, i cili ishte publikuar në fillim të vitit të kaluar thuhet se kostoja 80 milionë është llogaritur duke e marrë parasysh çmimin e metrit katror për banesa, që Vetëvendosje në atë kohë thoshte se nuk shkon më shumë se 200 deri në 300 euro.

“Çmimi i ndërtimit për metër katror – Nëse marrim për bazë çmimet e tregut aktualisht, ndërtimi i një metri katror për banim kushton prej 200 deri 300 euro. Marrë parasysh sasinë e ndërtimit, mund të thuhet me siguri të lartë se çmimi i këtyre banesave nuk do të tejkalonte 250 euro për metër katror. Madhësia mesatare e një banese – Nëse krahasojmë madhësinë e në banese me një dhomë ndeje dhe dy dhoma gjumi, përfshirë edhe hapësirat e përbashkëta (korridoret, shkallët) atëherë del se mesatarja e metrave katror për një banesë do të duhej të ishte rreth 80 metra”, thuhet në programin qeveritar.

Mirëpo, në krahasim me vitin e kaluar, Kosova po ballafaqohet me një shkallë inflacioni mbi 14 për qind dhe çmimet në vend pothuajse janë dyfishuar.

Në këto shtrenjtime, nuk bën përjashtim as sektori i ndërtimtarisë, ku materialet ndërtimore janë shtrenjtuar rreth 50 për qind e rrjedhimisht edhe çmimi i banesave.

Rritjes së çmimeve s’i kanë shpëtuar as materialet ndërtimore. Krahasuar me vitin paraprak, çmimet janë rritur për 60 për qind.

Në një përgjigje të mëhershme për Nacionalen, Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka thënë se çmimi i banesave në Prishtinë tani është diku rreth 1300 euro. Pra, rreth katërfish më shumë sesa llogaritej nga qeveria në pikat programore të saj.

Gazeta Nacionale ka pyetur në ministrinë e Infrastrukturës se sa është i mundur që ky projekt të realizohet brenda mandatit duke e llogaritur tashmë edhe koston e lartë për ndërtim. Mirëpo, nga ky institucion nuk kanë dhënë përgjigje konkrete rreth kësaj pyetjeje.

Ministria e ka njoftuar gazetën se ka filluar faza e hartimit të studimit të fizibilitetit dhe me mbështetjen e IFC-së janë duke u bërë hulumtimet e këtij projekti.

Kurse destinacionet e ndërtimit thonë se janë të shpërndara në pesë komunat më të mëdha të vendit, siç është Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani dhe Mitrovica

“Janë mbajtur takime me përfaqësuesit e IFC-së, Koncerziumit të Kompanive konsulente, përfaqësuesit e MMPHI-së së bashku me përfaqësuesit e pesë komunave për të diksutuar zhvillimin e projektit në këto komponente”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por, nëse e marrim për bazë formën se si qeveria e ka prezantuar mënyrën e blerjes së këtyre banesave, e cila e ndan në dy mundësi, pra prej një kostoje prej 120 euro për 120 muaj dhe nga 150 euro për po kaq muaj, del se çmimi i një banese të tillë prej 80 metrash katror të variojë nga 14 mijë e 400 euro deri në 22 mijë e 500 euro. Pra, larg nga shuma reale sa mund të kushtojë një banesë e tillë aktualisht.

Përveç kësaj, vlera e metrit katror ka edhe një diskrepancë edhe varësisht nga komuna. Nëse e llogarisim shifrën e përmendur nga kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, një banesë me 80 metër katrorë në Prishtinë arrin shifrën mbi 100 mijë euro, e që ky çmim është shumë më i ulët në një komunë tjetër. Mirëpo, as në programin qeveritar e as në paraqitjet publike nga qeveria nuk kanë dhënë detaje të tilla shtesë.

I pyetur për këtë çështje në një intervistë për KTV-në, as ministri i Financave, Hekuran Murati nuk ofronte detaje se si do të jetësohet ky projekt, vetëm që zotohej se do të përfundojë.

“Do të bëhen, mandati është katërvjeçar dhe do të bëhen”, thoshte Murati, pa dhënë detaje shtesë as për mundësinë që 4000 banesa të ndërtohen në një kosto prej 80 milionë eurosh.

“Çkado që ka në programin tonë qeverisës do ta bëjmë”, thoshte ministri.

Lajme të ngjashme