A po i rrit çmimet diaspora? Propozohet që banesat të jenë 30% më lirë për qytetarët e këtushëm - NACIONALE

A po i rrit çmimet diaspora? Propozohet që banesat të jenë 30% më lirë për qytetarët e këtushëm

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë dhe 330 milionë vetëm në sektorin e patundshëmrisë. Vëllimi i lartë i investimeve të huaja në sektorin e patundshmërisë kryesisht i atribuohet diasporës së Kosovës.

Por a janë konkurentë të drejtë apo të padrejtë mërgimtarët në Kosovë dhe a ndikon blerja e banesave dhe patundshmërive tjera nga ana e tyre në rritjen e çmimit dhe rritjen e mjerimit për banorët e këtueshëm? Përmes këtij teksti do të provojmë të japim një përgjigje.

Çmimet e banesave si plot çmime të tjera kanë pësuar një rritje alarmante.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 16 për qind në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas ASK-së, materialet ndërtimore janë shtrenjtuar për mbi 20 për qind, çka ka bërë që të rritën edhe çmimet.

Kosova është vendi me popullsinë më të re në Evropë, dhe kjo bën që shumica e kësaj rinie të jetë në kërkim të ndonjë strehe të përhershme për të krijuar familjet e tyre të reja: blerje banese apo ndërtim shtëpie.

Nacionale ka pyetur njohës të fushës së ekomomisë për të kuptuar se a ndikon diaspora në ngritjen e çmimeve.

Avni Dervishi, veprimtar nga Suedia dhe njohës i mirë i ekonomisë, në një bisedë me Nacionalen ka treguar se si e sheh ai blerjen e banesave nga ana e Diasporës.

Dervishi ka thënë se blerja e banesave nga ana e mërgimtarëve ngrit çmimet në Kosovë.

“Po. Jam i bindur se blerja e banesave nga diaspora i ngrit çmimet në Kosovë e edhe në Shqipëri poashtu. Besoj se doemos duhet të krahasohen çmimet e psh, artikujve ushqimorë apo orendive. Ku pak para muajve të verës (dmth në fund të muajit maj) fillojnë e ngriten të gjitha çmimet e tjera. Unë besoj, se njësoj është edhe tek banesat, por me një dallim. Çmimet e larta të banesave qëndrojnë, ndërsa ato të tjerat ndodh që ulen pak.”, ka thënë ai.

I pyetur se a janë diaspora konkurentë të padrejtë në tregun e lirë të Kosovës, pasi një qytetar në Kosovë duhet të kursejë me gjatë për të blerë një banesë, Dervishi ishte i hamendur, por theksoi se duhet të jenë më lirë çmimet e banesave për qytetarët që jetojnë në Kosovë.

“Edhe po, e edhe jo. Po, sepse kuptohet se shtetet demokratike Perëndimore e kanë fuqinë ekonomike më të madhe se sa mesatarja e një banori të Kosovës. Jo, sepse paratë që hynë nga Diaspora në Kosovë janë njëra nga shtyllat kryesore që Kosova mund të mbahet e forcohet si shtet. Ndihmesat dhe investimet nga Diaspora (edhe nëse definohet si investim personal apo familjare në patundshmëri), prapëseprapë është investim në vendlindje.”, ka thënë veprimtari nga Suedia.

Po, po, por a e blejmë më shtrenjtë banesën apo shtëpinë ne të tjerët që jetojmë në Kosovë për shkak të mërgimtarëve tanë?

“Ndoshta, njerëzit me të ardhura më të ulta e që jetojnë në Kosovë tërë kohën, duhet t’i kenë së pakut 30% më lirë blerjen e banesave, se sa ne që jetojmë në Diasporë? Ka vende p.sh. qyteti turistik Åre këtu në Suedi, ku vendorët i kanë çmimet 30% më të ulta se sa ne që shkojmë nga qytetet e tjera të Suedisë për të bërë turizëm aty. Vendasit dmth ata/ato që jetojnë 100% në Kosovë, e që kanë të ardhura më të ulta se sa mesatarja e Kosovës, e të cilët kanë shtetësi të Kosovës, duhet t’i kenë çmimet më të ulta rreth blerjes së banesave.”, më tha ai.

Ai pati një thirrje ndaj ndërimtarëve nga Kosova dhe Shqipëria.

“Kosova e edhe Shqipëria, ata/ato që merren me ndërtime (nëse ka ndonjë organizatë ku ndërtuesit bashkëpunojnë) të krijojnë një sistem që e lehtëson marrjen me hua/qera të banesave dhe shtëpive për një muaj verës, kur vijnë diaspora.”, u shpreh ndër të tjera Dervishi.

Ndërkohë, Ardian Retkoceri, që është ligjerues i lëndeve të ndërmarrësisë në disa universitete në Zvicër, ka thënë se blerja e banesave nga diaspora nuk mund të ndryshojë çmimin e banesave në Kosovë.

“Në vendin tonë, industria e ndërtimtarisë është mjaft e fragmentuar, ka shumë investitorë, dhe blerësit kanë mundësi të zgjedhin më shtrenjtë apo më „lirë“. Unë besoj se blerësit në Kosovë e kanë pasur mundësinë e zgjedhjes ndërmjet llojit të apartmentit, çmimit më të lirë apo me të shtrenjtë. Sigurisht se për blerësit lokal, blerja e apartmentit nuk është e lehtë. Mirëpo, unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me çmimet e shtrejta, por me të hyrat e vogla. Ngritja e çmimeve të palujtshmërive në kohën e fundit është kryesisht si pasojë e rritjes se çmimeve të materialeve ndërtuese, tokës, dhe fuqisë punëtore. Fluksi i madh i të rinjve për të dalur e punuar jashtë Kosovës ka ndiku që të rriten edhe çmimet e fuqisë punëtore. Te gjitha këto komponente janë faktorë që ndërtojnë koston e një çmimi. Numri i madhe i ofruesve në treg nuk e lejon keqpërdorimin në çmim të shitjes. I vetmi ndryshim në çmim mund të jetë si rezultat i lokacionit, kualitetit, apo elementeve të tjera që ja shtojnë koston e ndërtimit.”, ka thënë ai.

Retkoceri për Nacionalen ka thënë se diaspora luan rol të rëndësishmë në zhvilliin e vendeve të reja të punës dhe se nuk e sheh si konkurente të padrejtë.

“Jo, unë mendoj të kundërten. Diaspora, me investime të tilla ndihmon direkt në krijimin e vendeve të reja të punës për vendasit, e që si rrjedhojë ju ndihmon edhe atyre që jetojnë e punojnë në Kosovë që të kenë mundësi të blejnë banesa. Tregun kosovar do ta ndihmonte edhe më shumë nese do të mund të prezentoheshin në vend edhe trendet evropiane për kredi hipotekare. Këto lloje të kredive aplikohen shumë në Evropë, dhe ju mundësojnë klientëve të tyre norma të interesi shumë të ulëta, edhe nën 1% vjetore. Për me tepër, mundësi të tilla do të rrisnin kërkesën për blerje më të madhe të banesave, ku si pasojë ndërtuesit do të duhej të ju kundërpërgjigjeshin me rritje të ndërtimeve, e ku në mënyrë direkte rritet kërkesa për fuqi punëtore. Përfundimisht, shteti ynë arketon më shumë taksa nga gjithë këto transaksione ekonomike.”, u shpreh ai.

Ndërsa i pyetur se çka blejnë më shumë diaspora në Kosovë, Retkoceri ka thënë se investimi më atraktiv i tyre ka qenë blerja e banesave.

Tashmë të gjithë pajtohemi se diaspora luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit tonë. Remitancat financiare - fondet e dërguara në atdhe nga diaspora që jeton jashtë vendit - janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për popullatën e Kosovës, duke përfaqësuar rreth 15 për qind të PBB-së së vendit në vitin 2021.

“Në kuadër të investimeve kapitale, më atraktivja për imigrantët shqiptarë nga Kosova ka qenë blerja e apartmenteve. Edhe pse kthimin e përhershem në atdhe nuk është që e kanë menduar, shumica e shqiptarëve nga diaspora synojnë që ta kenë së paku një apartment në vendlindje. Kësaj kërkese tashmë ndërtuesit dhe zhvilluesit e projekteve janë duke ju pergjigjur në mënyrë profesionale. Blerësit potencial nga diaspora kishin kërkesa kryesisht për apartmente që ishin në qytete ku ata mund të zhvillonin edhe aktivitete të tjera ditore.”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, ekonimisti nga Kosova, Nazmi Zeqiri ka thënë se nuk mund të thuhet se interesimi i mërgimtarëve për blerje të banesave ngrit çmimet e tyre.

“Në terma ekonomik, të ardhurat shtesë të fituara në shtetet tjera në fakt janë potencial i mirë zhvillimor. Edhe pse ky fenomen në masë të vogël mund të ndikoj në rritjen e çmimeve, nuk paraqet problem ekonomik apo çrregullim të tregut perderisa edhe me çmimet aktuale prapë ka kërkesë për blerje të patundshmerive. Prandaj interesimi në rritje i diasporës për blerje të banesave kurrsesi nuk mund të thuhet se është elementi kryesor për ngritjen e çmimeve të banesave. Në terma praktik, ndikim më të madh në ngritjen e çmimeve të banesave ka ngritja e çmimeve të materialit ndërtimor, fuqisë punëtore, burokracisë shtetërore/administrative se sa kërkesa në rritje për blerjen e patundshmerive nga diaspora”, ka thënë ai.

Zeqiri po ashtu ka thënë se “është detyrë e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të marrë masat e duhura, përmes politikave monetare dhe fiskale për të lehtësuar që qytetarët e Kosovës, me të ardhurat e fituara në Kosovë, të kam mundësi të blejnë patundëshmeri me masa lehtësuese”.

Nga cilat shtete na erdhën blerjet e banesave?

Gjermania është lider i investimeve të huaja në Kosovës. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe diaspora më e madhe kosovare në Evropë. Vlera e investimeve të ardhura nga Gjermania ishte 139.5 milionë euro nga totali prej 485.4 milionësh. Pas saj renditet Zvicra me 88.7 milionë euro, e që është diaspora e dytë më e madhe kosovare në Evropë.

Sipas raportit të BQK-së, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë në nivel thuajse të ngjashëm me vlerën e investimeve në Kosovë, me 51.2 milionë euro nga Austria dhe 51 milionë euro nga SHBA-të.

Pas këtyre vijnë shtetet si Shqipëria me 39.5 milionë euro investime në Kosovë, Sllovenia me 23.2 milionë, Turqia me 13.6 milionë, dhe shtete e tjera me investime nën 10 milionë euro.

Çka thotë programi i Qeverisë Kurti për Diasporën?

Përfshirja e mërgatës dhe diasporës në proceset politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore të Kosovës është një prej prioriteteve të rëndësishme të Qeverisë. Rëndësi të posaçme do t’i kushtohet rrjetëzimit të profesionistëve në mërgatë, ndërtimit të mekanizmave për transferimin e njohurive, ekspertizës, burimeve dhe krijimin e mekanizmave për përfshirje aktive në politikat zhvillimore.

Qeveria do të angazhohet në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit të pjesëtarëve të diasporës duke fuqizuar zhvillimin e mësimit plotësues në diasporë dhe në lehtësimin e shërbimeve konsullore në misionet diplomatike, si edhe krijimin e mundësive për votim nëpër misione diplomatike. Ligji për diasporën do të ndryshohet për të reflektuar ndryshimet institucionale.

Qeveria gjithashtu do të angazhohet në përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional brenda dhe jashtë vendit duke angazhuar mërgatën në diplomaci kulturore, ekonomike digjitale në mënyrë që të punojmë në promovimin e Kosovës.

Në këtë drejtim, do të ndërtojmë një strategji partneriteti 54 ku vlerësojmë mërgatën si një faktor që do të ushtrojë ndikimin e saj në vendlindje dhe anasjelltas përmes përfshirjes dhe angazhimit të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, angazhim direkt në sektorë të rëndësishëm në implementimin e politikave, prioritet në investime dhe bashkinvestime me biznese vendore. Në mënyrë që të koordinojë përpjekjet me diasporën, sektorin privat dhe partnerët e sektorit të tretë, qeveria do të ndërtojë një dialog të dyanshëm që të përfshijë zërat e të gjithë palëve të interesuara, e i cili duhet shtrirë në të gjitha sferat.

Lajme të ngjashme