Shtrenjtohen materialet ndërtimore, dyfishohet çmimi i ndërtimit të shtëpive e banesave
Shkruan: Halim Kafexholli
Sektori i ndërtimtarisë për çdo ditë po përballet me shtrenjtimin e çmimeve. E kohëve të fundit, si pasojë e krizës globale e nxitur nga lufta në Ukrainë, është karakterizuar me rritjen e kostove të materialit ndërtimor.
Ky sektor, që është me potencial të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit, këtë vit ka pësuar ulje të konsiderueshme në tempon e investimeve.
E ‘fajtori’ po konsiderohet të jenë rritja enorme e çmimeve të produkteve që përdorën për ndërtimin e banesave e shtëpive.
Gati dyfishimi i kostos së ndërtimit, pritet të ndikojë edhe në planet e qytetarëve për të blerë apo ndërtuar objekte banimi.
Kostoja e përgjithshme e ndërtimit po konsiderohet se ka shënuar rritje prej 85 për qind, ndërkohë që çmimet bazë si çimentoja e armatura e kanë tejkaluar 100 përqindëshin.
Zenel Hoxha, pronar i një depoje të materialeve ndërtimore në Malishevë, i tha Gazetës Nacionale se këtë lloj inflacioni nuk e kanë përjetuar asnjëherë më parë.
Sikurse në secilën krizë tjetër, ka shkaktuar huti e frikë të qytetarët, të cilët tashmë ngurrojnë të investojnë apo ndërtojnë hapësira banimi.
“Në kërkesë të blerjes ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Është njëfarë qetësie e çuditshme dhe njerëzit janë duke qëndruar si nëpër mjegull, se s’kanë pa kurrë një inflacion të tillë, dhe frika për me ndërtu diçka është shumë e madhe sepse çmimet ndryshojnë orë e çast”, thotë Hoxha për Nacionale.
Hoxha tregon me shifra ngritjen e çmimit të materialit bazë për ndërtim të objekteve banesore.
“Shembull, çimentoja, me çmim normal për thasë me shumicë, ka shku 3 euro e 80 cent, ndërsa sot shkon 7 euro e 50 cent. Ndërkaq edhe çmimi i armaturës ka rritjen prej plus 100 përqind. Armatura 12 milimetershe vitin e kaluar është shitur rreth 6 euro e gjysmë, ndërsa aktualisht është është 14 euro”, shpjegon Hoxha, i cili thotë se edhe çmimi I dërrasve që përdorën për nivelizime të mureve, nga 17 euro për metër katëror, këtë vit i shet për 28 euro e gjysmë.
Sipas këtij importuesi të materialeve ndërtimore, kosotoja e ndërtimit të një shtëpie është dyfishuar nga viti i kaluar.
“Për një shtëpi standarte, do me thënë deri në kulm, vitin e kaluar ka qenë e mundur të ndërohet me 15 mijë euro, ndërsa këtë vit për një shtëpi të standartit normal, kostoja arrin në 30 mijë euro”, thotë Hoxha.
Ndërkaq, Mendim Hoti, një tjetër imortues i materialeve ndërtimore siç janë konstruksionet e drurit për kulm, thotë që rritja e çmimeve të materialeve tjera ndërtimore, e ulë ritmin e veprimtarisë së tij.
Tutje Hoti thotë se edhe konstruksionet e drurit kanë pësur rritje të konsiderueshme.
“Për momentin ndikimi i fuqisë blerëse nuk ka rënje drastike, mirëpo pasojat sigurisht që kanë me qenë më të ashpëra 2-3 muajt e ardhshëm, sepse ndërtimi po pëson rënje të ritmit, dhe kryesisht po punohet nëpër shtëpi që njerëzit vetëm i kanë planifikuar apo janë kryer më heret pagesat. Dhe nëse ndalet pjesa tjetër e ndërtimit të shtëpive, sigurisht edhe ne që shesim material për kulm dëmtohemi edhe më tutje, thotë Hoti.
Tutje, Hoti thotë se në krahasim me vitin 2020 ka një rritje enorme të çmimeve
“Kubiku i lanëve vitin paraprak ka qenë 270 euro kurse sivjet është 300 deri në 305 euro. Pra, një trup i dimenzioneve që kërkohen më së shumti ka qenë 16 euro tash shitet për 18 euro për momentin. Mirëpo i njejti trup, pra standarti 6 metërsh para dy viteve është shitur për 11 apo 12 euro. 175 euro ka qenë kubiku para 2 viteve, tash është bë 300 euro”, sqaron Hoti.
Shqetësuese rritjen e çmimeve po e sheh edhe Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës Faton Hoxha.
Ai i tha Nacionales se për shkak të inflacionit të çmimeve, ka kërkesa për ndërprerjen e kontratave të operatorëve në Komunën e Prishtinës.
“Është e pamundur me çmimet që kanë qenë vjet ose para dy viteve me u përfundu një objekt edhe sivjet”, tha Hoxha.
Sipas të parit të ndërtimtarëve, vetëm çmimi i hekurit prej vitit 2020 e deri sot ka pësuar rritje prej 128 për qind.
“Nëse e marrim prej 22 shkurtit deri sot, dmth dy ditë përpara luftës në Ukrainë, hekuri është diku prej 28 përqind më shtrejtë. Çimentoja është dyfishu, druri 50 përqin e sipër më shtrejtë. Por këto janë vec si materialet bazë, masnej kemi edhe bllokat edhe krejt. Si total kemi ngritje për nja 85 për qind, pra është rritut komplet kostoja e ndërtimit”, thotë Faton Hoxha.
Sipas Hoxhës, Qeveria duhet ta bëjë një moratorium të ndërtimeve publike ose t’i shqyrtojë çmimet.
Megjithatë, deri më tani Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka krijuar lehtësira për këtë sektor, i cili përveç çimentos, të gjitha materialet e tjera i importon nga jashtë.
Vetëm në vitin 2021, sipas të dhënave nga Doganat, Kosova ka importuar mbi 460 milion euro materiale ndërtimore që kryesisht importohen nga vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Ditë më parë ishte raportuar se rritja e materialeve ndërtimore ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të metrit katëror për banesa.
Vetëm në Fushë Kosovë, ku çmimi një vit më parë ishte 500 euro për metër katror, është ngritur në 650 për metër katror.
Ndërkaq në Prishtinë, në lagjet më të përshtatshme për banim, çmimi i metrit katëror sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve arrin çmimin 1,000 euro.
Sipas të dhënave të Agjensisë së Statistikave të Kosovës, të cilat datojnë nga viti 2011, kur për herë të fundit u krye regjistrimi i popullsisë, janë gjithsej 248 mijë objekte të banimit me të paktën një banor.