Kurti e Osmani nisen në Amerikë për një punë të Rizvanollit: Përdoret alibia "takime tjera" - NACIONALE

Kurti e Osmani nisen në Amerikë për një punë të Rizvanollit: Përdoret alibia "takime tjera"

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dita e sotme gdhiu me një lajm mjaft interesant nga institucionet kryesore të vendit: Kryeministri Albin Kurti do të udhëtojë sërish në ShBA dhe me vete do të ketë presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin. Çka dimë deri tash për këtë vizitë?

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar njoftimin për udhëtimin e tre pushtetarëve të lartpërmendur, derisa ka treguar edhe arsyen për një gjë të tillë.

“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë.” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Sidoqoftë, meqë nënshkrimi i marrëveshjes mund të bëhej nga vetëm ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, duhet të ketë arsye të tjera shtesë për udhëtimin e kryeministrit dhe presidentes së vendit.

Takime tjera

Në njoftim jepet vetëm një fjali e shkurtër dhe joinformuese:

“Ndërkaq gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata do të zhvillojnë edhe takime të tjera.”

Por, çka thotë Zyra e Presidencës që udhëhiqet nga Vjosa Osmanin për takimin?

“Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.” – është arsyetimi i dhënë.

Pikërisht shpresa për takime tjera mund të jetë arsyeja qëndrore për udhëtimin e kryeministrit dhe presidentes.

Duhet kujtuar se gjatë vizitës së fundit 18 ditore të kryeministrit Kurti në ShBA, ai nuk kishte arritur të takonte zyrtarë të lartë të administratës së Joe Biden, për çka edhe ishte kritikuar nga eksponentë të shoqërisë civile dhe opozitës vendore.

Gjatë asaj vizite në muajin maj, ishte përmendur nga përkrahësit e Kurtit edhe një takim i mundshëm me Zv.Presidenten Kamala Harris, por i cili fatkeqësisht nuk kishte ndodhur.

MCC

Bordi i Korporatës MCC ka aprovuar grantin prej 202 milionë eurosh për të përmirësuar sektorin e energjisë në Kosovë.

Kjo dihej që nga data 30 qershor kur kishim pasur një komunikatë nga zyra e shtypit të kësaj korporate.

“Vendimi i sotëm i Bordit paraqet fazën e re të partneritetit me Qeverinë e Kosovës dhe vazhdimësinë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ardhme më të mirë për gati 2 milionë kosovarë,” – kishte thënë Alice Albright që drejtonte MCC-në.

Por, se Granti do të jipej dihej tash e më shumë se tetë muaj derisa se ishte dhënë dihej tash e gati një muaj.

Përveç kësaj, nënshkrimi mund të jepet – e besojmë edhe se do të jepet – nga ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli.

E gjithë kjo, shoqëruar me shpjegimet gjysmake të Presidencës dhe Kryeministrisë, e bën udhëtimin e Kurtit dhe Osmanit drejt ShBA-ve një udhëtim të çuditshëm dhe enigmatik.

Lajme të ngjashme