Kurti u takua me Jake Sullivanin në SHBA: Sa është i rëndësishëm Këshilltari 'i paepur' i Sigurisë Kombëtare?
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është kritikuar vazhdimisht për mungesën e takimeve me zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë në vizitën e tij të gjatë në Amerikë. Por, ai sot e theu akullin dhe u takua me një këshilltar të presidentit Biden. Sa është i rëndësishëm ky këshilltar?
Për takimin e kryeministrit me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, njoftoi Zyra e Kryeminsitrit Kurti e cila nënkuptoi se kryetemë e takimit ishte invazioni rus në Ukrainë.

“Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon”, njoftoi kjo Zyrë.
P O Z I C I O N I
Siç mund të kuptohet nga pozicioni, Jake Sullivan është këshilltar për Siguri Kombëtare. Ky Këshilltar shërben si këshillitari kryesor i Presidentit të SHBA-ve në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Roli i Këshilltarit për Siguri Kombëtare ndryshon nga administrata në administratë dhe varet nga stili i menaxhimit të presidentit në detyrë.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare ishte krijuar me fillimin e Luftës së Ftohtë më 1947.
Lista e Këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare përfshin personalitete të larta të jetës publike amerikane si Gordon Gray, Henry Kissinger, Colin Powell, Condoleezza Rice, Michael Flynn, John Bolton dhe Robert C. O’Brien.

Nuk dihen arsyet pse Kurti është takuar pikërisht me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-ve, marrë parasysh që çështja e Kosovës nuk lidhet me autoritetin e Këshillit në fjalë.
Jake S U LL I V A N
Jake Sullivan ka lindur më 28 nëntor 1976. Është këshilltari më i ri i Sigurisë Kombëtare tash e 60 vjet, dhe ka pasur role të rëndësishme para se të emërohej në pozicionin aktual nga Joe Biden.
Paraprakisht, ai kishte qenë këshilltar i Hillary Clintonit gjatë ciklit të zgjedhjeve preliminare e më pas i Barack Obamas në zgjedhjet e përgjithshme. Ai kishte përgatitur edhe Clintonin por edhe Obaman për debate. Pasi ishte bërë zëvendës-shef i Stafit të Hillaryt kur kjo ishte bërë Sekretare e Shtetit, Jake Sullivan kishte udhëtuar në 112 shtete të ndryshme.

Komentatori Philippe Reines e komentonte me këto fjalë tallëse punën e z. Sullivan: “Në fund, ai ishte e vetmja qenie njerëzore që kishte shkuar në 112 shtete me Hillaryn. Kapaciteti i tij për punë është kaq bezdisës.”
Në një artikull të publikuar në Politico e të titulluar "Ngritja e paepur e Jake Sullivanit", tregohej në mënyrë interesante rrëfimi për ngritjen spektakolare në karrierë të këtij njeriu të Shtëpisë së Bardhë.
Qëllimi i tij dhe administratës Biden, dukej i qartë në njërin prej këtyre komenteve të dhëna pasi kishte marrë pozitën e këshilltarit: “të mbështesim aleatët tanë në luftimin e korrupsionit dhe kleptokracisë, dhe t’i mbajmë përgjegjëse sistemet e autoritarizmit kapitalist për më shumë transparencë dhe pjesëmarrëse në sistemin e rendit dhe ligjit.”
Siç e përmendëm më lart, kryetema e takimit Kurti-Sullivan – të paktën sipas Zyrës së Kryeministrit – ishte ajo e luftës në Ukrainë. Megjithatë, pyetja kryesore që shtrohet është: a mund të ‘blejë’ Kurti përmes z. Sullivan një takim me presidentin Joe Biden?