Raportohet se emisarët e Trumpit do t’i vizitojnë Moskën dhe Kievin në fundjavë - NACIONALE

Raportohet se emisarët e Trumpit do t’i vizitojnë Moskën dhe Kievin në fundjavë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do t’i vizitojnë Rusinë dhe Ukrainën këtë fundjavë, thuhet në disa raporte, kur përpjekjet për përfundimin e luftës duket se po marrin ritëm.

Emisarët do të takohen të shtunën në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe më pas do të zhvillojnë bisedime të dielën në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton mediumi amerikan “Axios”, duke cituar zyrtarë amerikanë.

Witkoff-i dhe Kushneri i kanë udhëhequr përpjekjet e presidentit Donald Trump për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes, por palët ndërluftuese ende kanë mospajtime.

Më herët të premten, Zelensky tha se një dron rus e goditi zyrën e shefit të sigurisë të Ukrainës, Oleksandr Poklav, në Kiev. Duket se ai ka shpëtuar pa u lënduar.

Dy emisarët amerikanë e kanë vizituar Rusinë disa herë, por bisedimet e raportuara do të jenë të parat për ta në Ukrainë, transmeton televizioni BBC.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”, tha se emisarët “pritet të arrijnë në Moskë e pastaj në Kiev... më 5 – 6 shtator”, duke cituar një burim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry peskov, më vonë para gazetarëve tha: “Unë nuk do të njoftoja asgjë, por kur këto kontakte ndodhin, do t’ju njoftojmë.”

Ndërkohë, Putini tha në një forum ekonomik ndërkombëtar të enjten se “ka gjasa” që një marrëveshje e paqes mund të arrihet.

Megjithatë, ai nuk tregoi shenja të sprapsjes nga kërkesat maksimaliste, përfshirë koncesionet territoriale nga Ukraina.

Lajme të ngjashme