Frika e Albin Kurtit
Ajo që ndodhi përgjatë 20 ditëve me barrikada, dhe përgjatë pesë muajve me tensione në veri, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë si asgjë. Nuk ishte thjesht “Shumë zhurmë për asgjë”, një komedi hamletiane me fund të mirë. Ishte një zhurmë që prodhoi dëme të pandreqshme për vendin tonë e që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë.
Ka zëra që thonë se e gjitha ishte një farsë që kishte për qëllim ta bënte më të pranueshme për popullin një marrëveshje të keqe. “Tension për koncesion!” – shkruhet në disa grafite të PSD-së. “Tension për asociacion!”- në disa tjera. Unë pajtohem veç pjesërisht me një gjë të tillë. Tensioni ishte farsë veç për sa i takon Serbisë. Serbia nënshtroi ata shumë zëra kritikë të serbëve të Kosovës. Por, pas tensioneve të fundit mësuam që Kosova ishte në fakt thjesht pësore në gjithë atë që ndodhte dhe kësisoji mbeti e fyer dhe e poshtëruar!
As Kosovës e as Kurtit nuk i konvenojnë tensionet. Populli i Kosovës nuk lodhet fort me përmbajtjen e marrëveshjes me Serbinë. Nuk është lodhur fort për asnjë prej marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Populli i Kosovës lëngon për politika zhvillimore – thithje të investimeve të jashtme direkte, krijim të vendeve të reja të punës, rritje të ndërmarrësisë, rritje të pagave e mirëqenies – në mënyrë që ta frenojë ikjen shqetësuese të të rinjve. Pra, Kosova e kryeministri Kurti s’e kishin luksin të merrnin pjesë në krijim të rrenave që patën pasoja të vërteta e të rënda.
Ndasia etnike sot më 4 janar është më e thellë se asnjëherë tjetër përgjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit. Por, në këtë gjendje ‘pësore’ ndaj dramave të Vuçiqit nuk erdhëm fare rastësisht. Aty ndryhet një emocion njerëzor. Një emocion i një njeriu të vetëm në Kosovë.
Lufta u bë kryefjalë e fjalorit të kryeministrit Kurti. Marrë parasysh rrethanën ku shtrihet – në një vend të dalë nga një luftë shkatërruese e ku narrativa nacionaliste është më e fortë se gjithçka tjetër – kjo fjalë bën kërdi në ndaljen e çfarëdo mundësie për ndryshim a zhvillim. Por, Kurtit s’i bënte. Ai e përmendi luftën bile edhe në pushimet verore në Greqi. E përmendi edhe kur kërkonte thithje të investimeve të jashtme direkte nëpër shtete të ndryshme perëndimore. E përmendi sepse i druhej përnjëmend një agresioni ushtarak nga Serbia.
Më kujtohet se si presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, pak para se të kriste lufta në vendin e tij i thoshte Perëndimit “të mos krijonte panik”. Ai nuk besonte plotësisht që Rusia përnjëmend do të sulmonte por njëkohshëm edhe nuk donte të trembeshin investitorët e jashtëm. Në anën tonë, kryeministri u duk krejt i pashqetësuar dhe pandjeshëm për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Për ‘ndryshimin’ që kishte ardhur ta bënte. Ai iu rrek një rruge iluzore të shmangies së luftës me Serbinë.
Ai propozoi traktat mos-sulmimi me Serbinë qysh në verën e vitit 2021. Pra, filli i frikës së tij nga agresioni serb nuk datonte prej 24 shkurtit kur Rusia bëri agresion në Ukrainë. Ishte më i hershëm. E bile, nëse kemi durim të gjejmë intervistat e Kurtit nëpër televizione gjatë kohës sa ishte opozitar, vërejmë se ajo frikë ishte shumë shumë më e hershme. Qysh në vitin 2015 ai paralajmëronte luftë. Por, agresioni rus në Ukrainë e trembi me themel.
Kurti prej asaj dite e bëri politikë shtetërore praninë nëpër media perëndimore që ta ‘ndërgjegjësonte’ opinionin e atjeshëm se Serbia mund të na sulmonte. Kjo u duk si një përpjekje për ta forcuar pozicionin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve fillimisht. Por, ja që na del se ishte thjesht dhe vetëm shprehje e një frike të jashtëzakonshme. Ai hoqi dorë nga çfarëdo qëndrimi shtetëror (s’po flas këtu për qindra qëndrime të shkelura prej tij të kohës si opozitar). Lëshoi dorë për energjinë. Pastaj, tinëz edhe për letërnjoftimet ilegale. Pastaj, në sy të botës edhe për targat ilegale. Pastaj, edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore. E në fund, po tinëzisht, edhe për rendin dhe ligjin në po ato komuna. Por, kjo sekuencë s’duket që ka një fund.
Qysh në ditën e parë të vitit 2023, ai kërkoi trupa shtesë të KFOR-it në Kosovë. Gati secili kosovar e di që mjaftojnë edhe thjesht dhjetëra ushtarë amerikanë për të garantuar sigurinë e Kosovës, por jo edhe kryeministri që ka në dorë të gjitha institucionet e vendit.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rris sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – tha ai.
S’ka dyshim që është e vështirë të imagjinohet Kurti i frikësuar nëse e mendojmë nga perspektiva e fjalëve të tij gjatë kohës si opozitar. Por, nëse shohim tablonë e madhe atëherë s’do të kemi kurrfarë dyshimi për një gjë të tillë.
Para disa muajsh, e kisha shkruar një replikë ndaj një shkrimi të Berat Buzhalës të titulluar “Pse i besoj Albin Kurtit, kur paraqitet servil ndaj Amerikës?”
“Ai arrin ta kuptojë sasinë e pabesueshme të privilegjeve që mban si individ në një ekonomi të tregut të lirë. Arrin ta kuptojë edhe sasinë e pabesueshme të pushtetit që ka mbledhur si politikan.” – shkruaja aty. Për fat të keq, në atë kohë Buzhala (megjithëse më vonë do ta pranonte se unë e kisha mirë e ai gabim publikisht) nuk e pranonte një gjë të tillë duke besuar te një lloj idealiteti i kryeministrit. Në fakt, Kurti është thjesht dhe vetëm 30 vjeçari i rritur me privilegje i vitit 2005 që papritmas e kishte kuptuar që ndodhej i humbur në tregun e punës ndërkohë që nuk kishte energji për t’iu rikthyer studimeve. Kurti është ai politikan që më 2005 mu për shkak të paperspektivës individuale – prej të cilës vuajnë sot dhjetëra mijëra qytetarë – do të kërcente në politikë. Pa ide, pa ideologji, pa bindje, pa asgjë. Thjesht me një fjalor më të pasur se liderët e UÇK-së. E tash, ky 30 vjeçar i 2005-s ka mbledhur rreth vetes aq shumë privilegje – me gruan e vajzën në Osllo të Norvegjisë - sa frikësohet irracionalisht se mund t’i humbë për të mbetur sërish thjesht dhe vetëm 30 vjeçari i papunë i 2005-s.
Dhe mu këtë frikë irracionale e ka shfrytëzuar e po e shfrytëzon vazhdimisht Serbia. Dhe mu këtë frikë të këtij personi, po e trajton plani franko-gjerman që nuk i sjell asgjë Kosovës – përveç garancisë se nuk do të sulmohet - e ndërkohë i sjell gjithçka Serbisë, përfshirë Asociacionin dhe dorën e hekurt mbi punët e brendshme të Kosovës.
Meqë ra fjala, çka ndodhi me njohjen në qendër?