Parandjenja nga Greqia: 'Dorëheqja' e kryeministrit është dhënë - NACIONALE

Parandjenja nga Greqia: 'Dorëheqja' e kryeministrit është dhënë

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Kryeministri i Kosovës ka hequr dorë nga punët e tij me të cilat është ngarkuar, dhe për një gjë të tillë ka prova sa të duash.

Po e lexoja me kujdes një fjalim të Albin Kurtit në simpoziumin e Symit në Greqi. E kisha lexuar edhe të mëparshmin në Tryezën e The Economist. Nuk më bezdiste që ishin të njëjtat fjalë, të njëjtat fjali, e i njëjti formulim! E dija që diku do të hasja në diçka interesante. Dhe pata të drejtë: hasa në një parandjenjë!

“Unë nuk them që ata (Serbia) do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre. Nuk mendoj që jemi episodi numër dy. Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre.” – tha Kurti.

Pra, kryeministri i Kosovës bën formulime fjalish politike mbi parandjenja. Për më tepër, parandjenja që nuk shtrihen mbi situata të dhëna, por mbi situata hipotetike. Pra, ekziston një ‘nëse’ dhe një ‘atëherë’, dhe merreni me mend ky ‘atëherë’ shtrihet mbi parandjenjë. Ta thjeshtojmë: ka parandjenjë mbi atë që as nuk e parashikon se do të ndodhë!

Por, ky është vetëm “episodi numër dy” i një dorëheqjeje të dhënë shumë kohë më parë, ndoshta qysh në muajt e parë të qeverisjes së tij, gjatë verës së kaluar. Ai sot është kthyer nga Greqia ku qëndroi për më shumë se një javë, prej 5 korrikut. Udhëtime krejtësisht të pafrytshme kishte edhe muajin e kaluar, qershor, siç kisthe edhe në muajin maj kur ishte në Amerikë.

Ish kryetari i VV-së, Visar Ymeri, në një bisedë në Podcast Nacionale më kishte thënë se Albini po “mërzitet nga punët burokratike” të kryeministrit. Por, kjo mërzi – edhe nëse ekziston – ka pasojat e saj. Dhe unë besoj që pasoja më e madhe është ndjenja e dërrmimit (being overwhelmed).

I dërrmuar është ndjerë kur e ka përshkruar veten si “punëtor me hillt”, pra si një punëtor i vetmuar, duke i nënçmuar kësisoj – ndoshta, me të drejtë – të gjithë vartësit e tij. Por, kjo gjendje dërrmimi ka po ashtu pasoja. Dhe, përshtypja ime është se në këtë pikë kemi të bëjmë me një dorëheqje joformale prej anës së tij. Sado e pabesueshme të duket, shenjat për një gjë të tillë janë të shumta.

Ai ka hequr dorë prej shumicës dërmuese të qëndrimeve të shprehura më parë. Ka emëruar për kryenegociator Besnik Bislimin, për të cilin jam i bindur se e di edhe vetë që është i pazoti. Ka adaptuar fjalorin e kryeministrave e pushtetarëve të mëhershëm. Ka përgatitur një program qeverisës fëmijëror. Ka qenë plotësisht letargjik sa i përket masave për të sfiduar krizën ekonomike me rritje alarmante çmimesh, të cilën madje as nuk e pranon. Skandalet me korrupsion e me familjarë të punësuar të vartësve të tij. Ndërkohë, siç iu evidentua dje, postimet më të shpeshta nuk i ka për punë të bëra por për përkujtime e urime. Dhe së fundi, ka nënshkruar zbatimin e dy marrëveshjeve për energjinë që sipas tij minojnë sovranitetin e Kosovës, me kryenegociatorin e tij që u zbulua që s’e dinte as përmbajtjen e asaj që kishte nënshkruar.

“Unë po bëj pranimin minimal të realitetit, për ndryshimin maksimal të tij,” – ishte deklarata e tij jologjike e përsëritur e ripërsëritur për të arsyetuar nënshkrimin.

Në intervistën e tij të fundit në gjuhën shqipe, thënë për një gazetar joserioz me emrin Çim Peka, ai pa veten në nivelin ku kishte rënë. Agjendës shtetërore të Kosovës që e bartte me vete kryeministri iu mbivendos agjenda vetjake e gazetarit për sulme ndaj Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë. Gati çdo pyetje niste me një sulm për Ramën, me gazetarin e çinteresuar për zhvillimet politike në Kosovë.

E kur jemi te Rama, kemi një shenjë tjetër dorëheqjeje. Rama u tall e luajti me fjalë në mënyrë të papranueshme me të, një natë pasi kishte takuar disa prej gazetarëve më kritikë të tij. Kurti u hesht dhe u mjaftua me një gjuhë tepër burokratike, si të diplomatëve të parëndësishëm në Bashkimin Evropian. Asnjë goditje e kthyer, qoftë edhe tërthorazi.

Dhe tash, erdhëm te parandjenja mbi situata hipotetike!

Natyrisht, unë nuk besoj që kjo dorëheqje joformale do të formalizohet e materializohet. Do të ishte tepër e turpshme. Në anën tjetër, besoj që ndjenja e dërmimit duhet të sfidohet nëse nuk duam të kalojmë në një qeverisje traumatike që mund t’i shtojë pasojat e këtij një trohë vendi.

Lajme të ngjashme