Kurti e nis vitin 2023 me kërkesa: Të rritet numri i ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të KFOR-it
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se një rritje e numrit dhe mjeteve ushtarake të NATO-s, do të ndikonte në rritjen e paqes në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në një prononcim për të përditshmën gjername “Welt”, Kurti ka folur rreth përkeqësimit të situatës në veri, derisa tani janë larguar barrikadat.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe mjeteve ushtarake të NATO-s… do të rrisë sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – ka thënë ai.
Por siç shkruan mediumi gjerman, sipas ekspertëve, tensionet nuk kanë përfunduar ende.
Kurti ndërkaq, citohet të ketë thënë: 16 barrikada në katër komunitete veriore të Kosovës dhe burra të veshur me maska në fytyrë dhe shenja të forcës mercenare ‘Wagner’ dhe ‘Ujqërve të natës’ (Russian Morrradclub, red.) në uniformat e tyre të errëta, ndërsa valëvitnin flamuj me mbishkrime ‘Lutu Zotit dhe mbaju fort pas Rusisë’ e bën të qartë nevojën për trupa shtesë të NATO-s, ashtu si edhe grumbullimi i trupave dhe artilerisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe deklaratat e vazhdueshme ogurzeza nga shtetet serbe dhe ruse”.
“Kërkesë” pas tensioneve në veri?
Barrikadat në veri filluan të hiqen mëngjesin e së enjtes, e të cilat qëndruan për 20 ditë, duke bllokuar lëvizshmërinë e qytetarëve. Mëngjesi i së enjtjes u çel me djegien e 2 kamionëve që bllokonin një lagje në veri të vendit.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur "Shkëmbi i Dudës" në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar.” - thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kujtojmë që dërgimi i ish-policit Pantiq në arrest shtëpiak derivoi në një shtensionim të situatës në veri. E pas ndryshimit të masës së paraburgimit, barrikadat, që ishin vendosur si shenjë proteste ndaj arrestimit të Pantiqit, filluan të largoheshin.
Për krejt këtë çështje, dje Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian lëshuan një komunikatë, ku theksoj se ShBA-ja dhe BE-ja kanë pranuar garanci nga lidershipi politik në Kosovë se nuk do të kishte lista të arrestimeve për qytetarët e barrikaduar.