Katër mënyra se si lufta në Ukrainë ka ndikuar në Lindjen e Mesme
E mërkura ka shënuar gjashtë muaj që kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës. E ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë fqinjin e saj, ajo që është bërë lufta më e madhe evropiane që nga viti 1945 ka pasur një ndikim të madh edhe në Lindjen e Mesme.
Një rajon i paqëndrueshëm me një sërë problemesh ekzistuese, Lindja e Mesme nuk ishte përjashtim nga përçarjet e shkaktuara nga konflikti në Evropë - me mungesë ushqimi dhe inflacion që shkakton frikën e trazirave politike në mes të një tërheqjeje lufte për aleatët midis Rusisë dhe Perëndimit.
Por ndërsa luftimet vazhdojnë, disa nga vendet e rajonit kanë përparuar jashtëzakonisht shumë duke shtuar qindra miliarda dollarë në arkat e tyre.
CNN sjell katër mënyra se si lufta në Ukrainë ka ndikuar në Lindjen e Mesme gjatë gjashtë muajve të fundit:
Eksportuesit e energjisë po fitojnë para
Lufta ka bërë që çmimet e naftës të rriten deri në nivelin më të lartë të 14 viteve. Kjo ka rezultuar në rritje të inflacionit dhe tkurrje ekonomike globalisht, por për shtetet e pasura me energji të Gjirit Persik, është një lajm i mirë që vjen pas një rënieje ekonomike tetëvjeçare të shkaktuar nga çmimet e ulëta të naftës dhe pandemia Covid-19.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që shtetet eksportuese të naftës në Lindjen e Mesme në katër vitet e ardhshme do të kenë të ardhura shtesë prej 1.3 trilion dollarësh nga nafta.
Paratë shtesë do të thotë se shtetet e Gjirit do të kenë suficit buxhetor për herë të parë që nga viti 2014. Poashtu pritet që rritja ekonomike të përshpejtohet ndjeshëm. Për shembull në katër muajt e parë të këtij viti ekonomia saudite u rrit me 9.9%, më e larta në një dekadë. Në kontrast të plotë me ekonominë amerikane e cila u tkurr me 1.5%.
Lufta poashtu ka sjellë mundësi edhe për prodhuesit e gazit në rajon. Për dekada, vendet evropiane zgjodhën të importonin gaz nga Rusia nëpërmjet tubacioneve në vend që ta merrnin atë nga vendet e largëta përmes detit. Por ndërsa Evropa largohet nga gazi rus, ajo është duke kërkuar partnerë të rinj potencialë për të blerë. Katari është vendi që ka premtuar gjysmën e kapacitetit të tij total të gazit për Evropën në katër vjet.
BE-ja ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje gazi me Egjiptin dhe Izraelin, të dyja qendra aspiruese të gazit natyror në rajon. E në një vizitë në Paris këtë muaj, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan nënshkroi një marrëveshje që garanton eksportin e naftës nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Francë.
Njerëzit e fortë ndihen më trima
Të fortët rajonalë që dikur janë kritikuar ashpër nga Perëndimi, duket se janë kthyer në formë.
Pavarësisht se u zotua për hakmarrje ndaj Arabisë Saudite, presidenti i ShBA-së, Joe Biden në një udhëtim historik të muajit të kaluar vizitoi Arabinë Saudite. Kjo lëvizje ndaj mbretërisë u bë me shpresën se do të prodhonte më shumë naftë dhe do të zbuste inflacionin global përpara zgjedhjeve afatmesme që do të mbahen në nëntor në ShBA. Megjithatë, ky veprim kryesisht dështoi, pasi karteli i naftës OPEC+ në krye me Arabinë Saudite zgjodhi të bëjë vetëm një rritje modeste të prodhimit të naftës, të cilën një analist e përshkroi si një "shuplakë në fytyrë" për Biden.
Lufta, gjithashtu ka lejuar që presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të pozicionohet si një figurë e domosdoshme në rendin ndërkombëtar. Përballë një ekonomie në rënie dhe zgjedhjeve që do të mbahen në vitin e ardhshëm, Erdogan ka përdorur me mjeshtëri pozicionin gjeopolitik të vendit të tij për të nxjerrë koncesione për Turqinë jashtë vendit duke vonuar pranimin e vendeve nordike në NATO.
Erdogan gjithashtu ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë, duke kundërshtuar në të njejtën kohë publikisht luftën në Ukrainë, duke shitur dronë e duke ndërmjetësuar mes palëve ndërluftuese.
Aleancat po ndryshojnë
Ndërsa lufta po ndryshon rrugët tregtare, ashtu po ndryshojnë edhe aleancat.
Këshilltari i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Anëar Gargash, tha në prill se lufta ka dëshmuar se rendi ndërkombëtar nuk është më unipolar me Shtetet e Bashkuara në krye të tij dhe vuri në dyshim supremacinë e vazhdueshme të dollarit amerikan në ekonominë globale.
Abu Dhabi, tha ai, po rivlerëson aleancat e tij.
"Hegjemonia perëndimore në rendin global është në ditët e fundit të saj," shtoi ai.
Ndërkohë, ambasadori i vendit në ShBA tha në fillim të këtij viti se marrëdhënia e tij me Uashingtonin po kalonte një "test stresi" pasi Emiratet e Bashkuara Arabe iu bashkuan Indisë dhe Kinës në abstenimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbështetur nga ShBA-ja që dënonte luftën e Rusisë në shkurt.
E ndërsa marrëdhëniet me Perëndimin janë në rivlerësim, duke se lidhjet me Kinën janë duke u rritur.
Muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe iu referuan vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosit në Tajvan si "provokuese", duke theksuar mbështetjen për politikën e ‘një Kine’. Arabia Saudite gjithashtu e ka promovuar Kinën si një alternativë ndaj ShBA-së, duke rritur bashkëpunimin ushtarak me Pekinin dhe duke konsideruar shitjen e naftës në juanë.
Presidenti kinez Xi Jinping, i cili nuk ka bërë asnjë udhëtim jashtë vendit që nga hyrja në fuqi e kufizimeve të Covid-19, pritet që brenda vitit të bëjë një udhëtim historik në mbretëri.
Krizat e ushqimit dhe inflacionit rrisin tensionet
Pas pushtimit të Ukrainës, pjesa më e madhe e botës ndjeu ndikimin e ndërprerjeve të dërgesave të grurit, por ndër vendet më të goditura ishte Lindja e Mesme.
Duke qenë se treth një e treta e grurit në botë vjen nga Rusia dhe Ukraina, disa shtete të Lindjes së Mesme mbështeten në këto dy vende për më shumë se gjysmën e importeve të tyre. Libia e shkatërruar nga lufta dhe Libani i shkatërruar ekonomikisht morën një goditje të fortë nga ndërprerjet në eksportin e grurit, së bashku me Egjiptin, një nga importuesit kryesorë të grurit në botë.
Edhe pse eksportet e grurit të Ukrainës nisën pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja midis Kievit dhe Moskës duke stabilizuar edhe çmimet globale të ushqimeve, shumë në Lindjen e Mesme janë ende duke pritur për dërgesat e ngecura.
Rritja e inflacionit ka goditur gjithashtu një sërë ekonomish të pasigurta të Lindjes së Mesme. Rritja e çmimeve të mallrave në Irak dhe Iran ka sjellë shumë protesta ndërsa në Egjipt, ku vetëm një dekadë më parë një kryengritje përmbysi regjimin e mëparshëm nën sloganin "bukë, liri dhe drejtësi sociale", familjet e të gjitha niveleve po shohin se fuqia e tyre shpenzuese është duke u ulur shpejt.





