Kronologji: Historia e trazuar e Ukrainës që nga shpallja e pavarësisë - NACIONALE

Kronologji: Historia e trazuar e Ukrainës që nga shpallja e pavarësisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të mërkurën po bëhen gjashtë muaj nga futja e trupave ruse në Ukrainë. Rusia po e quan luftën “operacion special ushtarak”. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e akuzojnë Moskën për nxitjen e një lufte të paprovokuar agresioni me qëllim të marrjes së territorit dhe fshirjes së identitetit kombëtar ukrainas.

Reuters

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se qëllimi i “operacionit” është që ta çarmatosë Ukrainën që në mënyrë parandaluese ta garantojë sigurinë e Rusisë nga zgjerimi i NATO-s dhe për ta liruar Ukrainën nga nacionalistët e së djathtës ekstreme, për të cilët ka thënë se e rrezikojnë Rusinë.

Më poshtë po paraqesim një kronologji të ngjarjeve të historisë politike të Ukrainës që nga fitimi i pavarësisë nga Moska më 1991.

1991

Leonid Kravchuk, udhëheqës i republikës sovjetike të Ukrainës, e shpall pavarësinë nga Moska. Në një referendum dhe në zgjedhje presidenciale, ukrainasit i dhanë përkrahje dërrmuese pavarësisë dhe e zgjodhën Kravchuk-un president. Më 1994, ai u zëvendësua nga Leonid Kuchma, kur Ukraina gjithashtu u pajtua që të hiqte dorë nga arsenali i saj bërthamor – i treti më i madhi në botë, i trashëguar nga periudha sovjetike – në këmbim të garancive të sigurisë të mbështetura në respektimin e pavarësisë dhe sovranitetit të saj sipas Memorandumit të Budapestit, të nënshkruar edhe nga Rusia, Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe.

2004

Kandidati pro-rus, Viktor Yanukovich, shpallet president, por dyshimet për manipulim të zgjedhjeve nxitin protesta, të cilat do të njiheshin si Revolucioni i Portokalltë, duke i detyruar autoritet që t’i përsëritin zgjedhjet. President zgjidhet ish-kryeministri pro-perëndimor, Viktor Yushchenko.

2005

Yushchenko vjen në pushtet me premtimin për ta nxjerrë Ukrainën nga orbita e Kremlinit e për ta çuar drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ai e cakton për kryeministre ish-shefen e kompanisë së energjisë, Yulia Tymoshenko, por ajo shkarkohet pas përplasjeve në kampin pro-perëndimor.

2010

Yanukovich-i e mposht Tymoshenko-n në zgjedhje presidenciale. Rusia dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje për çmimin e gazit në këmbim për zgjatjen e afatit të qëndrimit të forcave detare ruse në një port të Gadishullit të Krimesë.

2013

Qeveria e Yanukovich-it i pezullon bisedimet për tregti dhe asocim me BE-në në nëntor dhe zgjedh që t’i ringjall lidhjet ekonomike me Moskën, duke nxitur protesta masive që zgjatën me muaj në Kiev. Putini e akuzon Perëndimin për nxitje dhe përkrahje të protestave.

2014

Protestat, kryesisht të përqendruara përreth Sheshit “Maidan”, bëhen të dhunshme. Dhjetëra protestues vriten. Në shkurt, parlamenti voton për shkarkimin e Yanukovich-it, i cili largohet nga vendi. Brenda disa ditëve, burra të armatosur e marrin nën kontroll parlamentin në Krime dhe e ngrenë flamurin rus. Moska e anekson territorin pas referendumit të 16 marsit, në të cilin jepet përkrahje dërrmuese për bashkim të Krimesë me Rusinë.

Prill 2014: Separatistët pro-rusë në rajonin lindor ukrainas, Donbas, e shpallin pavarësinë. Luftimet shpërthejnë dhe vazhdojnë kohë pas kohe deri më 2022, pavarësisht armëpushimeve të shpeshta.

Korrik 2014: Një raketë e rrëzon aeroplanin e pasagjerëve “MH17” në lindje të Ukrainës, që ishte nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, duke lënë 298 të vdekur. Hetuesit thonë se prejardhja e armës së përdorur në këtë rast ishte nga Rusia, e cila e mohon përgjegjësinë.

2017

Presidenti Petro Poroshenko, biznesmen miliarder pro-perëndimor, në pushtet nga maji i vitit 2014, arrin një marrëveshje asocimi me BE-në për tregti të lirë të mallrave dhe shërbimeve. Ukrainasve u jepet e drejta për udhëtim pa viza në Bashkimin Evropian.

2019

Ish-humoristi Volodymyr Zelensky e mposht Poroshenko-n në zgjedhjet presidenciale të prillit me premtimin për ta luftuar korrupsionin dhe për t’i dhënë fund luftës në lindje të vendit. Partia e tij, “Shërbëtori i Popullit”, i fiton zgjedhjet parlamentare në korrik.

2021

Zelensky i bën apel presidentit amerikan, Joe Biden, që ta lejojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Rusia grumbullon ushtarë afër kufirit të Ukrainës gjatë pranverës në ato që i quan ushtrime. Në dhjetor, Rusia paraqet kërkesa të saktësuara të sigurisë, përfshirë një garanci të detyrueshme ligjërisht se NATO-ja do të heqë dorë nga cilido aktivitet ushtarak në lindje të Evropës dhe në Ukrainë. Si reagim, NATO-ja e përsërit zotimin për politikën me dyer të hapura përderisa i ofron Moskës diskutime “pragmatike” për shqetësimet për sigurinë.

2022

Në një adresim televiziv më 21 shkurt, Putini thotë se Ukraina është pjesë integrale e historisë ruse, se kurrë nuk ka pasur histori të shtetësisë së njëmendtë, se menaxhohet nga fuqinë e huaja dhe se ka regjim kukulle. Putini i nënshkruan marrëveshjet për t’ua njohur pavarësinë dy rajoneve lindore Ukrainase dhe jep urdhër për dërgimin e ushtarëve rusë atje. Perëndimi i vendos sanksione ekonomike shtesë Rusisë.

Më 24 shkurt, Putini shpall luftë në një adresim të publikuar para agimit dhe Rusia e nis pushtimin, duke i vënë në shënjestër forcat dhe bazat ajrore të Ukrainës me raketa e artileri si dhe duke i sulmuar zonat nëpër qytete. Dhjetëra mijëra njerëz ikin nga shtëpitë, ndërsa presidenti ukrainas jep urdhër për mobilizim të përgjithshëm.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme