Për herë të parë në 20 vjet, euro më poshtë se dollari - cili është ndikimi? - NACIONALE

Për herë të parë në 20 vjet, euro më poshtë se dollari - cili është ndikimi?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Vlera e euros ka rënë më poshtë se ajo e dollarit, duke u zhytur në nivelin më të ulët në 20 vjet dhe duke i dhënë fund kursit të këmbimit një-me-një me valutën amerikane.

Associated Press tregon se pse po ndodhë rënia e euros dhe çfarë ndikimi mund të ketë.

Çfarë do të thotë pariteti euro dhe dollar?

Kjo do të thotë se monedhat evropiane dhe amerikane vlejnë njëlloj. Por, ndërsa kursi ndryshon vazhdimisht, euro ka rënë nën vlerën e 1 dollarit këtë javë.

Kursi i këmbimit të një monedhe mund të jetë një verdikt për perspektivat ekonomike dhe ato të Evropës janë zbehur. Pritjet që ekonomia do të shihte një rikthim pas kalimit të pandemisë Covid-19 janë zëvendësuar nga parashikimet e recesionit.

E më shumë se çdo gjë, fajin e kanë çmimet e larta të energjisë dhe inflacioni rekord. Evropa është shumë më e varur nga nafta dhe gazi natyror rus sesa ShBA-ja për të mbajtur industrinë të zhurmshme dhe për të prodhuar energji elektrike.

Frika se lufta në Ukrainë do të çojë në një humbje të naftës ruse në tregjet globale, ka bërë që çmimet e naftës të rriten. E poashtu edhe Rusia ka shkurtuar furnizimet me gaz natyror për Bashkimin Evropian, të cilin udhëheqësit e BE-së e përshkruan si hakmarrje për sanksionet dhe dërgesat e armëve në Ukrainë.

Ndjenja e frikës është rritur akoma më shumë pas Rusia uli flukset përmes gazsjellësit Nord Stream 1 në Gjermani në 20% të kapacitetit dhe tha se do ta mbyllte atë për tre - për "mirëmbajtje rutinë" në një stacion kompresori.

E mes furnizimeve në pakësim, frikës për ndërprerje të mëtejshme dhe kërkesës së madhe, çmimet e gazit natyror në standardin TTF të Evropës janë rritur në nivele rekord.

Kur ishte hera e fundit që euro ishte e barabartë me dollarin?

Hera e fundit që euro u vlerësua nën 1 dollarë ishte më 15 korrik 2002.

Menjëherë pas lançimit të saj më 1 janar 1999, monedha evropiane arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 1,18 dollarësh, por më pas filloi një rënie e gjatë, duke rënë në barazim me 1 dollar në shkurt 2000 dhe duke arritur një nivel rekord prej 82,30 cent në tetor 2000. E pas deficiteve të mëdha tregtare dhe skandaleve të kontabilitetit në Wall Street, euro u ngrit sërish mbi dollarin në vitin 2002.

Atëherë, ashtu si tani, ajo që duket të jetë një histori e euros është gjithashtu në shumë mënyra një histori e dollarit. Kjo për shkak se dollari amerikan është ende monedhë dominuese në botë për tregtinë dhe rezervat e bankave qendrore, duke bërë që dollari të arrijë nivelet më të larta të 20 viteve ndaj monedhave të partnerëve të tij kryesorë tregtarë dhe jo vetëm ndaj euros.

Dollari gjithashtu është duke përfituar shumë nga statusi i tij si një strehë e sigurt për investitorët në kohë pasigurie.

Pse po bjen euro?

Rënien e euros shumë analistë ia atribuojnë pritjeve për rritje të shpejtë të normave të interesit nga Rezerva Federale e ShBA-së për të luftuar inflacionin në nivelet më të larta të 40 viteve.

Ndërsa Fed rrit normat e interesit, normat e investimeve me interes priren gjithashtu të rriten. Nëse Fed rrit normat më shumë se Banka Qendrore Evropiane, kthimet më të larta të interesit do të tërheqin paratë e investitorëve nga euro në investime në dollarë. Këta investitorë do të duhet të shesin euro dhe të blejnë dollarë për të blerë prona. Kjo e çon euron poshtë dhe dollarin lart.

Muajin e kaluar, BQE rriti normat e interesit për herë të parë në 11 vjet me një gjysmë përqindjeje më të madhe se sa pritej. Ndërsa një rritje tjetër pritet edhe në shtator.

Megjithatë, nëse ekonomia zhytet në recesion, kjo mund të ndalojë serinë e rritjes së normave të BQE-së.

Ndërkohë, ekonomia e ShBA-së duket më e fuqishme, që do të thotë se Fed mund të vazhdojë të shtrëngohet – dhe të zgjerojë hendekun e normave.

Kush fiton?

Turistët amerikanë në Evropë do të gjejnë fatura hotelesh, restorantesh dhe bileta më të lira. Euroja më e dobët mund t'i bëjë mallrat e eksportit evropian më konkurrues për nga çmimi në Shtetet e Bashkuara. Duke qenë se ShBA dhe BE janë partnerë kryesorë tregtarë, ndryshimi i kursit të këmbimit do të vihet re.

Në ShBA, një dollar më i fortë nënkupton çmime më të ulëta për mallrat e importuara – nga makinat dhe kompjuterët te lodrat dhe pajisjet mjekësore – të cilat mund të ndihmojnë në zbutjen e inflacionit.

Kush humbet?

Kompanitë amerikane që bëjnë shumë biznese në Evropë do të shohin tkurrjen e të ardhurave nga ato biznese nëse i kthejnë ato fitime në ShBA. Por, nëse fitimet nga euro mbeten në Evropë për të mbuluar kostot atje, kursi i këmbimit bëhet më pak problematik.

Një shqetësim kryesor për ShBA-në është se një dollar më i fortë i bën produktet e prodhuara në SHBA më të shtrenjta në tregjet jashtë shtetit, duke zgjeruar deficitin tregtar dhe duke ulur prodhimin ekonomik, ndërkohë që u jep produkteve të huaja një avantazh çmimi në Shtetet e Bashkuara.

Një euro më e dobët mund të jetë një dhimbje koke për Bankën Qendrore Evropiane, sepse mund të nënkuptojë çmime më të larta për mallrat e importuara, veçanërisht naftën, e cila ka një çmim në dollarë. BQE-ja tashmë po tërhiqet në drejtime të ndryshme: po rrit normat e interesit, ilaçi tipik për inflacionin, por normat më të larta gjithashtu mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike.

Lajme të ngjashme