Përmes Finlandës në Evropë, turistët rusë mbushin aeroportin e Helsinkit me Porsche e Bently
Porshe, Bentley dhe makina të tjera luksoze me targa ruse janë duke mbushur garazhet e parkimit në aeroportin e Helsinkit, pasi Finlanda po bëhet një vend i rëndësishëm tranziti për turistët rusë që fluturojnë drejt Evropës.
Kujtojmë se, BE-ja mbylli hapësirën e saj ajrore për avionët rusë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, duke detyruar këdo që dëshiron të udhëtojë në Evropë të kalojë me makinë përtej kufirit ose të marrë një rrugë qarkore duke përdorur linja ajrore jo-perëndimore.
E sipas The Guardian, që nga skadimi i kufizimeve të Rusisë për Covid-19 në korrik, ka pasur një bum të numrit të udhëtarëve rusë dhe një reagim në rritje në Evropë kundër lejimit të hyrjes së turistëve rusë ndërkohë që lufta në Ukrainë është duke vazhduar.
Një shëtitje e shpejtë nëpër parkingun e makinave në aeroportin e Helsinkit zbuloi dhjetëra, nëse jo qindra makina të nivelit të lartë me targa ruse, duke përfshirë një sedan të ri Mercedes-Benz të klasit S dhe Porsche 911 Turbo S.
"Më shqetëson," tha një udhëtar finlandez, Jussi Hirvonen, pasi doli nga garazhi. “Do të doja që ata të mos ishin këtu përpara se të zgjidhej situata e Ukrainës”.
Lidhur me këtë çështje, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, tha se Finlanda ishte bërë një "vend tranzit" për turistët rusë. Ai tha se, “aeroporti i Helsinkit po pret shumë turistë rus për momentin”.
Pas rritjes së pakënaqësisë mbi turizmin rus mes luftës në Ukrainë, javën e kaluar Finlanda tha se që nga 1 shtatori do të kufizojë numrin e vizave turistike ruse në 10% të vëllimeve aktuale.
Haavisto tha se, rusët vazhdojnë të hyjnë në Finlandë me viza të lëshuara nga vendet e tjera të BE-së në zonën e udhëtimit pa kufij Shengen.
“Ata vijnë këtu me viza Shengen të lëshuara nga vende të ndryshme dhe më pas vazhdojnë më tej përmes aeroportit të Helsinkit”.
E sipas një sondazhi të kryer nga roja kufitare finlandeze në gusht, rreth dy të tretat e rusëve që kalojnë kufirin lindor të Finlandës e bëjnë këtë me një vizë Shengen të lëshuar nga një vend tjetër përveç Finlandës.
“Hungaria, Spanja, Italia, Austria, Greqia dhe Spanja normalisht u japin viza rusëve dhe në përgjithësi janë ndër vendet që lëshojnë më së shumti viza çdo vit" tha Mert Şaşıoğlu, një zyrtar i rojes kufitare.
Edhe pse shumë anëtarë lindorë të BE-së ndaluan lëshimin e vizave turistike për rusët menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit, rusët me viza të lëshuara nga vende të tjera të BE-së lejohen të hyjnë në të gjitha shtetet e BE-së.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha të martën se mund të kërkonte një "zgjidhje rajonale" për ndalimin e turistëve rusë nëse vendet anëtare të BE-së nuk arrijnë të bien dakord për një sanksion në mbarë bllokun.
Ndërkohë, Haavisto tha se rregullat e Shengenit nuk lejojnë Finlandën të mbyllë kufirin për kombësi të veçanta pasi sanksione të tilla mund të vendosen vetëm bashkërisht nga BE.
Vendi nordik synon ta ngrejë çështjen në takimin e ardhshëm të ministrave të punëve të Jashtme të BE-së që do të mbahet në Republikën Çeke më 30 gusht.


