Frikë për sulme të reja nga Rusia në ditën kombëtare të Ukrainës - NACIONALE

Frikë për sulme të reja nga Rusia në ditën kombëtare të Ukrainës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në prag të ditës së pavarësisë së Ukrainës dhe një ditë para shënimit të gjashtëmujorit të pushtimit rus të Ukrainës, ekzistojnë shqetësime në vend të martën se Moska mund të jetë duke u përqendruar në sulmimin e caqeve specifike qeveritare e civile gjatë festës.

Shtetet e Bashkuara i përforcuan këto shqetësime, kur ambasada amerikane në Kiev lëshoi një paralajmërim sigurie, duke thënë se “ka informata që Rusia është duke i shtuar përpjekjet për të kryer sulme kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët e ardhshme”.

Duket se edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vërejtur këtë rrezik. Të hënën në mbrëmje, ai tha: “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se këtë javë, Rusia mund të jetë duke u munduar që të bëjë diçka posaçërisht të lig, posaçërisht mizore.”

Paralajmërimi i ShBA-së erdhi pak pas pretendimit të Rusisë se inteligjenca ukrainase është përgjegjëse për sulmin me bombë nga i cili u vra vajza e një analisti politik rus në fundjavë. Ukraina e ka mohuar përgjegjësinë për këtë rast, raporton agjencia “Associated Press”.

Ndjenja se dhuna mund të përshkallëzohet, përqendrohet kryesisht te centrali më i madh bërthamor i Evropës, i cili ndodhet në Zaporizhia të Ukrainës, ku luftimet e vazhdueshme kanë shkaktuar frikë për katastrofë bërthamore.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të hënën vonë paralajmëroi për rrezikun në përgjithësi dhe kërkoi që të ndalen kërcënimet bërthamore, duke thënë se bota është në “momentin maksimal të rrezikut” dhe shtoi se të gjitha shtetet me armë bërthamore duhet të zotohen për ta shmangur të ashtuquajturin “përdorim të parë” të këtyre armëve.

Sidoqoftë, ky paralajmërim nuk i ndaloi bombardimet afër Zaporizhia-s të martën në mëngjes. Guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenko, tha se forcat ruse hapën zjarr afër Nikopol-it dhe Marhanets-it, në anën e djathtë të Lumit Dnieper.

Ndërkohë shqetësim po shkakton edhe fati i të burgosurve ukrainas të luftës. Komisionarija e lartë për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, tha se ajo është e shqetësuar nga raportet se Federata Ruse dhe grupet e armatosura të lidhura me të në Doetsk janë duke planifikuar – me gjasë në ditët e ardhshme – që t’i gjykojnë të burgosurit ukrainas të luftës.

Mes vdekjes e shkatërrimit, në Ukrainë u shfaq një dritë e vogël shprese. I tërë futbolli profesionist ishte ndërprerë në Ukrainë në shkurt, por të martën do të fillojë sezoni i ri i këtij sporti në Kiev.

Në Stadiumin Olimpik do të zhvillohet ndeshja Shakhtar Donetsk – Metalist – ekipe nga qytetet lindore ukrainase, që po luftojnë për ekzistencën e vet.

Në stadiumin me kapacitet për 65.000 njerëz nuk do të lejohet asnjë tifoz, ndërsa lojtarët duhet të futen në strehimore kundër bombardimeve, nëse lëshohet sirena e alarmit për sulme ajrore.

“Ekipet, lojtarët do të jenë krenarë me këtë ngjarje”, tha kapitein i ekipit Shakhtar Donetsk, Taras Stepanenko, në një intervistë përmes telefonit për agjencinë “Associated Press”./Nacionale

Lajme të ngjashme