Finlanda: Sigurisht që lufta është e mundur të dalë edhe jashtë Ukrainës dhe të vazhdojë në Evropë - NACIONALE

Finlanda: Sigurisht që lufta është e mundur të dalë edhe jashtë Ukrainës dhe të vazhdojë në Evropë

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto tha, në përgjigje të pyetjes së një gazetari, se një luftë në Evropë përtej kufijve të Ukrainës është "e mundur" dhe u bëri thirrje vendeve në mbarë botën të mbështesin Kievin.

Në një intervistë për CNN, Haavista u pyet nëse Ukraina mund ta fitojë luftën kundër Rusisë: "Unë nuk e di mbase mund të fitoj. Sigurisht, mendoj se Ukraina ka të drejtë moralisht në këtë situatë. Ata janë shumë të bashkuar", ai u pergjigj.

"Ky është realiteti i ri"

Ai argumentoi se Finlanda, e cila kishte qenë neutrale për dekada, nuk mund të ishte më neutrale sepse Rusia ishte kthyer në një "kërcënim sigurie".

"Unë mendoj se ky është një realitet i ri. Unë me të vërtetë mendoj se arkitektura e sigurisë së Evropës është thyer. Kjo është një situatë e re, tani kemi një lloj perde të hekurt midis Rusisë dhe vendeve të tjera. Dhe sigurisht, agresioni rus kundër Ukrainës është fajtor për gjithë këtë”, tha Haavisto.

Pushtimi rus i Ukrainës "ndryshoi atmosferën e sigurisë", shtoi ai.

Pekka tha se ishte i shqetësuar për "deklaratat e lehta për armët bërthamore, për armët kimike".

"Po, Finlanda ka një ushtri të fortë. Ne kemi avionë luftarakë F-35 e kështu me radhë. Por çfarë nëse na kërcënojnë me armë jokonvencionale?" ka thënë Pekka.

Për marrëveshjen me Turqinë

Të martën, Finlanda, Suedia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për masat e përbashkëta të sigurisë, pas së cilës Turqia hoqi veton për anëtarësimin e vendeve nordike në NATO. Presidenti turk Erdogan tha më pas se Finlanda dhe Suedia duhet të mbajnë premtimet e ekstradimit që kanë bërë gjatë negociatave ose përndryshe ratifikimi i hyrjes së vendeve nordike nuk do të dërgohet në parlamentin turk.

Por Haavisto tha në një konferencë shtypi më herët sot se Finlanda dhe Turqia nuk diskutuan ekstradimin e ndonjë personi apo grupi personash të caktuar gjatë negociatave në samitin e NATO-s të mbajtur në Madrid.

Duke iu referuar një telefonate me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu, Haavisto tha: "Ne ramë dakord që tani kemi një marrëveshje të nënshkruar dhe gjithçka që ramë dakord është në marrëveshje. Ne nuk folëm për ndonjë listë të njerëzve me Turqinë në Madrid", ai tha. /Nacionale/

Lajme të ngjashme