Haradinaj: Më 12 shtator do të bashkohemi të gjithë, çlirimtarët i presim në Kosovë - NACIONALE

Haradinaj: Më 12 shtator do të bashkohemi të gjithë, çlirimtarët i presim në Kosovë

19 minuta më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se më 12 shtator do t’i bashkohet protestës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka theksuar se kjo protestë nuk duhet të shihet si aktivitet opozitar kundër Qeverisë.

Duke folur në emisionin “Rubikon”, Haradinaj tha se ai dhe Aleanca do të marrin pjesë në mënyrë të organizuar në marsh, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen që t’i bashkohen kësaj proteste në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Me 12 shtator do të bashkohemi të gjithë. Edhe unë edhe Aleanca në mënyrë të organizuar. Po edhe shqiptarët kudo që janë do të protestojmë, do ta dëshmojmë mbështetjen për çlirimtarët edhe i presim në Kosovë, i presim të lirë në liri”, tha Haradinaj.

“Dëshiroj që të gjithë shqiptarët të jemi të bashkuar për çlirimtarët dhe nuk po du me e shfrytëzu energjinë në mbështetje të çlirimtarëve kundër qeverisë. Nuk është ai qëllimi.”

Haradinaj deklaroi se pas 16 shtatorit, kur pritet vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, opozita do t’u rikthehet aktiviteteve të saj kundër Qeverisë, veçanërisht lidhur me, siç tha ai, shkeljet kushtetuese.

“Pas 16 shtatorit do të ketë një dinamizim të opozitëbërjes. Energjitë tona do të drejtohen pra si opozitë kundër qeverisë së keqe, kundër shkeljeve kushtetuese, kundër të gjitha atyre dëmeve që po i ndodhin qytetarit të vendit dhe vendit”, deklaroi Haradinaj.

Lajme të ngjashme