BE nën presion për të ndaluar turistët rusë nga Evropa
Presidenti ukrainas thotë se rusët “duhet të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre”.
BE-së i është kërkuar të vendosë një ndalim udhëtimi për turistët rusë me disa shtete anëtare që thonë se vizita në Evropë ishte "një privilegj, jo një e drejtë njerëzore" për pushuesit.
Ndërsa, në një intervistë të dhënë për Washington Post, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky, tha se “sanksioni më i rëndësishëm ishte mbyllja e kufijve, sepse rusët po ia marrin tokën dikujt tjetër". Ai shtoi se, “rusët duhet të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre”.
E kjo thirrje e Zelenskyt u mbështet edhe nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila shkroi në Twitter se vizita në Evropë ishte "një privilegj, jo një e drejtë njerëzore", duke shtuar se: "Koha për t'i dhënë fund turizmit nga Rusia. Ndaloni lëshimin e vizave turistike për rusët”.
Të njejtat zhgënjime ka transmetuar edhe kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin e cila u shpreh se "nuk ishte e drejtë që ndërsa Rusia po bën një luftë agresive, brutale agresioni në Evropë, rusët mund të jetojnë një jetë normale, e tursitët të udhëtojnë në Evropë.”
Kujtojmë se, më parë Finlanda ka thënë se që nga heqja e kufizimeve të Covid, një numër në rritje i rusëve kanë filluar të kalojnë kufirin midis dy vendeve për të blerë në dyqanet kufitare dhe për të udhëtuar më tej në destinacione të tjera të BE-së.
BE-ja ndaloi udhëtimin ajror nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt dhe lidhja e fundit hekurudhore e pasagjerëve, midis Shën Petersburgut dhe Helsinkit, u pezullua në mars, por rusët ende mund të hyjnë në Finlandë përmes rrugëve.
Vendi poashtu javën e kaluar lëshoi një plan për të kufizuar vizat turistike për rusët, por ka vënë në pikëpyetje të drejtën e saj ligjore për të vendosur një ndalim të plotë, ndërsa vendet e tjera të zonës pa pasaportë Shengen që ndajnë një kufi me Rusinë, si Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, tashmë kanë shtrënguar në mënyrë dramatike rregullat e vizave.
Por të gjitha këto vende kanë theksuar nevojën për një vendim në nivel të BE-së për këtë çështje pasi një vizë e lëshuar nga një anëtar i zonës nuk mund të refuzohet nga të tjerët – që do të thotë se rusët e zakonshëm që nuk janë në shënjestër nga sanksionet individuale mund të përdorin vendet e tyre fqinje si zona tranziti.

