ShBA thotë se rusët kanë nisur stërvitjet me dronët e Iranit
Shtetet e Bashkuara besojnë se gjatë disa javëve të fundit, zyrtarët rusë kanë filluar trajnimin me dronët në Iran, shenja më e fundit që Rusia synon të blejë sistemet nga vendi, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
“Gjatë disa javëve të fundit, zyrtarët rusë kryen trajnime në Iran si pjesë e marrëveshjes për transferimin e UAV-ve nga Irani në Rusi”, ka deklaruar një zyrtar amerikan për CNN.
Lidhur me këtë çështje i kontaktuar nga CNN, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov muajin e kaluar është shprehur se “Rusia nuk kishte asnjë koment".
Kujtojmë se, sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare Jake Sullivan dhe imazheve satelitore, muajin e kaluar u raportua se një delegacion rus vizitoi Iranin për të ekzaminuar dronët e aftë për të mbajtur armë.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se Irani i ka prezantuar Rusisë dronët Shahed-191 dhe Shahed-129, të njohur gjithashtu si UAV ose aeroplanë pa pilot, në aeroportin Kashan në jug të Teheranit në qershor.
Të dy llojet e këtyre dronëve janë në gjendje të mbajnë raketa të drejtuara me saktësi. Ndërsa, në muajin korrik Sullivan tha se ShBA beson se Irani synon t'i shesë Rusisë qindra dronë në mënyrë që të mund t'i përdorë në luftën e saj në Ukrainë.
Deri më tani, për të shkatërruar postet e komandës ruse, tanket dhe sistemet e raketave ajër-tokë, ushtria ukrainase ka përdorur kryesisht UAV-të Bayraktar të prodhuar nga Turqia, ndërsa rusët kanë përdorur dronët vendorë Orlan-10.
Por, ShBA bson se rusët kanë qenë në përpjekje për të rimbushur furnizimet e tyre, duke i bërë ata t’i drejtohen Iranit për pajisjet.
Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar gjithashtu se marrëdhëniet në rritje midis Iranit dhe Rusisë ilustron se pse ShBA duhet të ruajë praninë dhe ndikimin e saj në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Ukraina, i është lutur ShBA-së që të sigurojë dronë më të fuqishëm të armatosur si Grey Eagle, por nga frika se Rusia mund t’a shohë si një provokim, deri më tani vendi ka hezituar t’ia ofrojë këta dronë Ukrainës.

